E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Letra e Patozit për Ruçin e sinqertë

Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike, është ndaluar në letrën që kryetari i grupit demokratik Astrit Patozi, i ka dërguar kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçit. Ai ka deklaruar se letra e Patozit për Ruçin ka qenë e sinqertë.

“Zoti Patozi iu drejtua me një letër zotit Ruçi, që të nisim punën edhe gjatë këtij sesioni për të dërguar sinjalet më pozitive. Të nisim punën për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Përgjigja ishte se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste, orientale. Dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori, që ka mërzitur veshët e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Gjithashtu kryeministri deklaroi se disa nga reformat në vend, ngecën për shkak të vendimit, që kreu socialist morri për të bojkotuar votimet e ligjeve.

“Ne qëndrojmë prapë të hapur. Besojmë se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë qëndrimin e vet. Rama beson se bojkoti është strategji e suksesshme”, shtoi ai.

Duke u ndaluar në punën e qeverisë gjatë këtyre viteve, kryeministri Berisha deklaroi se janë miratuar 308 ligje, 110 vendime dhe 35 rezoluta.

“Ligjet që keni miratuar bënë të mundur zbatimin e projektit më ambicioz, që një vend mund të ketë ndonjëherë. Ndërtimet e mijëra kilometrave rrugë nga korridoret e mëdha, autostradat, superstradat, rrugët rurale dytësore”, iu drejtua kryeministri deputetëve demokratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›