835 të rinj dhe të reja të Kamzës, aderojnë në PD, Berisha: Zgjodhët rrugën e idealit evropian të Shqipërisë

Në përvjetorin e 20-ë, Partia Demokratike ka hapur siparin e anëtarësimeve të reja në parti. Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në ceremoninë e posaçme në qytetin e Kamzës ku morën teserën e PD-së 835 të rinj dhe të reja, përshëndeti të rinjtë, për zgjedhjen e tyre, duke deklaruar se ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm, për partinë më të madhe në vend. Shefi i ekzekutivit i falënderoi ata për mbështetjen që i kanë dhënë Partise Demokratike që nga themelimi i saj 20 vjet më parë, fitorn historike në vitin 1992 dhe rikthimin në pushtet në vitin 2005-ë. E gjithë kjo, tha kryeministri, falë punës dhe mbështetjes së rinisë shqiptare. Me këtë rast, shefi i ekzekutivit e përkufizoi PD-në si parti të të rinjve dhe të idealeve evropiane
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha, para të rinjve dhe të rejave të Kamzës: Për mua ishte sot një gëzim i madh, një emocion i veçantë, firmosja e dokumentit të anëtarësimit tuaj dhe të qindra anëtarëve të rinj në Partinë Demokratike. Me këtë rast ju jap përshëndetjet më të përzemërta, falënderimin dhe mirënjohjen time më të thellë. Besimi juaj tek Partia Demokratike është inkurajim i jashtëzakonshëm i kësaj partie në rrugën e zbatimit të programit të Shqipërisë evropiane. Unë ju përgëzoj për zgjedhjen që keni bërë dhe ju garantoj se çdo demokrate dhe demokrat në Shqipëri ndihet sot krenar me ju. Zgjedhja juaj është një zgjedhje e shkëlqyer, është një zgjedhje e mençur, është një zgjedhje për veten, për shoqërinë, për mbarë Shqipërinë. Ju zgjodhët Partinë Demokratike, sepse ajo është partia e lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve. Ndaj, me anëtarësimin tuaj sot në radhët e kësaj partie le të hapim ne siparin e 20 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike dhe pluralizmit në Shqipëri. Ju zgjodhët Partinë Demokratike, sepse ishte kjo parti që 20 vite më parë u përball në rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë me partinë e diktaturës më të egër që Evropa ka njohur në historinë e saj; u përball me partinë që i solli mjerimin më të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve, që i zhyti ata në izolimin më të thellë; u përball për të mbjellë në këtë tokë liritë dhe të drejtat tona e të mbarë shqiptarëve, për t’i mbrojtur, për t’i zhvilluar ato, për të shndërruar qytetarët shqiptarë në qytetarë të lirë si të gjithë qytetarët e Evropës. Ju keni zgjedhur Partinë Demokratike si partinë e idealeve tuaja më të bukura, sepse 20 vjet më parë Partia Demokratike u themelua si partia e interesit kombëtar të qytetarëve shqiptarë, si partia e çështjes kombëtare të shqiptarëve. Ishin të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë ata, të cilët në themelimin e kësaj partie vendosën çështjet kombëtare si yllin e saj Polar, duke i dhënë fund dhe duke bërë kështu një avokat shqiptar dhe një avokate të shkëlqyer të të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore. Në 20 vite Partia Demokratike ia doli të japë të gjithë kontributin e saj historik në liritë e shqiptarëve, në Kosovë dhe kudo që ata ndodhen. Ju keni zgjedhur Partinë Demokratike, sepse ajo është partie e të rinjve shqiptarë, është partie e idealeve rinore të shqiptarëve, është parti e interesave të tyre. Ju e themeluat këtë parti 20 vjet më parë. Guximi, trimëria, vendosmëria juaj bëri që shqiptarët të na zgjedhin mbi diktaturën më të egër në Evropë. Ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që përcaktuat fitoren historike të Partisë Demokratike në vitin 1992; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që me votën tuaj, me guximin tuaj, me vendosmërinë tuaj bëtë që në vitin 2005 të përzinit nga pushteti rebelët që erdhën me armë në pushtet; ishit ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që u ngritët mbi mashtrimin, trillimet, shpifjet dhe në vitin 2009 i dhatë fitoren Partisë demokratike. Ju merrni sot dokumentin e Partisë Demokratike, sepse ajo është partia e ëndrrave më të bukura tuaja dhe të mbarë shqiptarëve, partia e integrimit të Shqipërisë në NATO. Së bashku, 20 vite më parë do të mbushnim sheshet e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë me brohoritjet “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria si gjithë Evropa”, ndërsa sot Shqipëria është në NATO dhe ecën e sigurt drejt Evropës. Ishit ju ata, të cilët nën moton “Shqipëria si Evropa” besonit se ju do të lëviznit të lirë në mbarë Evropën, dita po afron dhe kjo është vepra juaj. Unë dua t’ju garantoj ju sot këtu se kjo parti ka qenë dhe do të mbetet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, parti e vizionit tuaj evropian, parti e idealit tuaj evropian, parti e rinisë shqiptare. Në këtë kontekst, për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme se shkollimi juaj. Ne jemi ata që në 4 vite pothuajse trefishuam numrin e studentëve. Ne ju garantojmë ju se çdo i ri në Shqipëri do të ketë të hapura dyert në shkollat e mesme dhe çdo maturant do të ketë të hapura dyert në universitete. Për ju dhe së bashku me ju, ne po zbatojmë njërin nga programet më të mëdha në historinë tonë, programin e “Shqipërisë dixhitale”, të Shqipërisë së mendjes tuaj. Sot, ju në çdo shkollë keni kabinet informatike. Fjala ime e nderit: brenda këtij mandati secili prej jush do të ketë në kompjuter dhe internet në shtëpinë e tij! Punësimi juaj do të jetë dhe do të mbetet një nga përparësitë më madhore. Ndaj dhe ne, së bashku me ju, po e bëjmë vendin më tërheqës, një vend të bekuar për investimet shqiptare dhe të huaja, vend në të cilin do të krijohen jo dhjetëra, por qindra e mijëra vende pune. Rrugën tonë drejt Evropës nuk e kemi bulevard me lule, por vendosmërinë e kemi të madhe. Me vendosmërinë tonë, me kurajën tonë, me ndershmërinë tonë ne do të ecim të sigurt dhe në sukses të plotë drejt Shqipërisë evropiane, drejt të ardhmes evropiane, drejt idealeve tona evropiane. Unë e di se këto katër vite në këtë bashki janë investuar 30 herë më shumë sesa para tyre, por, zoti kryetar, jam këtu për tu zotuar para këtyre të rinjve, para anëtareve dhe anëtarëve më të rinj të Partisë Demokratike, se do të mbështes çdo projekt për këtë bashki dhe në veçanti për këta të rinj. Prandaj dhe le të punojmë së bashku për tu ofruar këtyre të rinjve dhe të rejave shanset dhe mundësitë më të mira për shkollimin, për dëfrimin dhe për punësimin e tyre.
...