E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule: Asnjë vonesë për heqjen e vizave, shqiptarët do lëvizin të lirë në “Schengen”

Askush nuk do të kërkojë të vonohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Ne do të japim vendimin sapo të konstatohet nga komisioni monitorues se janë plotësuar kushtet në masën 100%. Politika në vend nuk do të reflektojë në vendimin për heqjen e vizave

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, ka deklaruar dhe njëherë se nuk ka asnjë pengesë përsa i takon liberalizimit të vizave Shqipëri-BE.
Zyrtari i lartë i Brukselit ka dhënë këtë përgjigje, në një kohë kur qarqet e majta në Parlamentin Evropian, përcjellin përmes korrespodencave mediatike, komente tendencioze, për një proces të rriskuar nga situata politike në Shqipëri, këndvështrim ky absurd dhe jashtë kontekstit të vendimit të KE-së për vizat.
“Askush nuk do të kërkojë të vonohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Ne do të japim vendimin sapo të konstatohet nga komisioni monitorues se janë plotësuar kushtet në masën 100%. Politika në vend nuk do të reflektojë në vendimin për heqjen e vizave”- u shpreh komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Duke folur në konferencën mbi përshpejtimin e integrimit të Ballkanit në BE, e organizuar nga EU Observer, Fyle tha se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur pjesën më të madhe të kushteve të udhërrëfyesit për vizat, ndërsa dy apo tre çështje të tjera janë të manaxhueshme dhe brenda një periudhe të shkurtër mund të implementohen dhe vëzhgohen nga një komision monitorues.
“Komisioni monitorues mendohet se do të jetë i pranishëm në të dyja këto vende diku nga Korriku i këtij viti, kështu që vendimi do të merret më pas. Por duke folur me përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe të Parlamentit Europian kam ndjenjën, besimin se pasi komisioni monitories do të konfirmojë se janë përmbushur të gjitha kushtet, i gjithë udhërrëfyesi është implementuar në masën 100 %, askush nuk do kërkojë të vonojë këtë çështje një orë apo një ditë më tepër”- garantoi Fule.
Komisioneri për zgjerimin i BE, deklaroi se shpreson që politika në Shqipëri do të gjejë një zgjidhje kompromisi për t’i dhënë fund ngërçit politik, përpara se Parlamenti dhe Këshilli Europian të marrin vendimin mbi heqjen e vizave, një proces që nuk do të ketë asnjë vonesë.
“Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje, për të gjetur një kompromis nga të dyja palët, përpara se PE dhe këshilli të marrin vendimin mbi heqjen e vizave. Shpresoj që nuk do të na duhet të bezdisemi nga fakti se dikush mund të bëjë një lidhje midis politikës në një vend dhe vendimit për heqjen e vizave”- nënvizoi më tej kryekomisioneri, Stefan Fule.
Autoritetet shqiptare presin me optimizëm vendimin e Komisionit Evropian për vizat, pas progresit të shënuar në drejtim të përmbushjes së kushteve të udhërrëfyesit për vizat. Por, ndërkohë që KE ka udhëzuar edhe 3 kritere të reja, qeveria ka treguar vullnet të plotë, për përmbushjen në kohë të tyre, para pushimeve të verës, në mënyrë që vendimi zinxhirë i kancelarive perëndimore, të mos vonojë. Shqiptarët kanë të gjitha mundësitë që të kenë një vizë “Schengen” brenda muajit tetor të këtij viti, kohë kur edhe parashikohet që Parlamenti Evropian të kalojë vendimin për vizat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›