E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Shqipëria nuk është në krizë, opozita të mos bezdisë qytetarët në prag të fillimit të botërorit

Deputetët e Edvinit vazhdojnë ende të kërkojnë të “drejtat e mohuara” lidhur me zgjedhjet, por shumica i kërkon të vlerësojë vendimet e gjykatave si ajo e një arbitri të një ndeshje futbolli që as nuk kontestohet dhe as nuk kthehet mbrapsht


Debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës shoqëruan sot punimet e seancës plenare të Kuvendit. Deputetët e opozitës deklaruan se shumica po mban qëndrim refrektar ndaj kërkesave të opozitës, ndërsa akuzoi për mungesë vullneti për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, i cili deklaroi se vendi nuk vuan nga asnjë lloj krize dhe se po ecën i sigurtë drejt përmbushjes së reformave dhe standardeve të integrimit. “Nëse doni të sillni krizën në Shqipëri, ky është një mision i pamundur. Ju kërkoni bashkëpunim, dhe ne jemi gati për këtë, vetëm nëse nuk shkelim gati ligjet dhe kushtetutën”- tha Patozi, duke i bërë thirrje Ruçit që të mos bëjë deklarata për kriza dhe se duhet të lerë qytetarët të shijojnë futbollin, kampinati botëror, i cili starton nesër. “Nesër fillon kampionati botëror. Do t’ju lutesha të mos i bezdisni shqiptarët. Mos i besdisni në këto ditë të kampionatit me historitë e kutive, krizës etj. Mos u bëni qesharakë. Kampionati botëror si evenimenti më i madh sportiv ka disa elementë që mund tu vijnë në ndihmë edhe juve. Kur dikush humbet i jep dorën tjetrit që fiton dhe vazhdon përgatitjen për herën tjetër, kush eshte arbitri etj”, nënvizoi Patozi. Në vlerësimin e tij, Patozi nguli këmbë se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë për gjitha kërkesat ligjore të opozitës. Debati i lirë në Kuvend mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës së sotme plenare u përqëndrua gjithashtu edhe tek situata ekonomike në vend, në kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, drafti për imunitetin etj. Deputeti demokrat, Flamur Noka akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mungesën e parqeve dhe mjediseve të gjelbëruara, të cilat, në mënyrë abuzive dhe klinteliste i janë dhënë firmave ndërtuese për ngritjen e objekteve të banimit. Kjo politikë, sipas tij, bëhet në kurriz të banorëve të kryeqytetit, të cilët po torturohen nga zhdukja e hapësirave të gjelbëra. Ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi u ndal tek çështja e imunitetit të zyrtarëve dhe ftoi opozitën të reflektojë dhe t’i bashkohet nismës së depozituar nga maxhoranca prej disa vitesh në Kuvend. “P/ligji i depozituar në Kuvend është një draft serioz dhe i vlerësuar për çështjen e imunitetit të parlamentarëve në fushën e veprave penale, por ende nuk kemi një përgjigje nga opozita nëse është dakord për ta miratuar dhe për të dhënë konsensus politik dhe juridik për të”- u shpreh deputeti demokrat, Viktor Gumi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›