E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria numëron mbi 60 mijë përdorues të drogave

13/12/2011  Alarmi: përdorues edhe në radhët e 14-vjeçarëve

Më të përdorurat prodhimet e kanabisit, vërehet edhe përzierja e substancave

Vendi ynë numëron mbi 60 mijë përdorues të lëndëve narkotike. Krahas rritjes së përdorimit ajo çfarë konsiderohet alarmuese është fakti i uljes së moshës së konsumit, ku në radhët e përdoruesve po renditen edhe nxënësit e moshave 13–14 vjeçare.

Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se ndër lëndët që gjejnë përdorim të shpeshtë rezultojnë të jenë kanabisi, e cila fatkeqësisht ka gjetur përdorim masiv në shkollat e mesme, heroina e marrë në forma nga më të ndryshmet (tymosje, injektim, e përzierë, shkëmbim shiringash, më shumë injektim), kokaina. Gjatë kohëve të fundit po vërehen edhe përdorime të substancave të përziera, si diazepam, alkool, ketaminë etj). “Ashtu si në çdo vend të botës, përdorimi dhe abuzimi me substancat ilegale është një fakt i pamohueshëm dhe numri i përdoruesve të drogës është në rritje. Llogaritet që në vendin tonë janë rreth 40 deri në 60 mijë përdorues të drogave ilegale, ku droga më e përdorur rezulton marijuana dhe më pas vijnë heroina, kokaina dhe të tjera”, - ka konfirmuar ditën e djeshme kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero. Ndër grupet më të rriskuara raportohen të jenë të rinj nën moshat 34 vjeç, veçanërisht ata që janë të papunë, nuk vijojnë shkollë si dhe nxënësit e shkollave të mesme. Pjesë e grupit të përdoruesve raportohet të jenë dhe anëtarët e grupeve të margjinalizuara, si punonjësit e seksit, romët etj. Megjithatë, vëzhgimet tregojnë se të rinjtë janë ata që eksperimentojnë më shumë me drogat, ku kjo tendencë problematike tashmë ka zbritur edhe te nxënësit e shkollave të mesme. Kjo rritje e numrit të përdoruesve ka shtuar nevojat për shtimin e shërbimeve, veçanërisht në rrethe ku mungesa e tyre është më e theksuar. Kundrejt kësaj situate Pipero ka shtuar: “Ka një vullnet politik për këtë çështje dhe shumë shpejt ne do të hapim Qendrën Kombëtare të Adiksionit dhe shumë shpejt do të ngremë shërbime të tilla në 12 prefekturat e vendit. Jemi në përpjekje për zgjerimin dhe hapjen e programeve të reja të trajtimit me agjent farmakologjik, si metadoni, apo buprenorphina për përdoruesit e drogave, kryesisht ata të opiateve.”

Konsumi

Vëzhgimet e kryera tregojnë se ndër substancat psikoaktive që përdoren më shpesh janë prodhimet e kanabisit, në mbi 65 për qind të përdoruesve, përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25 për qind (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme); rreth 10 për qind janë përdorues të kokainës. Njëkohësisht monitorimet e bëra kanë treguar se shfaqet në rritje edhe tendenca e preferencave për substanca sintetike, si stimulantët e tipit të amfetaminës si ekstazi.

Terapitë

Mbi 8 mijë persona janë përdorues, të cilët kanë nevojë për terapi me metadon, duke qenë se janë të varur nga injeksionet dhe përdorimi i heroinës, të cilat klasifikohen si një nga format më të rënda të drogës. Nga kjo shifër vetëm 300 prej tyre arrijnë të marrin trajtimin e përditshëm me metadon, ndërkohë që pjesa tjetër, për shkak të kapaciteteve financiare në mungesë, mbeten jashtë kësaj terapie. Kjo terapi ndihmon në rehabilitimin e organizmit, por mundësitë për trajtimin e këtyre personave janë tepër të kufizuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›