E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pa analistë?!

Agim Neza 

Shkak për këtë shkrim u bë  një miku im, që ditët e fundit ka marrë një post të rëndësishëm dhe kur po pinim një kafe më pyeste me seriozitetin më të madh: Si është e mundur që ne nuk kemi analistë? 
    E shikova disi i habitur dhe nuk po e kuptoja nëse e kishte seriozisht apo po bënte shaka!
    E kam seriozisht më tha dhe pyeti: “A e ndoqe emisionin “Ora Debat” të Fred Pezës, të gjithë të ftuarit Baze, Nano dhe Stefani thoshin nuk jemi analistë. Më duket se analistët janë më të rëndësishëm se gazetarët, apo jo?. Fjala e tyre ka peshë më shumë se ajo e gazetarëve të zakonshëm, apo jo!?”
Duke qenë se miku im këto kohë është më afër Presidentit Topi se sa zotit Berisha dhe të tre analistët janë momentalisht kritikë të qeverisjes së Kryeministrit Berisha, të gjithë merakun ai e kishte se ata duhet të quhen analistë! Ky ishte meraku i tij, pra për të nuk kishte rëndësi termi, por kush ishte më i rëndësishëm.
  Për fat të mirë edhe unë  e kisha ndjekur emisionin “Ora Debat” drejtuar nga gazetari Alfred Peza me temë “Më të besueshëm, analistët apo politikanët?”, ku të ftuar ishin analistët Mero Baze, Andrea Stefani dhe Mustafa Nano.
    Realiteti ishte siç thoshte miku im, Nano, Baze dhe Stefani gjatë emisionit theksuan se nuk mund të quheshin analistë. Pra preferenca e tyre ishte të quheshin “komentatorë” apo “opinionistë”. Në fakt, duke njohur tipat e tyre, unë e mora si modesti të tyren....! 
    Nga ana tjetër, duke marrë parasysh se sa serioz ishin ata kur e thoshin se mund të quheshin “opinionistë”, “komentatorë”, duke marrë parasysh se miku im ishte bindur se ata nuk janë analistë, duke pasur parasysh se një pjesë e opinionit publik i ka ndjekur këto figura të njohura gjatë këtij emisioni mendova të bëj këtë koment;
    Atëherë, kush na mbeti analist, nëse këta të tre nuk qenkan të tillë? Edhe kjo na u desh, “Shqipëria nuk ka analistë?!”. Don zoti nuk dalin në ndonjë emision tjetër përseri Baze, Stefani dhe Nano të ripërsërisin se nuk janë analistë, se atëherë do na mbetët analist vetëm Gilman Bakalli, që ka bërë Parti dhe ka filluar të bëjë analiza kohët e fundit?! E do na dalë ndonjëri t’i shkruajë shefit të NATO-s z. Scheffer se nuk duhet të bëhemi anëtarë të saj, edhe pse e kanë ratifikuar protokollin 26 shtetet, se nuk kemi analistë në Shqipëri!?
Natyrisht që kemi analistë, madje shumë të aftë
    Duke vlerësuar mikun tim Alfred Peza si një gazetar dinjitoz dhe që ka bërë një emision interesant “Ora Debat”, mu duk se këtë radhë ra “viktimë” e analistëve të ftuar në emisionin e tij. Kjo jo vetëm për faktin se Baze, Nano dhe Stefani ishin të ftuar si analistë, se e tillë ishte tema e përzgjedhur nga vetë Peza, “se kush janë më të besueshëm analistët apo politikanët”, por më shumë për faktin se Peza, duke pranuar në heshtje prononcimet e tyre “se nuk janë analistë”, harroi se i gjithë debati do të ishte kundër temës së tij, e aq më tepër kur Peza lexoi përfundimet e sondazhit ku analistët dilnin më të besueshëm se politikanët. Pra, kjo bëhej në një auditor me temë për analistët, ku asnjëri prej të ftuarve “nuk ishte analist”!
    Sipas mendimit tim dhe eksperiencës time si zëdhënës i disa institucioneve, duke ndjekur analizat e shtypit shqiptar dhe atij të huaj e duke pasur kontakte me zotërinjtë Stefani, Baze, Nano, pavarësisht nga ndonjë rezervë e imja personale në ndonjë rast për analizat e tyre, e them me bindje se të tre janë ndër analistët më të mirë të vendit tonë.
    Pavarësisht, tendencave të tyre për të kritikuar qeveritë, apo për të mbrojtur opozitarët, një gjë është e qartë se mund të kenë qenë raste shumë të pakta që në analizat e tyre, dikush tjetër të ketë bërë një replikë për t’iu hedhur poshtë atë çfarë kanë shkruar ata.
    Në këtë kuadër, duhet të dallojmë “opinionistin”, “komentatorin”, “gazetarin investigues”, me “analistin”.
    Analisti është një term për një individ, ku qëllimi kryesor është një ekzaminim i thellë i një fushe të kufizuar dhe specifike që mund të përfshijë biznesin, financat, sportin, industrinë, shërbimin shëndetësor, politikën, ushtrinë apo shërbimet sekrete... etj.       
   Për mendimin tim M. Nano, M. Baze janë të prirë më së shumti në analizën politike, ndërsa zoti Stefani, krahas asaj politike ka një sërë analizash edhe në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë. 
   E përmend faktin se suksesi i tyre është tek analizat politike, sepse mendoj se i kanë aftësitë e një analisti politik, që nënkupton të njohë kulturën, vlerat, shoqërinë, proceset e politikbërjes dhe vendimmarrjes, forcën dhe dobësitë e qeverisjes. Natyrisht, për të realizuar këto, kërkohen studime, kontakte dhe takime me profesionistë, gjë që nuk u mungon atyre.
   Nga ana tjetër jam dakord me disa opinione, që u dhanë gjatë emisionit se analistët duhet të jenë të fushave të veçanta, gjë që i mungon në tërësi opinionit publik.
    Pra, nuk mund të themi se na mungojnë analistët, jo se kemi me shumicë, por e rëndësishme është që analistët të jenë vetvetja dhe të dominojnë mbi botuesit e gazetave, mbi pronarët e televizioneve, në kuptimin e mirë të fjalës, me qëllim që t’i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë.
   Nga ana tjetër është detyrë e atyre që drejtojnë emisionet që të gjejnë analistët në fusha të ndryshme. Kjo, jo për t’i bërë qejfin analistëve, por për të bërë më të larmishëm emisionet e tyre. 
   Ajo që do të sugjeroja për analistët është se ata nuk duhet të konsumohen shumë, duke vajtur njëherë në dy ditë në televizione të ndryshme, ku janë të detyruar të ripërsërisin vetveten tek drejtues të ndryshëm emisionesh.
   Ndoshta, ajo që e komplikon termin analist është se disa analistë për arsye nga më të ndryshmet, që mund të jenë nga njëra anë aftësia e tyre për të përballuar çdo debat dhe nga ana tjetër interesi financiar, kanë marrë përsipër të drejtojnë edhe emisione, të bëjnë edhe analiza, të japin edhe opinione. Në këtë situatë, kur të njëjtët persona shkruajnë në gazeta, të njëjtët persona janë të ftuar në emisione të ndryshme dhe të njëjtët persona drejtojnë emisione të ndryshme, ndoshta ata vetë e kanë të vështirë të përcaktojnë se cilës sferë i përkasin. Atëherë është opinioni publik që mund të bëjë përcaktimin nëse ata janë analistë, komentatorë apo opinionistë, apo janë të aftë t’i bëjnë të tria.
Pra, sipas mendimit tim, jo vetëm M. Nano, M. Baze, A. Stefani janë analistë të mirëfilltë, por unë do të shtoja edhe emra të tjerë analistësh në fusha të ndryshme si: Blendi Kajsiu, Skënder Minxhozi, Frrok Cupi, Artan Fuga, Remzi Lani, Zef Preçi, Selim Belortaja, Elsa Ballauri, Blendi Fevziu, Çerçiz Loloçi, Koço Danaj, Mitro Cela, Agim Isaku, Bashkim Gjergji, Henri Çili, Qemal Sakajeva, Sami Neza, Ardi Nurellari, Genc Kondi, Afrim Krasniqi, Ilir Dhimo, Martin Leka, Ermal Hasimja, Albert Rakipi, etj.
Të tjerë mund të debatojnë nëse kemi apo jo analistë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›