Kriza globale, ja sa preken vendet e rajonit
Vendet e rajonit nuk kanë mundur t’i bëjnë dot ballë krizës globale financiare. Në raportin e saj më të fundit, Banka e Shqipërisë ka analizuar ekonominë e vendeve të rajonit, si dhe efektet e krizës globale te këto vende. Konkretisht dobësimi i kërkesës së brendshme ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë 2008 në Turqi, Serbi dhe Kroaci. Edhe në Maqedoni u vërejt një ngadalësim i rritjes së aktivitetit ekonomik kundrejt gjysmës së parë të vitit 2008, por i shkaktuar nga dobësimi i prodhimit bujqësor, pasi kërkesa e brendshme ka pësuar rritje. Problemet ekonomike që po kalojnë partnerët kryesorë të ekonomive në zhvillim të rajonit, kanë shkaktuar një ngadalësim të rritjes së eksporteve në Turqi, Serbi dhe Maqedoni, ndërsa eksportet e Kroacisë nuk janë ndikuar nga ky fenomen. Mungesa e likuiditetit në tregjet ndërkombëtare, pritej të jepte efektin e saj në investimet hyrëse direkte në vendet në zhvillim dhe në ngushtimin e termave të kredisë në kushtet e vështirësisë financiare, me të cilën përballen degët mëmë në vendet e industrializuara. Turqia dhe Serbia, dy ndër rastet më të spikatura, vuajtën rënien e fluksit të investimeve të huaja direkte, të cilat deri vitin e kaluar financonin një pjesë të madhe të deficitit korrent. Në të kundërt, Maqedonia vijoi të mbetej treg i pëlqyer prej investitorëve të huaj, të cilët shtuan fluksin hyrës të investimeve të tyre këtë vit.