E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Tiranës ndez debatin mes qeverisë dhe bashkisë

 

Fabiola Çela

Plani rregullues i Tiranës është bërë objekt debati mes Ministrisë së Punëve Publike dhe Bashkisë së Tiranës. Pas disa deklaratave të bëra më parë, ministria ka kërkuar sërish dje që Bashkia e Tiranës t’i dorëzojë planin rregullues të qytetit. Në një deklaratë për mediat, Drejtori për Marrëdhëniet me Publikun, pranë kësaj ministrie, Altin Ndroqi, i ka kërkuar Bashkisë të bëjë dorëzimin e këtij plani rregullues pranë sekretarisë teknike të KRRTRSH-së. “Prej disa muajsh sekretaria e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë pranë Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit po pret që Bashkia të dërgojë pranë kësaj sekretarie këtë plan. Ndaj i kërkoj zyrtarisht Bashkisë të paraqesë planin rregullues të Tiranës pranë sekretarisë teknike të KRRTRSH-së” - tha Ndroqi.
Qeveria e cilëson të papranueshëm faktin që ky plan po mbahet peng. “Është e pa principtë dhe e papranueshme që ky plan të mbahet peng muaj të tërë” tha ai. Plani rregullues i Tiranës u prezantua pak kohë më parë nga Kryebashkiaku Rama.
Debatet
Nuk është hera e parë që Ministria e Punëve Publike dhe Bashkia e Tiranës konfliktohen mes tyre. Vetëm pak kohë më parë, në një deklaratë për mediat, kreu i kësaj ministrie Sokol Olldashi i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që t’i dorëzojë projektin për ndërtimin e unazës së madhe. Kjo pasi, sipas kreut të kësaj ministrie, qeveria ka gati jo vetëm fondin e shpronësimit por del garant edhe për të siguruar fondet për ndërtimin e kësaj rruge. “Unë i kam dërguar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z.Rama, që të vërë në dispozicion të MPPTT projektin e zbatimit të Unazës, të segmentit nga Ura e Shkollës Teknologjike deri në kryqëzimin te rruga e Elbasanit. Arsyet e kësaj kërkese kanë qenë shumë të thjeshta dhe shumë utilitare për kryeqytetin, pasi ky projekt nga të gjithë konsiderohet i domosdoshëm për të çliruar Tiranën nga trafiku. Unaza e madhe e Tiranës është një projekt i madh infrastrukturor që vërtitet prej kohësh si objektiv për kryeqytetin por që nuk është realizuar deri më sot. Ne kemi të gatshme fondet dhe u vumë në dispozicion për të ndihmuar Bashkinë në këtë projekt me qëllimin e mirë që ky të realizohet sa më shpejt” ka thënë ministri Olldashi në deklaratën e tij. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, sipas të cilëve bashkia është e aftë të sigurojë vetë fondet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›