Part-time, afatet për 60 fituesit e rinj
Universiteti i Tiranës publikon datat për 60 studentët e rinj që do të mund të regjistrohen në sistemin part-time. Vendet e reja u hapën pas përjashtimit të po kaq studentëve që ishin shpallur fitues me dokumente false. "Në vend të personave të çregjistruar, bazuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve në Fakultetin e Drejtësisë, do të regjistrohen për programin e parë të studimit nga emri Zijadin Budo deri tek emri Ledian Shabani, ndërsa për programin e dytë të studimit nga Vilma Gjana deri te Denis Hita", thuhet në njoftimin e UT. Regjistrimet kanë nisur që në 23 shkurt. "Nëqoftëse pas kësaj procedure do të ekzistojnë kuota të parealizuara, ato të plotësohen në datë 24-26 shkurt, sipas rendit zbritës të renditjes përfundimtare", saktëson njoftimi. Në të theksohet se kandidatët duhet të zbatojnë të gjitha kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Pas përjashtimit të plot 60 studentëve nga Fakulteti Juridik në sistemin part-time, dyshohen për mashtrim me dokumentet edhe 30 studentë të tjerë. Ata mendohet të jenë regjistruar në mënyrë abuzive në Universitetin Politeknik dhe atë Bujqësor. Këtë pohuan për gazetën burime të sigurta pranë këtyre institucioneve arsimore. Universiteti i Tiranës nuk do të çojë për ndjekje penale asnjë prej të përjashtuarve. Kjo për të mos u hequr mundësinë për dije dhe penalizuar për këtë çështje. Por drejtuesit e UT nuk përjashtojnë përgjegjësinë ligjore që ka një akt i tillë.