E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria për gjynah

Ka nisur të ndjejë ethet e para të asaj që do të ndodhë pas pak javësh në Beograd. Nuk e fsheh frikën e përgjegjësisë së madhe që ka mbi supe për një përfaqësim sa më dinjitoz të vendit të saj. E në momentin që mendon se Olta Boka është vetëm një 16-vjeçare pa eksperiencë në muzikë, ndjesia përligjet edhe më! 

Faza përgatitore para nisjes për në kryeqytetin e Serbisë është drejt finalizimit, ndërsa duket se nuk do të ndryshojnë shumë gjëra nga ajo që është bërë edhe gjatë vitit të kaluar. Kompozitori, njëherësh edhe orkestruesi i “Zemrën lamë peng”, Adrian Hila, shpreh rezervat e tij në çështjen e promovimit të këngës nëpër shtete të ndryshme, pasi ky është parë çdo vit si një ngërç që pengon një përfaqësim dinjitoz të vendit tonë në sytë e botës. “Nuk besoj se po bëhet gjë në drejtim të promovimit, kështu që dhe ne si komponentë kryesorë të këngës po qëndrojmë në hije. Çdo përgatitje tani i kalon TVSH-së dhe janë ata që kanë peshën kryesore në këtë pikë. Unë jam informuar që vetëm Maqedonia ka investuar 350 mijë euro për promovimin e këngës përfaqësuese, ndërsa ne...”, thotë kompozitori Hila.

Ndërsa drejtoresha e radio “Tiranës” dhe e festivalit të RTSH-së, Zamira Koleci, thotë se çështja e promovimit të këngës është në varësi të mundësive financiare. “Jemi drejt fundit të përgatitjeve përpara startimit të festivalit. Ishim para pak ditësh në Beograd, ku çuam gjithë materialet e nevojshme, një CV të këngëtares, videoklipin, si dhe mbi 500 fletëpalosje, njësoj si edhe vjet. Aty na pritën shumë mirë dhe besojmë se Olta është këngëtarja më e vogël e këtij festivali”, thotë ajo. Por çfarë do të ketë ndryshe nga viti i kaluar, në mënyrë që askush të mos tregojë me gisht e të mos shprehë habinë për origjinën e vajzës 16-vjeçare?! “Kemi menduar që këtë vit të bëjmë një promovim më të gjerë të këngës, kryesisht në shtetet fqinje, si Greqi e Itali. Kemi çuar CD që do transmetohen nëpër radio e televizione të ndryshme, por sigurisht që gjithçka bëhet sipas mundësive”, vijon Zamira Koleci, duke shtuar faktin se kënga shqiptare është edhe në faqen e internetit të “Eurovizionit”, detaj që organizatorët e festivalit të fundvitit e cilësojnë si pozitiv.

Vetë Olta Boka e konsideron fat ngjitjen për herë të parë në një nga skenat që ëndërrojnë shumë këngëtarë shqiptarë. “Për mua do të thotë shumë dhe unë kam vërtet një përgjegjësi të madhe. Fakti që jam e re në moshë, më motivon për të punuar fort gjatë këtyre ditëve, përpara nisjes për në Beograd. Mua më kanë premtuar organizatorët që do të mund ta promovojnë këngën në disa shtete fqinje, duke shkuar vetë ajo e jo vetëm përmes CD-ve, por ende nuk po bëhet gjë. Unë do të bëj të pamundurën dhe për mua kjo është më e rëndësishme”, shton Olta. “Zemrën lamë peng” do të këndohet në gjuhën shqipe, si një zgjedhje kjo nga ana e organizatorëve të festivalit. “Në versionin anglisht duhej të ndryshonte titulli, teksti dhe i gjithë mesazhi i këngës dilte i transformuar, kështu që u pa si më e arsyeshme që të prezantoheshim në gjuhën tonë. Nuk besoj se kjo bëhet për ngjyrime politike, pasi arti nuk mund të ngatërrohet kurrsesi me politikën”, pohon këngëtarja e “Zemrën lamë peng”. Sa i takon performancës artistike, në skenën e Beogradit nuk do të ngjitet vetëm ajo, por edhe dy kitaristë dhe një baterist, si për t’i dhënë një tjetër faqe prezantimit të këngës në mes të asaj skene prestigjioze. Përfaqësuesja shqiptare do të këndojë natën e dytë të gjysmëfinales dhe do të jetë e gjashta në renditje. Në 12 maj ajo do të jetë në kryeqytetin e Serbisë, për të treguar vlera dhe jo faktin se mund të jetë peng i mangësive organizative...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›