E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lanë pas dore

TIRANË - Ka shumë të ngjarë që, nëse në vendin tonë të kishte qoftë edhe një shkollë riedukimi, Bernard Sokoli dhe Doris Mikli nuk do të ishin mes rreshtave të kësaj kronike për mbytjen e tyre dy net më parë, por do të ishin shëndoshë e mirë. E rëndë të shkruash pas vdekjes së dy të miturve, se ata ishin hajdutë të veckël hekuri, pasi mbi të gjitha ishin fëmijë, mbase shumë më të lëvizur se moshatarët e tyre, por përderisa policia ua njihte edhe shenjat në kokë dhe nuk i arrestonte dot ngaqë ishin të mitur, me siguri që më mirë, më të sigurt do të kishin qenë në një shkollë riedukimi që nuk ekziston prej gati dy dekadash tashmë.   

Tragjedia e dyfishtë
Dje, vetëm një ditë pas fatkeqësisë së mbytjes në det të Bernard Sokolit dhe Doris Miklit, 11 e 12 vjeç, dhembja më e madhe për humbjen e tyre përveç familjeve të dy djemve, ndjehet në shkollën 9-vjeçare të Bathores “Halit Çoka”. Në katin e parë të shkollës gjenden dy klasat ku mësonin shokët. Në vendet ku uleshin, tashmë të zbrazët, janë vendosur lule të freskëta funerali. Moshatarët, shokë e shoqe të klasës me sytë me lot tregojnë se miqtë e tyre tashmë të pajetë ishin shumë të dashur. Në klasën e Bernardit, shokët e tij të gjithë njëzëri pohojnë se ai mungonte shumë rrallë dhe se ishte shumë i dashur me të gjithë. “E donim shumë. Ishte shumë i dashur me ne”, - pohon duke qarë një ndër shokët e tij më të mirë, Ergysi. Fjalët e tij mbështeten nga të gjithë të tjerët, nga Xhesika, shoqja e bankës, nga Syriu e shumë të tjerë. Më pas, më të qetësuar tregojnë që do të jenë të pranishëm edhe në varrimin e ditës së sotme. Kanë bërë gati shumë kurora me lule, për t’i vendosur në varreza. Janë fjalëpakë e me shumë trishtim e heshtje. E njëjta skenë e dhimbshme është dhe në klasën e Dorisit. Alberti, shoku i bankës, duket se është i vetmi që nuk beson akoma lajmin se Dorisi, me të cilin kalonte pjesën më të madhe të kohës, nuk jeton më. Ndërsa familjarët e dy të mbyturve, shtëpitë e të cilëve janë vetëm disa hapa larg njëra-tjetrës, vajtojnë me kujë dhembjen. Familja Sokoli, e ardhur nga Puka disa vjet më parë, ka dhe një tjetër fëmijë. Familja Mikli, me origjinë nga Dibra, ka dhe tre fëmijë të tjerë.

Më shumë se çamarrokë
Të vetmit persona që arrijnë të flasin janë djemtë e lagjes, që përveç trishtimit, thonë se bashkëmoshatarët e tyre ishin problematikë. “Rrinin gjithë kohën duke luajtur bilardo e lojëra me kompjuter. Lekët i siguronin nga shitja e hekurit që vidhnin”, - saktësojnë ata. Variantin se dy të vegjlit, tashmë fatkeqësisht të pajetë, ishin problematikë, mbështetet edhe nga burime pranë policisë. Burimet bëjnë të ditur për “Korrierin”, se Doris Mikli e Bernard Sokoli siguruan lekët për të udhëtuar drejt Durrësit me paratë që kishin fituar nga vjedhja e një sasie hekuri. E ndërsa trupat e tyre të njomë ende nuk janë varrosur, burime të besueshme dhe zyrtare tregojnë “çapkënllëqet” e herëpashershme të tyre. “Janë shoqëruar disa herë për në komisariat, pasi vidhnin. Por nga mosha e tyre e vogël nuk mund të mbaheshin më tepër se disa orë në qeli. Pastaj liheshin prapë të lirë”, - rrëfejnë burimet. Duke vijuar ata tregojnë: “Pasi kishim marrë njoftimin nga familjarët për faktin që ata të dy nuk ishin kthyer në shtëpi, disa orë më vonë kemi marrë një njoftim nga kolegët tanë në Durrës për mbytjen e dy fëmijëve. Dyshuam që do të ishin Bernardi dhe Dorisi. Dorisi kishte një shenjë në pjesën e kokës. Pa e parë ende trupin familjarët, gati u konfirmuan dyshimet tona rreth tragjedisë”, - përfundojnë burimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›