Pinari mund të pendohet

TIRANË - Një bashkëpunim i mundshëm mes ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico” dhe prokurorisë, i përfolur nën zë ditët e fundit, duket se po nis të bëhet realitet. Sinjalet pozitive vijnë nga Ylli Pinari, të cilit një gjë e tillë mësohet se i është sugjeruar si nga personat e afërt, por edhe nga vetë organi i akuzës, i cili i garanton se një bashkëpunim i mundshëm me drejtësinë mund të lehtësojë ndjeshëm pozitën e tij, duke pasur parasysh dhe moshën që ka. Një hap i tillë, drejt të bërit bashkëpunëtor i drejtësisë nga ana e ish-kreut të ndërmarrjes “Meico”, më shumë se kurrë u diskutua ditën e djeshme, ku sipas burimeve konfidenciale, u mësua se Ylli Pinari ka vendosur të flasë. Zyrtarisht, një fakt i tillë nuk u pranua nga organi i akuzës, ndërsa pala mbrojtëse as e mohoi dhe as e pohoi. Të kontaktuar nga “Korrieri”, prokurorët e grupit hetimor thanë se “nuk kemi informacione për këtë çështje”, që në fund të fundit nuk i përket medias. Ndërsa avokati i ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico” tha se “një ide e tillë është përfolur, sidomos kohët e fundit, por unë nuk mund ta konfirmoj 100 për qind këtë gjë, pasi nuk jam në dijeni të zhvillimeve të sotme”. Mësohet se kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e parë që grupi hetimor i përbërë nga 6 prokurorë dhe 10 oficerë të Policisë Gjyqësore zhvilloi dje. Nën drejtimin e prokurorit Zamir Shtylla, drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale, në mbledhjen me karakter prezantues zhvilluar në organin qendror të akuzës, pjesëtarët e tjerë të grupit hetimor u njohën me detyrat që do të kenë përgjatë hetimit të dosjes “Gërdeci”. Sipas burimeve, mësohet se grupi hetimor ditën e djeshme një pjesë të mirë të kohës ia kushtoi njohjes së materialeve, në bazë të të cilëve janë ngritur dyshimet se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura kanë shpërdoruar detyrën. Këto dyshime së bashku me hetimin në pistën për elemente të mundshme të krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit, mësohet se ishin kryefjala e mbledhjes së djeshme të grupit të prokurorëve dhe hetuesve. Një fakt i tillë mbështetet dhe nga oficerët e Policisë së Shtetit, që janë pjesë e grupit hetimor, të cilët janë parë të hyjnë në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen e djeshme. Policia do të japë kontributin e saj në hetimin e dosjes “Gërdeci” me drejtorin e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme, Arian Muça dhe shefin e sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Ardian Çipa. Gjithashtu, pjesë e grupit hetimor janë dhe oficeri i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Perlat Vatoci, Bledar Çeliku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, të cilët janë paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime nga ky institucion thanë se grupi i hetimit qysh ditën e djeshme ka nisur nga puna për hetimin e plotë të ngjarjes. Konfirmohet fakti se pjesë e hetimit janë të gjitha pistat e bëra publike një ditë pas ngjarjes nga kryeprokurorja Ina Rama, ku nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë akti të qëllimshëm. Ndërsa burime nga Prokuroria për Krime të Rënda thanë se ky organ hetimor do të japë kontributin e tij, kryesisht në hetimin e pistës së trafikut të armëve dhe municioneve.