Zbardhet vendndodhja e tokave të refuzuara, të cilat do të vihen në dispozicion të nismës së qeverisë “Shqipëria 1 euro”. Janë plot 110 mijë ha tokë të shtrira në të gjithë vendin, të cilat do të jepen për 1 euro. Harta e tokës së refuzuar është përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, e cila ka llogaritur dhe 27 mijë ha të tjera tokë bujqësore, që do të vihet në dispozicion për ish-pronarët. Por ndryshe nga harta që ka paraqitur qeveria, e cila paraqet tokat e refuzuara, ish-pronarët pohojnë të kundërtën. Sekretari i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Agim Toro, i kontaktuar nga gazeta “Korrieri”, ka pohuar se këto nuk janë ofruar asnjëherë nga qeveria për kompensim. Në këtë mënyrë, ish-pronarët pohojnë se dhënia me 1 euro e këtyre tokave do të ndikojë në moskrijimin e fondit fizik për kompensimin e tyre. “Të gjitha këto toka që sot paraqiten nga qeveria si të refuzuara, nuk janë vënë asnjëherë në dispozicion për ish-pronarët. Pra, kjo do të sjellë që fondi për kompensimin fizik të pakësohet dhe ish-pronarët të mos përfitojnë atë që u takon”, është shprehur Toro, duke shtuar se këto do të pranoheshin nga ish-pronarët, në rast se ofroheshin nga qeveria. Por, sakaq, nga qeveria harta ka përfunduar dhe mund të themi që kjo është lista e parë e plotë që përgatitet në dispozicion të “Shqipëria 1 euro”. Në këtë hartë janë paraqitur të dhëna në bazë qarqesh, komunash e bashkish në të gjithë vendin, si Tiranë, Durrës, Pogradec, Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës etj. Gjithashtu, informacioni i publikuar përcakton të gjitha të dhënat e nevojshme, si vendndodhja e këtyre tokave, afërsia e largësia nga qendrat e komunave e të qyteteve, kategoria e tokave, sipërfaqet e tyre, lloji i tyre, fushë, kodër apo mal etj. Sipas të dhënave nga kjo hartë, rezulton se në të gjithë vendin tonë janë 110 mijë hektarë tokë e refuzuar dhe e pandarë, prej të cilave 495.5 hektarë janë sipërfaqe fushore, 9665.19 tokë kodrinore e 16816.3 hektarë sipërfaqe malore. Por nga ana tjetër, lista e përgatitur mbi tokat refuzuara që do të jepen me një euro, do të krijojë pakënaqësi edhe tek Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Tashmë kjo agjenci është duke përgatitur fondin për kthimin fizik të pronave. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, që nga viti 1992 rezulton të jetë shpërndarë 99 për qind e tokës së përdorshme, sipas 7501-it. Në fakt, janë ndarë 560 mijë hektarë, nga rreth 700 mijë hektarë që është totali i tokës në dispozicion, çka do të thotë se pjesa prej 140 mijë hektarësh që mbeten është tokë pa vlera, e papërdorshme”, thotë Toro. Por, ai shton se nga ana tjetër, në vitin 2005, për kompensimin e ish-pronarëve u vunë në dispozicion, të paktën në letra, pikërisht 140 mijë hektarë tokë, ndonëse Ministria e Bujqësisë thoshte se 99 për qind e tokës së përdorshme ishte ndarë.
Tokat e refuzuara:
Tirana 825 ha
Kavajë 287 ha
Durrës 114 ha
Qarku i Beratit 665.7 ha
Rrethi Skrapar 68.6 ha
Rrethi Kuçovë 1003 ha
Krujë 156.5 ha
Dibër 1470 ha
Bulqizë 364 ha
Mat 605.1 ha
Korçë 9848.8 ha
Rrethi i Devolli 2960 ha
Pogradec 819 ha
Kolonjë 128.8 ha
Vlorë 869.1 ha
Kurbin 10 ha
Mirditë 78 ha
Gjirokastër 1335 ha
Tepelenë 377 ha
Përmet 441.5 ha
Shkodër 74.9 ha
Pukë 205 ha
Malësi e Madhe 17 ha
Kukës 347.8 ha
Fier 120.7 ha
Lushnjë 484.5 ha
Mallakastër 1292.2 ha
Elbasan 719 ha
Librazhd 87 ha
Gramsh 728 ha