E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Greqia jep bursa

TIRANË - Qeveria greke ofron 25 bursa universitare dhe pasuniversitare për shtetasit e huaj të vendeve të Ballkanit, Evropës Lindore, Azisë dhe Afrikës, për vitin akademik 2008-2009. Kjo u bë e ditur dje nga zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ermelinda Muho, e cila njoftoi se Ministria e Arsimit Kombëtar dhe e Fesë së Republikës së Greqisë ka shpallur programin e saj të bursave për shtetasit e huaj. Nga këto 25 bursa, 10 bursa jepen për studime të gjuhës greke për një vit akademik, 10 bursa jepen për studime pasuniversitare deri në tre vite akademikë (2008-2011) dhe 5 bursa jepen për studime pasuniversitare për doktoraturë deri në tre vite (2008-2011). Të gjithë aplikantët që kërkojnë të bëjnë studime të gjuhës greke, studime pasuniversitare apo doktoraturën në vendin helen, duhet të dërgojnë në ambasadën greke në Tiranë, në konsullatën greke në Korçë dhe në konsullatën greke në Gjirokastër dokumentet përkatës. Aplikantët duhet të dërgojnë pranë këtyre institucioneve formularin e aplikimit, i cili mund të tërhiqet pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës; fotokopjen e letërnjoftimit ose pasaportës, diplomën e mbarimit të studimeve të larta, dëshminë për mbrojtjen e gjuhës së huaj që kandidati pretendon se di, dy letra rekomandimi, CV-në e tij, raportin mjekësor për aftësi studimesh, kursin e studimeve që dëshiron të ndjekë, certifikatën e lindjes me fotografi, dëshminë e pranimit nga një universitet në Greqi ose nga institucioni kërkimor-arsimor dhe 4 fotografi të formatit 4 x 6. Aplikantët duhet të bëjnë dorëzimin e këtyre dokumenteve brenda një afati të përcaktuar, i cili është deri në datën 15 maj të këtij viti. Dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përkthyera në greqisht, në anglisht ose në frëngjisht dhe të noterizuara. Kandidatët të cilët janë të interesuar të përfitojnë këto bursa, duhet të jenë nën moshën 35 vjeç dhe të mos kenë përfituar bursë më përpara nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe e Fesë së Greqisë. 

Bursat e Ministrisë së Arsimit greke vijnë vetëm një ditë pasi u bë publike se ka shanse studimi me bursë edhe në Rusi.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›