E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, pjesëmarrje në operacionet humanitare, gjatë tranzicionit të Libisë

25-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha konfirmon gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të marrë pjesë në të gjitha operacionet humanitare, që do pasojnë periudhën e tranzicionit, pas rrëzimit të diktatorit Gadafi

“Qeveria shqiptare mbështet plotësisht deklaratën e Presidentit Barack Obama se diktatori tjetër që lau me gjak popullin sirian, që tregoi se është i biri i të atit, Asadi junior, duhet të largohet”. Kryeministri Berisha përshëndeti edhe një herë në emër që qeverisë shqiptare, forcat opozitare, të cilat i dhanë fund regjimit diktatorial 42 vjeçar në Libi. Rënia e Tripolit, tha Kryeministri duke folur nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, përbën një fitore historike për qytetarët e Libisë, njëkohësisht, një fitore për të gjithë kombet liridashëse, mike të kombit libian. “Në emër të qeverisë, dua të përshëndes edhe një herë forcat opozitare të Libisë, të cilat i dhanë fund me sakrificën e tyre, regjimit diktatorial 42 vjeçar të kolonelit diktator Muhamer Gedafi. Dje, libianët përjetuan, ndonëse në momente dhimbjeje e sakrifice të pakrahasueshme, 20 shkurtin e vitit ’91. Me guximin, trimërinë, burrërinë, sakrificën e tyre, por edhe mbështetjen eficente të fuqisë ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut në mbrojtje të jetës e të drejtave të civilëve libianë, forcat e opozitës çliruan edhe strofullën e fundit të pushtuar nga diktatori, në kryeqytetin e tyre, atë që ishte bërë tmerri e ferri i qytetarëve libianë për 42 vite me radhë, njëlloj si tmerri e ferri shumë herë më i madh për shqiptarët, blloku”- tha Berisha.
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeveria shqiptare të marrë pjesë në të gjithë operacionet e tjera humanitare dhe paqësore, në Libi. Në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Ministria e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë,  tha Kryeministri, duhet të ndërmarrin të gjithë hapat për të përgatitur ekipe shëndetësore, qoftë spital fushor, me të gjitha pajisjet e nevojshme, për të mbështetur këtë vend, i cili përjetoi një muaj të tërë lufte e masakrash, por që triumfoi. “Qeveria shqiptare ka mbështetur që në fillim koalicionin që u krijua e më pas vendimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut për të përdorur fuqinë e saj ajrore në mbrojtje të civilëve, të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat mercenare të kolonelit mizor. Qeveria shqiptare nuk ka pasur potencialet e mjaftueshme të merrte pjesë vetë direkt në operacionet ajrore, detare, por ne i ofruam të gjitha lehtësitë aeroportuale Aleancës dhe vendeve të veçanta, në rast se ato do të nevojiteshin për operacionet, në zbatim të rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të kërkesës së Lidhjes Arabe. Qeveria shqiptare ka njohur që në fillim Këshillin Kombëtar të Tranzicionit dhe unë dua të përshëndes gjithashtu, përfaqësinë libiane në Shqipëri, e cila prej kohësh ka ndërprerë çdo lidhje me regjimin gjakatar të Gedafit dhe është vënë në dispozicion të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit. Qeveria shqiptare mbetet e gatshme të marrë pjesë në të gjithë operacionet e tjera humanitare dhe paqësore, në ndihmë të këtij kombi e vendi. Ndaj, gjithnjë në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Ministria e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë duhet të ndërmarrin të gjithë hapat për të përgatitur ekipe shëndetësore, qoftë edhe spital fushor, me të gjitha pajisjet e nevojshme, për të mbështetur këtë vend, i cili përjetoi një muaj të tërë lufte e masakrash, por që triumfoi”- tha Berisha. Sipas tij, rënia e Tripolit përbën një fitore historike për qytetarët e Libisë. “Rënia e bllokut ishte ekzekutimi politik i kolonelit famëkeq. Kjo është një fitore e madhe e lirisë, me gjithë çmimin që ishte ndofta i pashmangshëm për t’u paguar, por kjo është njëkohësisht, një fitore për të gjithë kombet liridashëse, miqtë e kombit libian. NATO konsolidoi e zhvilloi më tej dimensionin e saj të mbrojtjes së lirive e të drejtave të njeriut. Pa fuqinë ajrore të NATO-s, koloneli gjakësor do mund të kishte zhdukur edhe një milion qytetarë të tij, për fajin e vetëm se kërkonin liritë. Përveç Aleancës së Atlantikut të Veriut, Lidhja Arabe ka një meritë të veçantë, e cila u bë një organizatë që qëndroi në krye të kërkesës për të mbrojtur civilët libianë dhe një seri vendesh arabe morën pjesë direkt, u bashkëngjitën me koalicionin, në mbrojtje të jetës së qytetarëve libianë, të cilët u bënë pre e breshërive të armëve të të gjithë kalibrave. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht deklaratën e Presidentit Barack Obama se diktatori tjetër që lau me gjak popullin sirian, që tregoi se është i biri i të atit, Asadi junior, duhet të largohet. Ky proces i përmbysjes së klikave diktatoriale është një zhvillim historik jo vetëm për kombin e madh arab, por edhe një zhvillim historik e frymëzues për mbarë popujt e shtypur” - përfundoi kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›