Shqipëria po vrapon, lojë statistikash
Për kreun e qeverisë shqiptare, Kryeministrin Sali Berisha, rritja e eksporteve gjatë muajit janar me 44 për qind në krahasim me një vit më parë, tregon një rigjallërim të përgjithshëm ekonomik dhe faktin që “Shqipëria po vrapon”. Por të dhënat e detajuara flasin për një situatë shumë të ndryshme, që tregon se rritja e eksporteve ka ardhur nga vetëm dy produkte, ndërkohë që pjesa tjetër e ekonomisë vijon të jetë në të njëjtën gjendje ose më keq se një vit më parë.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se Shqipëria eksportoi 9.5 miliardë lekë mallra në janar 2010, me rritje 2.9 miliardë në krahasim me janarin 2009. Por kjo rritje u shkaktua në masën 60 për qind nga grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. “Eksportet e këtij grupi mallrash në janar 2009 qenë vetëm 419 milionë lekë, ndërsa në janar të këtij viti qenë 2.3 miliardë lekë me një rritje prej afërsisht pesë herë. Eksporti i naftës qe veçanërisht më i lartë se një vit më parë për shkak se në fillim të vitit 2009, një fuçi naftë në tregun ndërkombëtar kushtonte vetëm 35 dollarë, ndërsa në janar të këtij viti, çmimi qe rreth 70-80 dollarë. Eksportet e energjisë elektrike qenë gjithashtu shumë më të larta këtë vit për shkak të prurjeve të shumta në Drin, gjë që shkaktoi edhe përmbytjet. Përfitimi nga këto dy lloje mallrash për ekonominë shqiptare është i përkohshëm dhe nuk paraqet ecurinë e përgjithshme të eksporteve. Për më tepër, si nafta, ashtu edhe energjia elektrike, nuk kanë ndikim te numri i të punësuarve në Shqipëri.
Pjesa tjetër e eksporteve u rritën me më pak se 1 për qind kur llogariten në lekë dhe patën rënie nëse merret parasysh efekti statistikor i kursit të këmbimit. Sipas të dhënave të INSTAT, eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhanit u rrit me vetëm 136 milionë lekë ose 1 për qind, ndërsa eksporti i tekstileve dhe këpucëve, të cilat janë edhe eksportet më të rëndësishme të vendit, u rritën me vetëm 231 milionë lekë ose 1.76 për qind. Në janar 2009, eksportet e tekstileve dhe këpucëve qenë në nivelin më të ulët në shumë vite. Këto eksporte punësojnë rreth 60-100 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve. Vijimi i një situate të tillë edhe këtë vit, tregon se kërkesa për këto lloj mallrash në tregjet tradicionale si Italia dhe Greqia, vijon të mbetet shumë e dobët. Në rastin e Greqisë, situata po përkeqësohet edhe më tej.
#