E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promenade, i bashkohet Venecias

Aktiviteti Galeria e Vlorës bëhet pjesë e konkursit ndërkombëtar “Arte Laguna”

Këtë fundjavë do të çelet në Arsenale të Venecias ekspozita e cila u kushtohet 195 finalistëve të edicionit të katërt të çmimit “Internazionale Arte Laguna”, që këtë vit u konfirmua si një pikë referimi për artin bashkëkohor në të gjithë botën.

Fituesit e këtij konkursi do të shpallen në datën 6 mars, kur do të zhvillohet edhe mbrëmja gala për hapjen e konkursit. çmimet do të jepen në tri kategori në atë të pikturës, skulpturës e fotografisë. Ndërkaq, do të zyrtarizohen edhe fituesit e çmimeve speciale, të cilat janë të lidhur me 21 hapësira ekspozuese ndërkombëtare, bashkëpunëtore të konkursit. Në këtë kuadër, një prej 21 qendrave ekspozuese të këtij konkursi ndërkombëtar është shpallur pikërisht Galeria Promenade e Vlorës, e cila i bashkohet Londrës, Milanos, Vjenës, Budapestit, Romës etj. Në galerinë “Promenade” të Vlorës pritet të ekspozojë një artist nga Danimarka, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, pasi pritet të jetë një surprizë për publikun shqiptar. Argumentet dhe stilet që ofrohen në këtë ekspozitë mes tendencave dhe aktualitetit global janë të ndryshme dhe të shumëllojshme. Ato ofrojnë një panoramë unike që vjen prej 90 vendeve në konkurrim, mes të cilave edhe vende tej rrethit tradicional artistik si: Bregu i Fildishtë, Kazakistani, Gana, Katari, Siria, Nepal, Bangladeshi etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›