Patozi: Koalicioni me LSI-në solid, ja çfarë e lidh Topin me PD-në
Intervistoi: Nevila Perndoj
TIRANË Në një kohë kur në Partinë Socialiste po përforcohet ideja për domosdoshmërinë e një koalicioni me LSI-në, me qëllim fitoren e zgjedhjeve në vitin 2013, Partia Demokratike në anën tjetër duket se nuk po druhet aspak. Nënkryetari i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaron në një intervistë për gazetën “Mapo” se nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim aleancën parazgjedhore me këtë forcë politike. Edhe pse herët për të folur me emra konkretë, Patozi shprehet se portat janë të hapura për këdo forcë politike tjetër, që pranon filozofinë aktuale të qeverisjes. Patozi e ka një përgjigje edhe për Bamir Topin, i cili ka paralajmëruar krijimin e një force të re politike e po aq edhe për mesazhin e dërguar prej mbështetësit të tij Gazmend Oketa, se Topi duhet ftuar në PD sa kohë që në bazë të statutit, ai është apriori anëtar i Këshillit Kombëtar: “Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund t’u ketë mbetur borxh në këto 20 vjet. E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë. Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në. Madje, për fat të keq, tek disa personazhe, barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik”.
Zoti Patozi, pak ditë më parë PS e PD gjetën gjuhën e përbashkët për tri çështje kryesore, që lidhen me reformën parlamentare, atë zgjedhore dhe ligjet me shumicë të cilësuar. Në plan të parë duket se është një pakt krejt parimor, por thellë-thellë lind pyetja se, a fshihet diçka tjetër pas këtij pakti, kur shumë mirë mund të ishte arritur para dy vitesh, ose edhe para gjashtë muajsh, sa kohë që konteksti politik nuk ka ndryshuar?
Nëse duhet patjetër të gjendet diçka joparimore tek kjo dakordësi, duhet pyetur ndoshta pala tjetër. Sepse ajo ka ndryshuar kryekëput sjelljen e saj politike, duke pranuar më në fund që të lërë pas një stinë të gjatë bllokuese, në funksion të një axhende tjetër, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me reformat e integrimit. Hipotezat mund të jenë të shumta dhe arsyet gjithashtu, por unë mendoj se nuk ia vlen të shpenzojmë kohë duke kërkuar shkaqet e së shkuarës, sa kohë që neve na intereson më shumë e ardhmja. Por, pse tani e jo më parë? Sepse me sa duket, Edi Rama duhet ta vinte dorën mbi suprinën e sobës për t’u bindur që ajo do t’i digjej. Me sa duket, erdhëm në këtë pikë pasi dështuan të gjitha eksperimentet e tjera, kur pushteti kërkohej me mjete ekstrapolitike dhe parapolitike. Por, pavarësisht se konsensusi i dha frytet e para me miratimin e dy ligjeve me tre të pestat të enjten në parlament, është evidente të vërehet se lëvizja e opozitës ka qenë shumë e sforcuar, gati-gati me gjysmë zemre, ose ndoshta fare pa zemër.
Sepse është jashtë çdo logjike që për një çështje kaq të madhe siç është integrimi, po përdoret si argument presioni zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit, duke paralajmëruar një rikthim në pikën e nisjes. Me gjithë respektin që kam për çdo qytet të Shqipërisë, ne nuk mund t’i imponojmë njëri-tjetrit që rruga e Shqipërisë për në Bruksel duhet të kalojë patjetër nga Fieri. Gjykoj se kjo na bën qesharakë me partnerët ndërkombëtarë.
Pak a shumë jemi në të njëjtat pozita si në vitin 2008, ku dy partitë kryesore arritën paktin e shumëkërkuar, por që nuk zgjati aq sa për të përmbyllur një palë zgjedhjesh pa kontestime në 2009-ën. A duhet të shpresojmë kësaj here se gjërat do të jenë ndryshe, pra, a ka gjasa që ky kompromis fillestar të vijojë edhe për votime të rëndësishme të nesërmen, siç është zgjedhja e kryetarit të KLSH-së, apo edhe ajo e Presidentit, edhe pse më e largët në kohë?
Asnjë marrëveshje nuk mund të japë garanci të plota se do të ketë normalitet, sa kohë që njëra palë ka probleme me pranimin e rezultatit. Sepse paktet e mëdha në vetvete atë nënkuptojnë, që kampet të respektojnë dhe pranojnë njëri-tjetrin, cilido qoftë verdikti i sovranit, pas zgjedhjeve. Në Shqipëri ndodhën këto paudhësi, pikërisht se Edi Rama e kishte nënshkruar marrëveshjen, duke e menduar se ai dhe vetëm ai do të ishte kryeministri i vendit. Shpresoj shumë që pësimi t’i jetë bërë mësim dhe nuk dua ta mendoj një riciklim të kësaj sëmundjeje tek Partia Socialiste. Por kjo, gjithsesi do të jetë një problem që do të marrë përgjigje pas zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërsa çështjet e tjera që ju përmendni, nuk kanë lidhje me atë që është rënë dakord. Sigurisht do të inkurajonim që opozita të jepte konsensusin e vet për kandidatura që kanë marrë paraprakisht pëlqimin e mazhorancës. Por unë personalisht nuk besoj shumë tek kjo ëndërr. Sepse të gjitha provat dhe shenjat janë që PS-ja nuk ka asgjë parimore në qëndrimet e saj, sa herë që diskutohet për institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese, pavarësisht retorikës kumbuese të kryetarit të saj. Janë thjesht llogari dhe votime taktike, të cilat kondicionohen nga interesa të pastra politike. Edi Rama e ka shndërruar shumë shpejt në një letër pa vlerë të ashtuquajturin pakt prej 10 pikash, të cilin e shpalli me bujë si një kornizë parimesh të mëdha për shtetin, që sipas tij do të bashkonte mazhorancën dhe opozitën në një kurs reformash të mëdha.
Edi Rama dërgoi një nga figurat më të ekspozuara politike të Partisë Socialiste, ish-zv/kryeministren, ministre dhe deputete në 6 legjislatura, si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që shpalli tenderin në oborrin e partisë së vet për aktivistin më të mirë që do të shërbejë si Avokat Populli. Të dyja këto gjeste në kundërshtim të hapur me propozimet e tij, ku kërkohej që në institucione të pavarura, të zgjedhurit të mos kishin qenë as anëtarë të partive të mëdha. Grupi i PS-së abstenoi për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Sali Shehu, i dekretuar nga Presidenti për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ishte një vendim taktik i marrë vetëm pas llogarisë së votave, që nuk mjaftonin për ta zgjedhur, dhe jo si një refuzim për një figurë politike. Ndaj edhe nuk duhet besuar tek “mrekullia” e bashkëpunimit parimor me Edi Ramën.
Prej kohësh, Bamir Topi, edhe pse jo qartazi, ka paralajmëruar krijimin e një partie të re politike. A keni bërë juve një analizë të brendshme në strukturat e PD-së se sa mund ta dëmtojë këtë forcë politike krijimi i një partie të re të djathtë dhe, a ka PD-ja një strategji konkrete për ndalimin e rrjedhjeve të votave drejt një force të re politike që kësaj here favorizohet jo pak nga konsumimi i mandatit të dytë qeverisës e për pasojë, pakënaqësive që kanë lindur prej saj?
Kjo është një çështje e Presidentit, për të cilën tashmw ai ka folur vetë. Se sa etike është që vetë kryetari i shtetit, i cili është betuar mbi Kushtetutë, që do të jetë mbi palët, të deklarojë një vit para përfundimit të mandatit se ka në projekt krijimin e një partie politike, këtë le ta gjykojnë shqiptarët. Me një deduksion të thjeshtë i bie që një mandat presidencial 5-vjeçar ka shkuar i gjithi në funksion të një ambicieje politike personale. Sa për analizat, ato zakonisht bëhen pasi ndodhin ngjarjet. Ne nuk mund të zhvillojmë analiza për ëndrrat dhe dëshirat e të tjerëve.
Në të gjithë historinë e saj, PD-ja nuk është kondicionuar asnjë herë nga lëvizjet e kundërshtarit, përkundrazi ka dominuar skenën politike edhe në kohën kur ka qenë në opozitë, duke e detyruar shpeshherë qeverinë e saj kohe që ta ndjekë në trajektoren e saj. E thënë ndryshe, një parti e përmasave të tilla nuk mund t’ia lejojë vetes që të përqendrohet tek detajet, duke lënë mënjanë thelbin. Sepse në qendër të filozofisë së saj qëndron zgjerimi dhe jo ruajtja fanatike e statuskuosë dhe e radhëve, një koncept ky i tejkaluar dhe arkaik. Energjitë tona politike nuk do të kishin asnjë vlerë, nëse ato nuk përdoren për të frymëzuar shumë më tepër se sa është anëtarësia e Partisë Demokratike, por thjesht për të mbajtur ngjitur pas vetes një grusht njerëzish, me “frikën” se ata mund të hidhen nga çasti në çast në prehrin e kundërshtarit.
Sigurisht që gjatë kësaj periudhe të gjatë ka pasur shumë figura politike, që në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme e kanë gjetur veten jashtë Partisë Demokratike. E di se të tillë mund të ketë edhe në momentin që po flasim. Por unë nuk gjykoj që ata po presin Bamir Topin për të shprehur mllefet dhe pakënaqësitë e tyre, sepse nuk u ka munguar dhe nuk u mungon “komandanti” për të qenë kundër Sali Berishës. Aty e kanë pasur, aty e kanë dhe aty do ta kenë të paktën edhe për dy vjet Edi Ramën.
Në një deklaratë të pak kohëve më parë, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, shprehej se PD-së i takon, madje është në nderin e kësaj partie, shprehej ai, që Bamir Topi të ftohet në PD pas mbarimit të mandatit të presidentit, meqenëse është sipas statutit anëtar i Këshillit Kombëtar. ǒmendim keni për këtë variant?
Nuk e kam zakon të komentoj deklaratat e të tjerëve, por thjesht po e marr si një pyetje tuajën. Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund t’u ketë mbetur borxh në këto 20 vjet. E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë. Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në. Madje, për fat të keq, tek disa personazhe barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik. Por, gjithsesi nuk ia vlen të merresh gjatë me këtë histori, aq më tepër, kur nuk ka ardhur koha për inventar, sepse jemi ende shpejt. Partia Demokratike i bën gjithkujt shumë më tepër nder, se sa secili mund ta nderonte atë duke qenë pjesë e saj. Kjo vlen për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Tani të kthehemi tek ftesa. Meqenëse statuti e paska këtë nen, dhe kjo është e vërtetë, atëherë ç’nevojë ka që të ftohet kush për të zënë një vend që i takon. Fakti që përmendet statuti, do të thotë se me sa duket, nuk ka mbetur ndonjë gjë tjetër që mund të lidhë Bamir Topin me partinë që e bëri President. Dhe kjo është shumë e rëndë. Ndërkohë, ai e ka bërë zgjedhjen e vet, sa herë që i është paraqitur rasti. Votimi i 8 majit ishte thjesht më flagranti.
Kryeministri Berisha ka folur për daljen në zgjedhje me një koalicion sa më të gjerë të mundshëm, që do të sillte për pasojë edhe maksimizim të votave. Drejt cilës forcë politike PD-ja mund të orientohet tjetër (kam parasysh këtu edhe PDK apo LZHK, si parti të djathta) dhe çfarë strategjie do të ndiqet edhe me LSI-në në një kohë kur vetë PS-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë e një aleance me të, sa kohë që do ta favorizonte për marrjen e pushtetit?
Është ende shpejt të flitet për emra të përveçëm, por prirja jonë mbetet e njëjtë: Koalicion sa më i gjerë. Është një formulë që na rezultoi shumë produktive në zgjedhjet e vitit 2009, së cilës nuk kemi pse të mos i qëndrojmë sërish. Dy vjet më vonë, në zgjedhjet lokale të 8 majit, Partia Socialiste u përpoq të na imitojë. Por e bëri këtë shumë keq, ndaj edhe nuk mund të kishte rezultat. Sepse u mundua që të krijonte idenë e një koalicioni të madh, ndërkohë që gjysma e aleatëve thjesht ishin emra fiktivë apo parti vetëm në letër. Ndaj edhe humbi me 141 mijë vota më pak në rang vendi.
Unë nuk mund të them sot se kush mund të jenë aleatët e rinj që mund t’i shtohen koalicionit tonë, i cili, edhe kështu siç është, niset me një ‘hipotekë’ të mirë suksesi. Por portat janë të hapura për këdo që pranon filozofinë tonë të qeverisjes dhe pranon të kontribuojë për këtë qëllim.
Ndërkohë, LSI-ja është parti e rëndësishme e koalicionit qeverisës, me të cilën kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, ndaj edhe nuk shoh asnjë arsye për të vënë në dyshim aleancën parazgjedhore. Fakti që në PS janë shtuar lutjet për të ndjellë LSI-në (e demonizuar deri sot më shumë se PD), e përforcon argumentin se edhe vetë Edi Rama nuk shikon asnjë shans për të fituar në zgjedhjet politike të vitit 2013.
Ndër militantët e PD-së, por edhe në rrethet e administratës flitet se qeverisja me LSI-në është jetike për shkak të numrave, por politikisht e ka dëmtuar PD-në për shkak të aferave të dala deri tani apo edhe pavarësisë që ka LSI-ja në pjesën e pushtetit dhe institucioneve që ajo drejton…A ju shqetëson edhe juve një fenomen i tillë?
Unë nuk mendoj se në Shqipëri kemi një qeverisje të parcelizuar për shkak të partive të koalicionit, ndonëse e pranoj se ka vend për një fuzion më të mirë mes hallkave të ekzekutivit, që drejtohen nga përfaqësues të ndryshëm të aleancës. Por duke pranuar që jo gjithçka është perfekte, na duhet po kaq të evidentojmë me krenari se kjo mazhorancë ka një bilanc të jashtëzakonshëm suksesesh të prekshme për qytetarët shqiptarë në këto dy vjet. Dhe kjo është meritë e të gjitha partive të koalicionit, secila sipas peshës që ka në qeverisjen e vendit.
Rama në një nga pauzat e Kongresit të PS-së tha se “çdo e keqe e ka një të mirë”. E kishte fjalën që s’ishte më kryetar i Bashkisë, por është 100% të kohës në PS. Shtoji kësaj dhe ngecjen për 2 vjet të disa reformave në vend për shkak të ngërçit politik, ngadalësimin e rritjes ekonomike për shkak të krizës së eurozonës e konsumimin natyral të 8 viteve në pushtet, mund të themi se për mazhorancën nuk rezulton ndonjë situatë rozë. Në më pak së 2 vjet para zgjedhjeve, nga maxhoranca pritet një lëvizje e re për të asnjanësuar edhe këta faktorë... shumë theksojnë nevojën për ndryshimin e qeverisë dhe futjen në të të emrave më me peshë në publik… Ju si mendoni?
Një lider politik votohet dhe pranohet si i tillë, në radhë të parë për ta çuar partinë e vet drejt fitores, por edhe për vizionin e tij të qartë dhe për parashikueshmërinë e ngjarjeve.
Edi Rama përpiqet të gjejë “të mirën” tek vetja edhe pasi ka humbur tri zgjedhje rresht. Zoti ia shtoftë frymëzimin! Por unë vetë e kam të vështirë që të kuptoj se përse është e domosdoshme që njeriu, si qenie inteligjente, ta kuptojë të mirën dhe të keqen e vet, vetëm pasi të provojë në kurriz dajakun. Por tek e fundit, ky nuk është hall kombëtar, por problem i Partisë Socialiste.
Sa për ndryshimin e qeverisë, ne e kemi bërë atë një herë për shkak të Edi Ramës. Që ai të punonte me kapacitet 100 për qind në krye të PS-së, dhe të shkruante i qetë libra, Lulzim Basha la mandatin e ministrit dhe të deputetit dhe u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës. Vetë kryetari i PS-së e ka pranuar pas humbjes se kandidimi i tij për Bashkinë e Tiranës nuk ishte ndonjë zgjedhje e mençur, por në politikë gabime të tilla janë të parikuperueshme. Edi Rama nuk e ka për herë të parë këtë, ndërkohë që diku tjetër do të mjaftonte vetëm një i tillë, që të të harrohej emri. Ndërkohë, qeveria nuk është ndonjë qamet që të ndryshojë, por kjo nuk mund të ndodhë për shkak se Edi Rama po punon “full time” si kryetar i Partisë Socialiste, por për arsye të tjera. Të cilat mund të vijnë ndoshta herët apo vonë...
Për qeverisjen me aleatët
Unë nuk mendoj se në Shqipëri kemi një qeverisje të parcelizuar për shkak të partive të koalicionit, ndonëse e pranoj se ka vend për një fuzion më të mirë mes hallkave të ekzekutivit, që drejtohen nga përfaqësues të ndryshëm të aleancës. Por duke pranuar që jo gjithçka është perfekte, na duhet po kaq të evidentojmë me krenari se kjo mazhorancë ka një bilanc të jashtëzakonshëm suksesesh të prekshme për qytetarët shqiptarë në këto dy vjet.
Për të pakënaqurit
Sigurisht që gjatë kësaj periudhe të gjatë ka pasur shumë figura politike, që në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme e kanë gjetur veten jashtë Partisë Demokratike. E di se të tillë mund të ketë edhe në momentin që po flasim. Por unë nuk gjykoj që ata po presin Bamir Topin për të shprehur mllefet dhe pakënaqësitë e tyre, sepse nuk u ka munguar dhe nuk u mungon “komandanti” për të qenë kundër Sali Berishës. Aty e kanë pasur, aty e kanë dhe aty do ta kenë të paktën edhe për dy vjet Edi Ramën.
Për partinë e Topit
Se sa etike është që vetë kryetari i shtetit, i cili është betuar mbi Kushtetutë, që do të jetë mbi palët, të deklarojë një vit para përfundimit të mandatit se ka në projekt krijimin e një partie politike, këtë le ta gjykojnë shqiptarët. Me një deduksion të thjeshtë i bie që një mandat presidencial 5-vjeçar ka shkuar i gjithi në funksion të një ambicieje politike personale. Sa për analizat, ato zakonisht bëhen pasi ndodhin ngjarjet. Ne nuk mund të zhvillojmë analiza për ëndrrat dhe dëshirat e të tjerëve.
Koalicioni me LSI-në
LSI-ja është parti e rëndësishme e koalicionit qeverisës, me të cilën kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, ndaj edhe nuk shoh asnjë arsye për të vënë në dyshim aleancën parazgjedhore. Fakti që në PS janë shtuar lutjet për të ndjellë LSI-në (e demonizuar deri sot më shumë se PD), e përforcon argumentin se edhe vetë Edi Rama nuk shikon asnjë shans për të fituar në zgjedhjet politike të vitit 2013.
Për paktin me PS-në
Me gjithë respektin që kam për cdo qytet të Shqipërisë, ne nuk mund t’i imponojmë njëri tjetrit që rruga e Shqpërisë për në Bruksel duhet të kalojë patjetër nga Fieri. Gjykoj se kjo na bën qesharakë me partnerët ndërkombëtarë.