E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, ‘pro’ hetimit të akuzave të pabaza të Dick Martit

06-10-2011 / Gazeta 55

Kreu i EULEX, Xavier Bout de Marnhac

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, Xavier Bout de Marnhac. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe misionin e rëndësishëm të EULEX-it në Kosovë, si dhe i shprehu De Marnhac-ut mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Nga ana e tij, Xavier Bout de Marnhac e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen që Kryeministri dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë Misionit të EULEX-it edhe të gjitha zhvillimeve në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë, shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik e të gjithanshëm në Kosovë.
Më tej, De Marnhac e njohu Kryeministrin Berisha me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti me situatën e krijuar në veri të saj, si dhe përpjekjet për mirëfunksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve doganore në zonën veriore të Republikës së Kosovës. Berisha i rikonfirmoi shefit të EULEX-it mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për përpjekjen e vendosur të qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it në konsolidimin e mëtejshëm të rendit kushtetues dhe shtetit ligjor në komunat në veri të Kosovës, si domosdoshmëri jashtëzakonisht e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ripohoi zotit De Marnhac se qeveria shqiptare, ashtu siç ka kërkuar gjithnjë, është plotësisht e vendosur për një hetim të plotë të të gjitha pretendimeve të pabaza të raportit të Dick Martit dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht me EULEX-in për një hetim të plotë, në mënyrë që e vërteta të dalë plotësisht në dritën e diellit.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe shefi i EULEX, Xavier Bout de Marnhac, nënshkruan dje një marrëveshje teknike mbi bashkëpunimin policor me EULEX, Misioni i Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit në Kosovë. Nishani dhe Marnhac vlerësuan nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe shprehën bindjen se marrëveshja e nënshkruar do të konkretizojë arritje të mëtejshme.
Marrëveshja parashikon bashkëpunimin policor në fushën e kontrollit kufitar, luftës kundër trafiqeve të paligjshme e trafikut të qenieve njerëzore dhe për shkëmbimin e informacionit.
Kreu i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, tha dje duke iu referuar zhvillimeve në Kosovë se shtrirja e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës, është objektivi i bashkëpunimit mes Qeverisë të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR. Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Mitrovicë, ku një shpërthim tronditi qytetin, De Marnhac tha se dhuna nuk është opsion i zgjedhjeve të problemeve por vetëm dialogu. Të njëjtin qëndrim shprehu dhe kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto, i cili falënderoi EULEX-in për punën e kryer deri tani në forcimin e institucioneve të Kosovës, respektimin e ligjit atje dhe në menaxhimin e situatës në veriun e Mitrovicës. Ministri Haxhinasto dënoi forcërisht sulmin terrorist të kryer në veri të Mitrovicës ndaj makinës së një prej përkthyesve të EULEX-it.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›