E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria rrethohet nga gripi i derrave

 

Zirina llambro

Panik në Greqi e alarm në vendin tonë. Tashmë gripin e derrave e kemi te pragu i derës. Vetëm gjatë ditës së djeshme në shtetin fqinj janë konfirmuar 6 raste të reja, të prekur nga virusi i rrezikshëm. Me ta shkon në 20 numri i të infektuarve. Rasti i fundit është një shtetase 20-vjeçare nga Peruja, e cila mbërriti nga Nju Jorku dhe tashmë kurohet në shtëpinë e saj me simptoma të lehta. Më herët ishin konfirmuar edhe pesë raste të reja, midis të cilave një foshnje vetëm 11-muajshe,e cila është edhe pacientja e parë që infektohet në Greqi nga kontakti me një të sëmurë me gripin A/H1N1. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë greke, pjesa më e madhe e të prekurve janë trajtuar me sukses. Tetë prej të sëmurëve madje janë shëruar plotësisht. “Gjashtë rastet e fundit të zbuluara janë të gjithë persona të kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka vend për panik, por qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë greke. Por ndërkaq alarmi për konfirmimin e sëmundjes edhe në Shqipëri është në majën e tij. Ndonëse te ne ende nuk është shënuar asnjë rast, organizata botërore e shëndetësisë ka paralajmëruar për rritjen e vigjilencës, pasi risku mbetet i madh. Madje pas qarkores së Ministrisë së Brendshme greke, për lëvizjen e lirë të emigrantëve nga 19 qershori deri më 30 shtator, mundësia e transportimit të virusit pikërisht nga Greqia nuk është për t’u anashkaluar. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi tri ditë më parë se nuk do të ketë kufizim të lëvizjes, por do të rriten kontrollet në pikat kufitare. Ndërkohë nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë është siguruar një sasi e konsiderueshme “Tamiflu”. Ministrja Godo dha dy ditë më parë garanci edhe për furnizimin me vaksinën e virusit A/H1N1, për të cilën kompania farmaceutike zviceriane “Novartis” ka përfunduar paketën e parë eksperimentale, por ajo mund të jetë gati vetëm në vjeshtë. Por me gjithë këtë deklaratë, edhe në shtator Shqipëria i ka të vakta shanset për të siguruar këtë vaksinë, pasi më parë furnizohen vendet që e prodhojnë atë dhe se kërkesat janë të shumta, nga vendet që janë prekur më herët nga ky virus.

Përhapja
Numri i vendeve të prekura nga virusi A (H1N1) ka arritur në 74. Janë rreth 30 mijë raste të prekura me këtë virus. Të dhënat vijnë nga raporti që Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri publik dy ditë më parë. Shtimi i të prekurve ka detyruar kështu OBSH-në të rrisë shkallën e pandemisë në nivelin 6, që është dhe shkalla më e lartë që përdoret në raste të tilla. Kalimi në fazën 6 reflekton faktin se sëmundja po merr një shtrirje të madhe gjeografike.

Shenjat
Të kollitura, teshtima, ftohje dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto janë disa nga simptomat kryesore të virusit të gripit të derrave. Por nuk është e thënë, që gjithkush që i ka këto simptoma të alarmohet. Mund të bëhet fjalë edhe për gripin e zakonshëm. Këshilla që vjen nga specialistët është një vizitë e menjëhershme të mjeku. Veç shenjave të mësipërme, skuqja e syve, dhimbjet e kockave, muskujve dhe ndjesia e dobësisë nuk duhen nënvleftësuar.

Vdekjet
Meksika, vendi ku dhe u shfaq rasti i parë me virusin A (H1N1), është dhe më i prekuri, me 108 vdekje. Ndërkohë, numri i të prekurve nga ky virus në Meksikë është në total 6241. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar deri tani 13,217 raste në total, nga të cilat 27 vdekje. Ndërkohë, vihet re përhapje në Australi me 1,307 raste të konfirmuara, por me asnjë vdekje deri tani. Në aeroporte dhe pikat e tjera kufitare është rritur ndjeshëm vigjilenca, për të zbuluar në kohë personat e infektuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›