E Shtunë, 31 Tetor 2026

Millosheviçi “masakrohet” në bregdetin e Durrësit

 

DURRES/ OERD ULQINI

Një tregtar ambulant nga Skrapari ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për të siguruar jetesën. Ai arrin të bëjë biznes me imazhin e urryer të Sllobodan Milosheviçit, diktatorit famëkeq të ish-Jugosllavisë. Imazhi i serbit është objektivi më i goditur nga arma sportive, në atë poligon ambulant të vendosur në sektorin “Hekurudha” të plazhit të Durrësit. Eqerem Ismaili, 64 vjeç, ish mësues bio-kimie. I veshur me një këmishë ngjyrë vishnje dhe me kapele xhins, ai ngjan si një pushkatar i vjetër. Por nuk është kështu. Gjithë jetën e tij ai ia ka kushtuar arsimit, duke shpjeguar biologji dhe kimi në shkollat e mesme të Skraparit dhe të Fushë-Krujës. Tashmë pensionist, ai ka vendosur të shtojë të ardhurat e tij mujore, duke hapur një aktivitet ambulant në plazh. Ka blerë një pushkë të vjetër sportive, në qytën e së cilës është skalitur prodhimi “Made in DDR”. Këtë relike të komunizmit ai e mirëmban me shumë kujdes. Armën e ka blerë kundrejt shumës 200 mijë lekë të vjetra nga një mik. Tashmë falë armës gjermano-lindore, ai fiton të paktën 10 mijë lekë të vjetra në ditë. Pensioni i arsimtarit nuk i mjafton për të mbajtur katër fëmijët, që i studiojnë në universitet, ndaj e rrumbullakos atë me punën në poligon. Arsimtari me pamjen e një ish-zboristi ka dalë prej 20 ditësh në sektorin “Hekurudha” të plazhit të Durrësit, ku nga “gjykimi” që i bëhet kasapit të Ballkanit Sllobodan Miloseviç, fiton një shumë të majme. Përmes kësaj mënyre mjaft origjinale, kjo pikë ambulante jo vetëm që e ka klientelën e siguruar, por edhe i jep dënimin simbolik personit, që urdhëroi e masakroi gjatë viteve ’90 në popullsitë e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Frekuentuesit më të shumtë të këtij poligoni janë turistët nga Kosova dhe Maqedonia. Ata shprehen se, ndonëse kjo është vetëm një lojë dhe qëllohet me plumba-gozhdë, përqendrimi për të goditur në shenjë ish-diktatorin është tejet i lartë. Rixha Halimi është një djalë i vogël nga Kosova. Ai ka dëgjuar për barbaritë serbe nga më të mëdhenjtë dhe këto ditë që ndodhet në plazhin e Durrësit nuk e humbet rastin për të gjykuar diktatorin. Tregtari ambulant shprehet se vetëm fotoja e printuar e Sllobos i jep atij 90% të fitimit ditor. “Më duhet ta ndërroj shpesh foton e diktatorit pasi, bëhet copash nga goditjet e vazhdueshme”, thotë Eqeremi. Në poligonin e tij janë rreshtuar bukur edhe disa cigare, objektiv ky i pushkës sportive, por janë shumë të rrallë ata që godasin cigaret. “Nuk ma merrte mendja kurrë se Slloboja si tabelë qitje do të më jepte kaq shumë para”, thotë Eqeremi. Aktiviteti i tij është hapur me një buxhet tejet modest. Një pushkë, një tavolinë dhe një tabelë e drunjtë kompletojnë tërësisht poligonin e tij.
“Ata që kanë bërë dikur zbor, apo kanë arritur lëndën e ushtarakes në shkolla janë mjeshtër të qitjes. Godasin gjithnjë në shenjë. Krejt e kundërta ndodh me brezat, që lindën në demokraci. Ata nuk janë shënues të mirë dhe gjithnjë kanë nevojë për leksione”, thotë ish-mësuesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›