E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, rritje të investimeve direkte të huaja – synimi, të kapim dy miliardë USD investime”

11-07-2012 / Nga Sali Berisha *

“Në këtë mbledhje të Bordit të AIDA-s do të diskutojmë fushat prioritare të promovimit nga kjo Agjenci, për të miratuar emërimin e dy drejtorëve në këtë Agjenci dhe në mënyrë përfundimtare për të vendosur për Gosën, pasi diskutimet kanë sjellë si variant përfundimtar aplikimin e praktikës së koncesionit në këtë resort turistik, që shkon rreth 1.6 miliardë euro. Por fillimisht, desha të ndalem në dy raporte, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe investimet e huaja.
Raporti i fundit i UNCTAD njofton se investimet e huaja në Shqipëri, vitin e kaluar kanë qenë 1 miliardë e 30 milionë dollarë.
Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me performancë shumë të mirë për sa i përket treguesit të tërheqjes. Pikërisht, në këtë kapacitet, pra, tërheqjen, ajo qëndron më lart, sesa në raporte të tjera dhe kjo i detyrohet praktikave liberale në ekonomi, regjimit të saj fiskal, sistemit të taksave të ulëta. Shqipëria renditet mirë edhe përs a i përket treguesit të potencialit, ku është krahas disa vendeve që janë me ngjitje. Veçanërisht dihet që vendi është i pasur në burime natyrore. Në raport thuhet se vendet me indeks potencialiteti të lartë janë vende të vogla, ku efekti i investimeve direkte të huaja është i madh. Këto vende ofrojnë avantazhe si sistem taksash të ulëta, pozicion gjeografik, të cilin Shqipëria e ka ndër më të shkëlqyerit, mundësi hyrjeje nga porte e rrugë të ndryshme, që janë tipike për Shqipërinë. Rezulton se në tërheqjen e investimeve të huaja dy janë faktorët më kryesorë: rregullat liberale dhe sistemi fiskal, pozicioni gjeografik dhe burimet natyrore.
Po në këtë raport theksohet se në Europën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, investimet e huaja direkte dominuan kryesisht në fushën e prodhimit çka përbën një zhvillim shumë pozitiv, në rast se kemi parasysh se është kjo fushë që punëson më shumë se fushat e tjera. Natyrisht, në kohën e sotme dhe në kushtet e një krize globale nuk ka diskutim se problemi më madhor për çdo shoqëri mbetet punësimi.
Qëllimi më i rëndësishëm i veprimtarisë ekonomike dhe investimeve është punësimi. Sipas këtij raporti, në Shqipëri, niveli i papunësisë jo vetëm nuk u rrit, por pati tendenca të lehta uljeje. Ndër faktorët që mbajtën nivelet e punësimit të kënaqshëm, me tendencë rritjeje të punësimit janë rritja e vazhdueshme e investimeve të huaja, përmirësimi i strukturës së këtyre investimeve dhe rritja e investimeve kryesisht në fushën e prodhimit. Pra, raporti konstaton se rritja e investimeve në Shqipëri është shoqëruar me rritje punësimi nga viti në vit dhe ulje të papunësisë. Kjo nuk është më një shifër vetëm e institucioneve të vendit, por edhe e institucioneve më serioze ndërkombëtare, sepse ka ksenofobi, por ka edhe hiperkseni. Kjo e fundit është nënshtrimi, idhullizimi, fetishizimi i gjithçkaje jo kombëtare. Ndaj edhe detyrohem t’i theksoj këto të dhëna, të cilat korrespondojnë plotësisht me ato të institucioneve tona. Raporti konstaton e Shqipëria ka rritje të investimeve direkte të huaja jo vetëm në fushën e investimeve kapitale intensiv si në miniera e energji, por edhe në ato me fuqi punëtore intensive, me punësim intensiv dhe në fushën e prodhimit.
Ky raport është i njëjtë me një raport tjetër të botuar nga Komisioni Europian, për tremujorin e parë të vitit 2012. Komisioni Europian jep lajmin e hidhur se ekonomitë në Ballkan janë në recesion, por kjo, thotë raporti, jo në Shqipëri e Kosovë. Në Shqipëri e në Kosovë ka ngadalësim, por nuk ka kontraktim, nuk ka recesion. Natyrisht, Komisioni konstaton se deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti tregtar u përkeqësua në të gjitha vendet, nga rënia e eksporteve dhe moti i keq. Por duhet që ta thotë Komisioni ndikimin motit të keq në performancën ekonomike.
Kushtet e tregut të punës u përkeqësuan më tej, në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, me përjashtim të Shqipërisë, ku tregu i punës e punësimi janë stabilizuar, ndërsa në vendet e tjera, rritja e punësimit mbetet negative.
Deficiti është ulur në Shqipëri, Irlandë e Kroaci. Raporti informon për analizën që bën Standard & Poor, e cila e nxjerr Shqipërinë një ekonomi stabël, që vjen nga politikat fiskale të shëndetshme, të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në rrugën e saj të integrimit, thekson raporti.
Dua të ndalem sërish te tregu i punës, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme se punësimi i qytetarëve. Në fund të fundit, çdo gjë matet me rezultatin dhe suksesi i vërtetë i të gjitha këtyre përpjekjeve është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Raporti i Komisionit Europian thotë se punësimi në Shqipëri, nga viti në vit u rrit me 1.4 për qind, në sajë të rritjes së punësimit në sektorin privat, i cili në vetvete u rrit me 5.5 për qind. Në sektorin publik, thotë raporti, punësimi u zvogëlua. Dhe ne po zvogëlojmë administratën dhe jemi shumë krenarë me këtë. Shqipëria ka sot një nga 10 administratat më të vogla në botë, në proporcion me popullatën, çka do të thotë barrën më të lehtë mbi sektorin privat. Papunësia ka mbetur 13.3 për qind. Në tremujorit e parë, pagat u rritën dhe vazhdon tendenca e rritjes në tremujorë të tjerë.
Ajo që konstaton raporti dhe është shumë e rëndësishme është se investimet e huaja direkte, në tremujorin e parë të viti 2012 u rritën 2 herë më shumë, se në tremujorin e parë të viti 2011.
Atyre që kanë tmerr nga borxhi dua t’u them se raporti konstaton se borxhi publik në raport me GDP-në ka rënë në 57 për qind, që, në fakt, dua ta deklaroj sot publikisht se 60 për qind nuk më duket më linjë e kuqe, por ngjyrë portokalli. Po të kemi parasysh sot debatin e gjerë që zhvillohet midis mbështetësve të rreptësisë fiskale, të cilët kanë absolutisht të drejtë, sepse disiplina fiskale është një kusht themelor për performancën ekonomike dhe reformat strukturore janë kushti më i rëndësishëm i konsolidimit të një ekonomie, por kjo nuk mund të lidhet me një përqindje, sikur ajo të ishte biblike apo e librave të shenjtë dhe jo një përllogaritje e përafërt, sa ç’është e përafërt vetë GDP-ja. Në këtë kontekst, ndonëse 60 për qind nuk më duket ngjyrë e kuqe, por portokalli, Shqipëria, sipas Komisionit Europian, e ka 57 për qind borxhin, çka tregon për një përpjekje të madhe serioze, për të mbajtur ekonominë shqiptare në parametrat sa më normalë dhe ky është një kusht themelor për tërheqjen e investimeve të huaja.
Këto të dhëna i lexova, pasi grupe hiperksenike kanë tendencë të nxijnë çdo të dhënë nga ky vend dhe kur i dëgjojnë nga të huajt, i marrin për të vërtetë. Në fakt, këto të dhëna korrespondojnë plotësisht me të dhënat e brendshme të Shqipërisë. Në të vërtetë një nga rezultatet më të rëndësishme të këtyre reformave ekonomike është se ato nuk lejuan që të rritet papunësia, siç është rritur në vende të tjera. Dhe kur thuhet se ulet papunësia, duhet të keni parasysh se çdo vit 50-60 mijë qytetarë hyjnë në moshën e krahut të punës, plus ata që zbresin nga zonat rurale. Me gjithë këtë, janë përballuar të dy flukset dhe kjo është falë performancës ekonomike.
Të nderuar anëtarë të Bordit të AIDA-s, në planin e veprimit dhe të marketingut janë parashikuar fushat e energjisë së rinovueshme, agrobiznesi, turizmi, industria tekstile, shërbimi ndaj biznesit, pajisjet e mjeteve të transportit, pajisjet pjesë elektronike. Ne mund të diskutojmë të shtojmë përparësi, por një drejtim, mendoj se duhet të jetë më themelor dhe ky duhet të jetë prodhimi. Natyrisht, investimet e huaja në çdo fushë janë të mirëseardhura, por ne duhet të përparësojmë me të gjithë mundësitë tona, ato investime që krijojnë më shumë vende pune dhe investimet që krijojnë më shumë vende pune janë ato që adresohen në prodhim dhe shërbime të mëdha. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që janë përcaktuar drejtimet në përputhje me potencialet e vendit, siç është energjia e rinovueshme, por, të nderuar anëtarë të Bordit, është në interesin e vendit që ju të jepni mendime për përcaktimin e fushave, ku duhet të përqendrohemi, ku duhet të jemi më selektivë, praktikat më të mira që duhet të përdorim për të tërhequr investimet. Nuk ka betejë më të rëndësishme sot, se beteja për thithjen e investimeve të huaja. Po ta vini re, vendi më i fuqishëm dhe i zhvilluar i botës, sot flet më shumë se kurrë për investime të huaja në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një përpjekje e madhe dhe Presidenti Obama ka krijuar një komitet shumë të fuqishëm, me një personel të kualifikuar e të shumtë në numër, për të tërhequr investimet e huaja. Vendi që ka potencialet më të jashtëzakonshme ekonomike shpall një nga drejtimet më themelore investimet e huaja. Investo në Amerikë - është sot motoja e qeverisë dhe autoriteteve të Shteteve të Bashkuara dhe motoja e çdo vendi.
Natyrisht, ne kemi arritur këtë vit e vitin e kaluar mbi një miliardë dollarë investime, por unë gjykoj se në ambicion tonë, ne duhet të synojmë të kapim sa më shpejt dy miliardë dhe pasi të arrijmë në këtë stacion, të mund të përcaktojmë e të themi jo pa realizëm se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme në disa fusha si turizmit, energjia e rinovueshme, potencialet e mëdha minerare. Ne kemi mundësi dhe ky raport i UNCTAD e renditet Shqipërinë si një vend që ka marrë investime mbi parashikimet, për shkak të performancës. Por, në të vërtetë, me njohjen që kemi për vendin dhe potencialet e tij, me masat që mund të marrim për të lehtësuar gjithnjë e më shumë burokracinë, por e përshtatur edhe me stimujt përkatës, ne mund të marrin sërish mbi kapacitetet dhe mbi pritshmërinë. Ne duhet të ecim me vendosmëri drejt dy miliardë dollarë investime, për të ecur më pas, drejt niveleve të tjera”.

* Fjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e Bordit të Agjencisë për Investime dhe Zhvillim (AIDA)

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›