E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria shpejton përgatitjet për reformën në fushën e migracionit

Fjala e Ministrit të Brendshëm Z. Lulzim Basha në Konferencën Kombëtare mbi Rishqyrtimin e Politikave të Bashkimit Europian për Migracionin

Për mua është kënaqësi të kem këtë fjalë hyrëse për të ekspozuar disa nga masat e marra dhe prioritetet e shpalosura nga qeveria shqiptare për politikat e migracionit edhe në kuadër të një prioriteti afatshkurtër që sot është shumë afër realizimit, ai i liberalizimit të vizave, ku politikat migratore zënë një pjesë të konsiderueshme të bllokut 2.

Që në fillim dëshiroj të ndaj dy aspekte, ato që mbulon institucioni që unë drejtoj, Ministria e Brendshme me të gjithë institucionet e varësisë dhe ato që mbulon Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Bashkëpunimi midis këtyre dy institucioneve, të gjithë institucioneve të tjera të shtetit dhe shoqërisë civile në këtë fushë ka ardhur duke u rritur dhe ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm në realizimin e objektivave afatmesme dhe afatgjata të qeverisë shqiptare.

Në politikat e Ministrisë së Brendshme çështjet e migracionit zënë një vend shumë të rëndësishëm pasi ato trajtojnë problematika të tilla si dokumentat e udhëtimit, vizat, pranimi, punësimi, qëndrimi i ligjshëm apo i paligjshëm, bashkimi apo ribashkimi familjar, lufta kundër migracionit të paligjshëm, punësimi i paligjshëm, kthimi, ripranimi, largimi dhe dëbimi, ndalimi, mbrojtja e të drejtave themelore të emigrantëve, integrimi i emigrantëve etj.

Politikat e migracionit të Republikës së Shqipërisë janë hartuar dhe zbatohen në përputhje me politikat e Bashkimit Europian, dhe kujtoj këtu se ato kanë luajtur një rol thelbësor edhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Siç theksova më sipër prioritetet e qeverisë shqiptare në zbatim të politikave migratore zënë vend në një bllok të veçantë në bllokun 2 në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili ka marë një vlerësim optimal nga ekspertët, siç i është bërë e ditur edhe opinionit publik në ditët e fundit.

Ky vlerësim është tërësisht i merituar dhe ka të bëjë me faktin se për menaxhimin e kufirit dhe migracionit ka patur përmirësime thelbësore të realizuara nëpërmjet vënies në funksionim të teknologjive të reja për menaxhimin e integruar të kufijve, instalimin dhe funksionimin e plotë të sistemit TIMS në të 24 pikat e kalimit kufitar, ndërtimit dhe vënies në përdorim të qendrës së kontrollit dhe komandës, ndryshe dhomës operative të policisë kufitare dhe të migracionit këtu në Tiranë, ndërtimit të qendrës së mbyllur për të huajt me qëndrim të paligjshëm, projekt ky me financim të BE i cili ka pajisur vendin tonë me një nga qendrat më moderne në Ballkan, miratimin e të gjithë akteve ligjore dhe nënligjore në zbatim të ligjit për të huajt, përfundimin dhe vënien në efektivitet të plotë të Regjistrit të të Huajve dhe të gjitha modulet për vizat elektronike, lejet e qëndrimit elektronike instaluar në sistemin TIMS, aktualisht në funksion dhe në përdorim jo vetëm nga Policia Kufitare dhe Migracionit por edhe nga struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme, MPçSSHB, Shërbimit Kombëtar të Punës, zyrave të punës në nivel qendror dhe rajonal si dhe shërbimeve konsullore të Ministrisë së Jashtme kudo ku ato ndodhen dhe padyshim dhe Shërbimit Informativ Kombëtar duke iu mundësuar aksesi në këtë sistem dhe duke bërë kështu të mundur një koordinim qendror horizontal dhe vertikal të të gjithë aktivitetit që ka të bëjë aktualisht në Shqipëri, apo që dëshirojnë të hyjnë ose qëndrojnë në Shqipëri.

Dëshiroj të përmend përsa i përket ripranimit se Shqipëria është i pari vend jo anëtar i BE që nënshkroi marrëveshjet e ripranimit me BE dhe zbaton me përpikmëri të plotë të gjitha protokollet me çdo vend anëtar. Në distancë të bollshme kohore nga momenti kur Shqipëria ndërmori këtë hap, nisën të hedhin këtë hap edhe vendet e tjera të rajonit.

Vlen të theksoj edhe njëherë se është konstatimi i partnerëve tanë, shteteve anëtare të BE, se protokollet e ripranimit me secilin dhe të gjithë këto shtete zbatohen me një përpikmëri shembullore, konstatim ky i dhënë zyrtarisht dhe lehtësisht i evidentueshëm në të gjitha raportet e marrëdhënieve politike Shqipëri-BE.

Në këtë kuadër ripranimi i shtetasve shqiptarë apo kthimi i shtetasve të huaj me qëndrim të paligjshëm në Shqipëri ka ecur, ka përparuar, është implementuar në përputhje të plotë me dispozitat, parashikimet, standartet europiane në këtë fushë.

Në procesin e anëtarësimit në BE, faza e fundit që Shqipëria sapo kaloi, ajo e pyetësorit, përmbante një sërë pyetjesh në kapitullin 24 për lirinë, drejtësinë dhe sigurinë, mbi politikën migratore dhe përafrimin e kësaj politike me atë të Bashkimit Europian, madje mund të them se zinte një vend të madh në këtë kapitull, çka na dha edhe njëherë mundësinë të analizonim stadin aktual ku gjendet Shqipëria në raport me standartet europiane dhe praktikën e acquis-communautaire dhe të konstatonim me kënaqësi se në tërësi Shqipëria ka lëvizur në drejtimin e duhur, duke adoptuar një kuadër tërësisht të përafruar me atë të BE-së në këtë fushë.

Përbërësit kompleksë të kësaj politike kanë sjellë rezultate të kënaqshme, veçanërisht përsa i përket disa problematikave të theksuara, që i përkasin të shkuarës, siç ka qenë fakti se Shqipëria dikur ka qenë vend i tranzitit për ekstrakomunitarët, ndërsa tani në sajë të përpjekjeve të koordinuara të autoriteteve shqiptare dhe një partneriteti të suksesshëm me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria nuk konsiderohet sot më një rrugë tranziti për trafikun e qenieve njerëzore. Ashtu sikurse është theksuar edhe nga partnerët, prej më se gjashtë vjetësh numri i personave të trafikuar përmes Adriatikut ka arritur në zero, një sukses i patjetërsueshëm për një vend që dikur shënonte vetëm në humbje jete për shkak të trafikut të paligjshëm qindra të tillë çdo vit, për një numër të madh vitesh. Nisur edhe nga përvojat e tre vendeve që kanë përfituar liberalizimin e vizave, Shqipëria është angazhuar në një fushatë intensive për të informuar qytetarët e saj se procesi i shumëdëshiruar i liberalizimit të vizave, do të thotë lehtësim i lëvizjes së lirë të tyre dhe jo i qëndrimit dhe punësimit, duke shpresuar se liberalizimi i vizave nuk do të rrisë migracionin. Edhe nga vlerësimi i partnerëve, nga qëllimi dhe përmbajtja, Shqipëria sot ka përafruar tërësisht politikat migratore me standartet e BE, ndërsa jemi të ndërgjegjshëm se kemi të gjithë përvojën për të vazhduar në këtë fushë, ku politika migratore padyshim do të përbëjë një dimension të rëndësishëm të procesit të integrimit në BE, që padyshim do të mbetet edhe në fokusin e punës së strukturave të Ministrisë së Brendshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›