Konflikti i hajdutit me pastërtinë
E rrallë, por e vërtetë: dy hajdutë vjedhin një lavatriçe. Në fshatin Shnavlash të Durrësit policia ka prangosur dy vëllezërit, Ardian e Dritan Uka sepse janë kapur duke vjedhur nga banesa një pronë të tundshme: lavatriçen e një shtetaseje. Duhet të jemi një popull i jashtëzakonshëm, sepse edhe hajdutët i kemi amatorë. Amatorë në mbresën latine: është dashuria për të vjedhur, sepse dashuria për një gjë apo diçka të jep forcë irracionale të bësh gjëra jonormale. Gjithsesi për kronikë të zezë: ngjarja e pazakontë - sipas policisë - ka ndodhur me datën 20 prill, dhe prej 7 ditësh dy bij nënash ishin shpallur në kërkim. Dhe për plot 7 ditë ishin në drejtim të paditur, derisa dje forcat e sigurisë u bënë të ditur procedimin penal për veprën e vjedhjes. Kësisoj, shtytja rentiere për të pasur pak para, nuk i ka shkurajuar dy “siamezët” Uka për të marrë me vete edhe sende që pakkush mendon se nxirren lehtë nga shtëpia.
Mjerisht në pamje të parë ky mund të jetë një lajm i pazakontë i kronikës së zezë, por nuk është krejt ashtu. Natyrisht duke e parë paranë si të vetmin gjenerator vlerash, t’i marrësh tjetrit edhe lavatriçen me të cilën lan rrobat e pista është një mision në vetvete, paçka se të lartpërmendurve u doli një “mission impossible”. Ngase të vjedhësh është një profesion që kërkon angazhim të fortë dhe aftësi serioze ...jo si këta dy byrazerët.
Sidoqoftë, një ekonomist dhe sociolog i njohur italian Vilfredo Pareto mbi problemin e vjedhjes shkruan se “për të kuptuar nëse vjedhja është, ose nuk është morale, duhet që ne të krahasojmë sentimentet e pakëndshme të atij që është vjedhur, me sentimentet e këndshme të hajdutit, dhe të kërkojmë të kuptojmë se ku ka më shumë intensitet? Ky më lart është sociolog, por lavatriçja është dhe mbetet gjithmonë një nga pikat, për të cilat çiftet diskutojnë më shpesh, prandaj hajdutët sikur kanë prekur orendinë më të qenësishme të familjes. Sepse të gjitha zënkat e jetës bashkëshortore – sipas sociologut Jean-Claude Kaufmann - nuk ka çift që të mos jetë zënë të paktën një herë gjatë gjithë kohës që janë bashkë për objektet shtëpiake (ku nuk përjashtohet lavatriçja). Sipas autorit, nuk ka çift që të mos jetë zënë të paktën një herë gjatë gjithë kohës që janë bashkë për objektet shtëpiake, ku nuk përjashtohet lavatriçja apo pazaret. Sipas autorit të “Agacements. Les petites guerres du couple”, gjithmonë pas bashkëshortit që vendos në lavatriçe kamishat e lara me 40 gradë dhe të hekurosura nga bashkëshortja (sepse ai do që të lahen me 60 gradë), ka gjithmonë zënkë dhe inat, ndërsa të bën për të qeshur gruaja që tregon se "nuk mund të bëj dashuri me dikë që më bërtet se përse nuk e kam bërë mirë sallatën".
Në rastin tonë kemi sentimentin e pastërtisë së kësaj zonjë shtëpie nga fshati i Durrësit, Shnavlash, që i kanë vjedhur lavatriçen me të cilën lante dhe shpëlante familjen, kurse në sentimentet të kundërta për motive të dobëta, lekiste, të këtyre dy vëllezërve për t’i pirë raki dhe qejf.
Për definicion, quhet hajdut ai që mbijeton në sajë të djersës së ballit...të dikujt tjetër. është e nevojshme t’u rikujtojmë lexuesve se ky shkrim nuk është as poshtërim dhe shkurajues për kategorinë primitive të grabitësve, maskave, hajdutëve, xhepistëve, cubave e kusarëve dhe as t’u inkurajojë të merrni profesionin e hajdutit, sepse këto nëndegë e kanë gjenezën në pre-histori, aty ku njeriu krijoi konceptin e “posedimit” a “zotërimit” dhe i dha formë qytetërimit bashkë me gjuhën dhe agri-kulturën.