E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa për ndarjen e Kosovës nga titizmi, një shkollë për politikën moderne të Prishtinës

Këto ditë në masë të madhe është përfolur akti i ngritjes së një aktakuze të deputetit aktual të Kosovës z. Nait Hasani, ndaj ish funksionarëve të dikurshëm të Kosovës, disa prej të cilëve edhe sot janë të integruar nëpër struktura të ndryshme të pushtetit të Kosovës së pavarur.
Më ka rastisur të dëgjoj shumë njerëz të cilët flasin me sensin kritik ndaj ngritjes së kësaj aktakuze, e cila përfshinë një numër të madh të ish funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve të udhëheqësive të ndryshme të ish Jugosllavisë, të bashkëpunëtorëve të Titos, e deri të bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviçit. Zakonisht arsyetimet e këtyre kritikuesve e kanë gjenezën e vet, te mungesa e kulturës juridike dhe tek pasojat që mungesa e shtetit ligjor dhe shtypja për disa vite ka lënë tek ata. Arsyetimet që kemi prioritete më të rëndësishme se sa të merremi me të kaluarën, nuk duhet për asnjë çast të na bëjmë të harrojmë të kaluarën tanë, vuajtjet tona, të prindërve e gjyshërve tanë, përveç nëse nuk dëshirojmë të na përsëritet një gjë e tillë.
Në një shtet ligjorë të akuzosh dikë në proces të rregullt gjyqësorë, është gjëja më demokratike e mundshme. Përfundimisht populli ynë duhet të lirohet nga zgjidhja e kontesteve jashtë proceseve gjyqësore, dhe duhet që të orientohemi drejt sistemit gjyqësorë për zgjidhjen apo ndarjen e drejtësisë, sepse është kjo e vetmja formë e funksionimit të shtetit ligjor.
Populli ynë duhet të mësohet që ngitja e aktakuzës nuk duhet të llogaritet me automatizëm si zbulim apo definim i fajtorëve, në këtë kontekst kjo do t’i shërbente për të mirë, të gjitha atyre 30 figurave të cilat akuzohen nga kjo aktakuzë, që eventualisht ta pastronin personalitetin e tyre me procesin e rregullt gjyqësorë. E kjo arrihet duke u përballur drejtpërdrejt me gjyqin e jo duke iu shmangur atij.
Elementi më pozitiv që sjell kjo aktakuzë në aktualitetin kosovarë është ngritja e vetëdijes së udhëheqësve të tanishëm të Republikës së Kosovës, për bëmat dhe veprat e dyshuara të tyre. Ngritja e kësaj çështje nëpër gjykata, tash pas disa viteve duhet që çdo person me pak kapacitet intelektual, t’a bëjë të mendoj se të qenurit në pushtet, asnjëherë nuk e shmang nga përgjegjësia. Asnjë pushtet cilido çoftë ai, nuk mund të shmang apo të mbuloj plotësisht veprimtarinë e tyre gjatë kohës së sundimit të tij, ju kujtojmë që këtë s’kanë mundur ta bëjnë as nazistët, as komunistët, e aq më pak mund ta bëjnë pushtetet e shteteve demokratike, çfarë pretendohet se do të jemi ne.
Prandaj, me rastin e kësaj aktakuze duhet të mendojnë edhe ata krerë shtetëror që për interesa individuale, mbajnë nga dy e më shumë poste, në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, edhe ata pushtetarë të cilët shpërndajnë tenderë për miq e familjarë sikur të ishin dhurata ditëlindjesh, në dëm të funksionalizimit të sistemit të rregullt shtetëror. E kështu me këtë aktakuzë mendoj që z. Nait Hasani ka ngritur një çështje mjaft të rëndësishme, atë të rikujtimit që ky popull do të jetojë me gjatë se cilado qeveri dhe cilido pushtet apo sistem dhe është po ky popull i cili nëpër periudha të ndryshme, do të gjykojë veprën e gjithsecilit prej nesh.
Funksionimi i pushtetit të Kosovës tani për tani është pasojë e drejtpërdrejt, e të harruarit të historisë së këtyre figurave të dikurshme, të cilat ishin në gjendje që të mbanin anën e armikut apo e të padrejtit edhe kur duhej që të kundërviheshin me interesat e popullit të vet. Nuk e besoj që emrat e përfolur në atë aktakuzë mund të flenë rahat, nuk besoj, që po ata njerëz nuk shohin ëndrra të këqija gjatë natës, ashtu siç nuk besoj që të mirat materiale që i kanë gëzuar nga ai pushet, munden t’i gëzojnë sot kur ju duhen më shumë se kurrë.
Prandaj, të rrëfyerit e drejt të historisë përveç që do të lironte këta persona nga ankthet e së kaluarës, ai gjithashtu, do të ishte i domosdoshëm për vetëdijësimin e pushtetarëve të tanishëm se askush nuk mund t’i rezistoj kohës dhe askush mund t’i rezistoj drejtësisë. Secili nga ta duhet ta mësoj që të rrëzuarit nga pushteti nuk është dënimi më i rëndë i mundshëm nga populli, të gjykuarit e historisë zbulimi i së vërtetës mund të jetë shumë më e dhimbshme se sa të kaluarit në opozitë.
Në këtë kontekst patjetër duhet përshëndetur deputetin Hasani, që për gjëra të tilla i drejtohet institucioneve kompetente të vendit dhe me rrugët më ligjore të mundshme.
Shpresojmë që ky mësim të arrij vërtetë objektivat e vetë, në mënyrë që të shërbej sa më mirë që historia e vuajtjeve të shqiptare të nxirret në shesh, ashtu siç duhet të shërbejë për të gjithë ata që janë në pushtet, se abuzimi me te, do të thotë të jetosh një aventurë të shkurtër, po aq sa zgjatë një “muaj mjalti” dhe tek pastaj fillon jeta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›