Gjykata, 30 ditë arrest për autorin e dyshuar si vrasës të argjendarit
Gjykata e Tiranës i dha dje vetëm 30 ditë kohë prokurorit dhe hetuesve për të “kopsitur” provat mbi 27-vjeçarin kosovar Nexhat Mulaj, të cilin Prokuroria e akuzon si autor të vrasjes së argjendarit 62-vjeçar Rapo Sinanaj 10 ditë më parë. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka dhënë dje nëpërmjet vendimit të gjyqtarit Besnik Hoxhaj dhe masën e arrestit 30 ditë burg për 27-vjeçarin nga Kosova, Nexhat Mulaj, i akuzuar për vjedhje me armë, me pasojë vdekjen, ngjarje kjo e ndodhur më 21 tetor në një argjendari të kryeqytetit, afër rrugës “Siri Kodra”. Gjykata ka lënë një afat kohor prej 30 ditësh për t’i dhënë mundësinë Prokurorisë të mbledhë dhe të paraqesë të tjera prova kundër Nexhat Mulajt, ndërsa vetë prokurori i çështjes ka kërkuar më shumë kohë për dokumentimin tërësor të akuzave ndaj 27-vjeçarit. Gjatë arsyetimit të masës së arrestit gjykatësi është shprehur se dosja ekzistuese nuk sugjeronte ende një provë direkte që lidhte 27-vjeçarin me krimin, ndërsa nga ana e tij prokurori është shprehur se hetuesit janë në pritje të marrjes në dorëzim të tabulateve të tre numrave telefonikë që janë përdorur nga 27-vjeçari i arrestuar, ndërsa Prokuroria është në pritje dhe të analizave shkencore të disa provave të gjetura në vendin e ngjarjes, prova që, sipas Prokurorisë, do të vërtetojnë katërcipërisht autorësinë e të dyshuarit nga Kosova. Ndonëse ka arrestuar në befasi të riun kosovar, policia nuk ka mundur të gjejë ende armën e krimit, pistoletën që i shkaktoi vdekjen argjendarit, ndërsa mungesa e një prove thelbësore si arma e krimit duket se e ka orientuar hetimin drejt sigurimit të provave rrethanore, bazuar në hetimin operativ ose analizimit të materialeve të gjetura në vendin e ngjarjes. Në momentin e krimit, viktima, 62-vjeçari Rrapo Sinanaj, ka qenë në dyqanin e tij duke shitur, kur autori ka hyrë brenda i maskuar dhe pak para ngjarjes ka pasur një konflikt mes tij dhe viktimës, kjo pasi autori i krimit ka tentuar të grabisë varëset, sasinë e parave si dhe pajisjet e tjera me vlerë, ndërsa viktima e ka kundërshtuar. Pas kësaj autori e ka qëlluar me plumb në kokë dhe në trup pronarin e argjendarisë, duke i provokuar edhe vdekjen e menjëhershme.