E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia te henen trajneri i ri

Shqipëria do të njohë të hënën trajnerin e ri të Kombëtares së futbollit. Drejtuesi i ri i stolit kuqezi do të jetë italian, ndërsa në “pole” për postin e mbetur bosh prej afro dy muajsh, pas largimit të Josip Kuzhesë, janë Xhovani De Biazi, Mario Bereta dhe Benito Karbone. Konfirmimi vjen nga menaxheri Sokol Haxhia, i cili ka qenë në rolin e ndërmjetësit ndërmjet krerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe pesë teknikëve italianë, të cilët u shfaqën të interesuar për të punuar në përfaqësuesen e vendit tonë.

“Vendimi i federatës për të punësuar një trajner italian, lidhet me faktin se shkolla teknike e këtij vendi është absolutisht e para. Në dekadën e fundit, Shqipëria është drejtuar gjithmonë nga trajnerë të huaj dhe presidenti Duka ka vendosur që tashmë t’ia besojë stolin një italiani. Të hënën pritet të zyrtarizohet emri I drejtuesit të ri të stolit”, tha Haxhia.

Më tej, menaxheri që i paraqiti FSHF-së listën me kandidatët potencialë, theksoi se zgjedhja nuk do të jetë aspak e lehtë. “Drejtuesit e futbollit shqiptar u takuan me De Biazin, Pilon, Kamolezen e Karbonen në Milano, ndërsa më parë presidenti i federatës kishte takuar edhe Mario Beretën në Vjenë. Nga të gjitha bisedat u krijuan përshtypje pozitive dhe zgjedhja e trajnerit të ri të Kombëtares do të jetë e vështirë. Për shembull, në fillim Karbone cilësohej si tekniku që kishte më pak shanse, por ai la një përshtypje të jashtëzakonshme në takim”.

Nëse FSHF do të zyrtarizojë një prej trajnerëve italianë në stolin e përfaqësueses, kjo do të jetë hera e dytë që Shqipëria do të drejtohet nga një teknik përtej Adriatikut, pas eksperiencës 3-mujore me Xhuzepe Dosenën në vitin 2002.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›