E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani grushte ne stervitje

Pavarësisht se në këtë periudhë është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për Çezenën, Erjon Bogdani nuk është i qetë. Gjatë stërvitjes së të premtes, sulmuesi shqiptar ishte protagonist në një episod aspak të bukur, së bashku me franko-algjerianin Zhohan Benaluan.

Pas një ndërhyrjeje disi të ashpër të mbrojtësit gjatë ndeshjes brenda skuadrës, 34-vjeçari ka reaguar keq, edhe sepse iu tremb një dëmtimi pikërisht në momentin e tij më të mirë.

Nuk munguan nervozizmi, ofendime dhe të shtyrat. Por, me sa duket arsyet dhe ndjesa e dhënë aty për aty nuk mjaftoi për të mbyllur konfrontimin. Sipas asaj që kanë raportuar mediat italiane, dy lojtarët e Çezenës kanë përdorur edhe duart.

Sherri mori përmasa aq serioze, sa për të ndarë Bogdanin dhe Benaluan ishte e nevojshme ndërhyrja e shokëve të skuadrës dhe e trajnerit Daniele Arrigoni. Pas këtij episodi, pritej që përveç gjobës, dy futbollistët të përjashtoheshin nga skuadra për ndeshjen me Palermon në “Renco Barbera”. Masat disiplinore pritej të ishin të njëjta me ato që mori klubi i Romës, për sherrin ndërmjet Osvaldos dhe Lamelas.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Përveç gjobës financiare, Bogdani dhe Benaluan udhëtuan me skuadrën për transfertën në Siçili, pasi klubi dhe trajneri nuk e kanë vlerësuar të udhës ti ndëshkojnë edhe më tepër protagonistët e ngjarjes së pakëndshme. Kjo edhe për faktin se Çezena paraqitet në sfidën kundër Palermos me shumë mungesa.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›