E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsullata shqiptare në Bari, leje-kalimi me një fotokopje

Ministria e Jashtme reagon pas denoncimit në "Fiks Fare" të abuzimeve në konsullatën shqiptare, në Milano. Një grup specialistësh të Drejtorisë së Auditit mbërrin sot në Milano për të kontrolluar procedurat e ndjekura në këtë konsullatë për të gjitha shërbimet e kryera ndaj emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë, që dje është marrë vendimi për largimin nga puna të rojës së konsullatës dhe shoferit të kësaj përfaqësie diplomatike. Ata luajtën rolin e sekserëve për nxjerrjen e lejes së kalimit për gazetarin e "Fiks Fare".

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, ku shoferi i konsullatës shqiptare të Milanos merr 150 euro për të nxjerrë një leje-kalimi për një shtetase shqiptare, Ministria e Jashtme e Shqipërisë filloi verifikimet. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie bënë të ditur dje për gazetën "Shqip", se me hetimin e lëshimit të këtij dokumenti po merret drejtori i Përgjithshëm i Çështjeve Juridike, Ndërkombëtare dhe Konsullore, zoti Gazmend Turdiu. Ndërkohë, me urdhër të vetë ministrit të Jashtëm, drejt konsullatës shqiptare në Milano është nisur një grup specialistësh të Drejtorisë së Auditit, të cilët do të verifikojnë të gjitha veprimet konsullore që janë kryer në këtë përfaqësi diplomatike.

Dy ditë më parë, "Fiks Fare" tregoi si mund të merrje pranë konsullatës shqiptare në Milano një leje-kalimi pa iu nënshtruar asnjë procedure verifikimi dhe pa dorëzuar asnjë dokument, vetëm duke paguar 150 euro nën dorë.

Vijon investigimi i "Fiks Fare". Ja si veprohet edhe në konsullatën shqiptare në Bari të Italisë

Leje-kalimi me një fotokopje

Në konsullatën shqiptare të Barit situata është ndryshe. Në sportelin e kësaj konsullate nuk mund të marrësh leje-kalimi pa u paraqitur vetë përpara konsullit. Por edhe këtu nuk u kushtojnë shumë rëndësi dokumenteve të identifikimit. Duke paraqitur vetëm një fotokopje të pasaportës të panoterizuar, mund të sigurosh lejen e kalimit.

Fillimisht, gazetari i "Fiks Fare" shkoi në Portin e Barit, ku kishte të dhëna se punonin disa sekserë, të cilët të ndihmonin për të nxjerrë leje-kalimi. Asnjë prej sekserëve nuk e mori përsipër, sado që t‘i paguaje. Nuk të siguronin leje-kalimi, pa u paraqitur vetë personi në sportelin e konsullatës.

Në sportel, gazetari takoi konsullin Arjan Vasjari, i cili i kërkoi dokument identifikimi për të lëshuar lejen e kalimit. Gazetari i tregoi vetëm fotokopjen e panoterizuar, të cilën konsulli ia pranoi.

Bisedat

Me sekserin në Portin e Barit

Sekseri: Unë të mbaroj punë brenda 20 minutash. Të vij edhe nusja dhe tak-fak. Ti në punën tënde, unë në timen. Duhet të vish fiks fare në orën 7.

Fiksi: Po të mos jetë ajo, nuk e bën?

Sekseri: Po, pse t‘i lusim në konsullatë?! Dhjetë minuta punë ke; fotografi, ti prezent me nusen dhe asgjë tjetër. Unë për 10 minuta të mbaroj punë. I them atij zotërisë "hajde se më ka ardhur një miku im". Prezent me nusen, të mbaroj punë.

Fiksi: Po në shtatë të pasdites ku do e paguaj bankën unë?

Sekseri: Si?

Fiksi: Në shtatë të pasdites ku do e paguaj bankën unë?

Sekseri: S‘e shikon tani që ne po punojmë...

Fiksi: Të të lë numrin tim, se mos ta merr ai përsipër?

Sekseri: Jo, jo. Vetëm atë që të thashë dhe për 10 minuta të mbaroj punë.

Fiksi: Ia kalofshi mirë!

Në sportelin e konsullatës në Bari

Fiksi: Përshëndetje! Për të bërë një leje-kalimi, çfarë më duhet?

Konsulli: Dokumente.

Fiksi: Çfarë dokumentesh?

Konsulli: Dokumente identifikimi. Kush je? Ǒdokument identifikimi ke?

Fiksi: Unë kam vetëm një fotokopje pasaporte.

Konsulli: Sill fotokopjen dhe një fotografi. Çfarë ke dokument tjetër?

Fiksi: S‘kam, vetëm atë që të dhashë.

Konsulli: Pasaportën e ke?

Fiksi: Pse duhet ta kem?

Konsulli: Se të garantoj unë që e ke. Që kur je futur aty, te dera, të pashë unë, ndaj e di që e ke. Apo do të hyj të të nxjerr dhe numrin tani, se do e ketë...

Fiksi: A kam ndonjë detyrim tjetër?

Konsulli: Më dëgjo mua! Aty sa të vesh te porti, ke parasysh, të mashtrojnë këta, të thonë se e kapi një policia dhe i dha espuls. Por më jep mua 100 euro, që t‘ia jap policisë, që të kalosh pa problem. Janë të tërë mashtrues.

Fiksi: Po e kam për të kaluar, do kaloj.

Konsulli: Jo, kalon pa asnjë problem. Sa të shohin firmën time, kalon pa asnjë problem. Mos u mpleks fare me ata, lëri të të thonë ç‘të duan ata.

Fiksi: Çfarë të detyrohem shefi?

Konsulli: Jo, asgjë.

Fiksi: Po një kafe po, por më thuaj sa, që të jesh i kënaqur.

Konsulli: Nuk detyrohesh asgjë, që të jemi transparentë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›