E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria vazhdon traditën ballkanike të koalicioneve joparimoreNga Augustin PalokajZgjedhjet në Shqipëri kanë përfunduar dhe pas pak ditësh pritet të ulen edhe më shumë tensionet politike që u shkaktuan nga fushata konfliktuale zgjedhore. Postet udh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqipëria vazhdon traditën ballkanike të koalicioneve joparimoreNga Augustin Palokaj

Zgjedhjet në Shqipëri kanë përfunduar dhe pas pak ditësh pritet të ulen edhe më shumë tensionet politike që u shkaktuan nga fushata konfliktuale zgjedhore. Postet udhëheqëse do të ndahen, ndërsa Shqipëria do të ketë një qeveri relativisht me shumicë të qëndrueshme, por edhe një opozitë shumë të fortë, e cila mund të thotë se ka me përqindje në nivel të vendit shumicën e votave nga zgjedhjet, edhe pse jo të përkthyer në ulëset e Kuvendit.

Por pasojat nga fushata e këtyre zgjedhjeve do të jenë të shumta për Shqipërinë. Së pari, me këto zgjedhje Shqipëria i ka thënë lamtumirë BE për së paku dhjetë vjetët e ardhshëm. Së dyti, ka vënë në hall disa vende të NATO-s që kanë besuar se anëtarësimi i Shqipërisë në këtë aleancë të demokracive perëndimore vetvetiu do të jetë garanci e mjaftueshme se ky shtet tash do të ketë zgjedhje sipas standardeve më të larta. Së treti, do të krijojë një dyshim edhe tek institucionet financiare ndërkombëtare, për shkak të shpenzimeve të tepruara për projekte të mëdha që janë përshpejtuar vetëm për hir të fushatës zgjedhore. Dhe, që është edhe më e rënda, për katër vitet e ardhshme Shqipëria do të vazhdojë të ketë një kulturë konfliktuale politike me fyerje dhe ofendime mes pushtetit dhe opozitës e njëlloj do të jetë e ndarë edhe skena mediale, e me këtë edhe shoqëria.

Shqipëria në këto zgjedhje ka arritur përparim në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Por është e qartë se nuk i ka përmbushur kriteret evropiane që do të përshpejtonin rrugën e saj drejt integrimeve në BE. Pa marrë parasysh se sa do ta qëndisin raportin vëzhguesit ndërkombëtarë, rruga e Shqipërisë drejt BE do të ngadalësohet. Aplikacioni i Shqipërisë për anëtarësim në BE do të shtyhet për shqyrtim diku në vjeshtë. Edhe nëse atëherë merret ndonjë vendim, do të jetë vetëm teknik, për t’i dhënë mandatin Komisionit Evropian që të nisë procedurën e nxjerrjes së mendimit për Shqipërinë. Kjo do të zgjasë diku një vit e gjysmë, ndërsa as ai mendim, në rrethanat e sotme, nuk mund të pritet të jetë shumë pozitiv. Javën që vjen, diku më 14 korrik, do të shihet qartë se Shqipëria ngec shumë prapa vendeve të tjera të rajonit në përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave. Këtu nuk llogaritet Kosova, e cila për BE nuk është ende shtet me të drejta të negocimit të kontratave ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria është në nivel të Bosnjë-Hercegovinës. Si pasojë, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi do t’u propozohet heqja e vizave, ndërsa Shqipëria do të presë në radhë.

Si në zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu edhe në udhërrëfyesin e BE për vizat, Shqipëria “ka arritur përparim”, por nuk i ka përmbushur kriteret e nevojshme. Tash, kur e ka pushtetin e sigurt, kur kanë kaluar zgjedhjet, Berisha nuk ka nevojë që shqiptarëve t’ua fshehë këtë të vërtetë.

Në BE edhe ashtu nuk ka shumë vullnet për zgjerimin e saj. Kroacia po pret kaq shumë, edhe pse është ekonomikisht më e zhvilluar se disa shtete të BE, edhe pse i ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret. Pas Kroacisë do të kalojnë disa vite, derisa në radhë të vijë ndonjë shtet tjetër nga Ballkani. E nëse përjashtojmë Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën si vendet që nuk mund të konsiderohen ende shtete normale, jo me fajin e tyre, atëherë Shqipëria është më së largu nga integrimet në BE. Pas dyshimeve që mbetën edhe nga zgjedhjet e fundit, BE nuk do ta ketë të vështirë që të mos nxitojë me Shqipërinë. Pra, në rrethanat e sotme nuk pritet që Shqipëria të mund të llogarisë anëtarësim në BE në dhjetë vitet e ardhshme, madje edhe nëse arrin t’i bëjë reformat me shpejtësinë e Kroacisë. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë Shqipërinë në këtë rrugë është gatishmëria e madhe e BE që t’i ndihmojë Serbisë. Në atë rast, për shkak të korrektësisë politike, do të mund të përfitonte edhe Shqipëria, e cila nuk do të mund të lihet shumë prapa.

Megjithatë as kjo nuk është e sigurt, sepse Serbisë BE po ia heq vizat para Shqipërisë.

Bashkësia ndërkombëtare nuk është shumë e interesuar për mënyrën se si në Shqipëri do të krijohet qeveria. Nëse ajo qeveri do të kryejë “detyrat e shtëpisë” aspak nuk do të jetë e rëndësishme se si është krijuar ajo. Shqipëria këtu nuk dallon nga vendet e tjera të Ballkanit, ku ka pasur dhe ka “koalicione joparimore”.

Ilir Meta, lideri i LSI, që para pak ditësh porosiste Berishën të “mos masturbojë me Gani Bobin e tij!” (duke menduar në exit poll që sipas këtij instituti kosovar i jepte Berishës fitore të thellë), ndërsa socialistët që “ta ruajnë votën e popullit” po bëhet tash aleat i Berishës. Kështu edhe Shqipëria po vazhdon traditën ballkanike të koalicioneve joparimore, ku ndahen postet e jo idetë. Njësoj si në Kosovë, ku Ramush Haradinaj pati bërë koalicionin me LDK, ku njerëz të LDK sot janë ministra të qeverisë së Hashim Thaçit, si në Serbi, ku Boris Tadiç është në koalicion me pasardhësin e Sllobodan Millosheviçit, Ivica Daçiç, e në Kroaci Ivo Sanader kishte futur në qeverinë e HDZ edhe përfaqësuesit e serbëve, me votat e të cilëve krijoi qeverinë. Shqipëria është Ballkan, sepse, po të ishte Gjermani apo Austri, do të bënte një “koalicion të madh“ në të mirë të shtetit.

Pasoja këto zgjedhje të Shqipërisë do të kenë edhe për Kosovën. Skena katastrofale mediale e Shqipërisë tashmë është eksportuar në Kosovë dhe në të dyja shtetet nuk dihet më dallimi mes politikanit, gazetarit, biznesmenit, botuesit e diplomatit. Është bërë krejt normale që një person të jetë në të njëjtën kohë edhe politikan, edhe gazetar, edhe biznesmen (sipas nevoje). Së dyti, “huqi historik” i institutit “Gani Bobi” në hulumtimin e opinionit publik në Shqipëri ka rritur dyshimet ndaj kosovarëve në shtetin amë, ndërsa kjo dëshmon se në ç’gjendje të mjerueshme është në Kosovë edhe e ashtuquajtura “shoqëri civile”. Një koleg imi këtë gafë të institucionit “Gani Bobi” e quajti si “vdekja e dytë e Gani Bobit”, duke menduar së pari në vdekjen fizike të këtij mendimtari të madh kosovar dhe së dyti në diskreditimin që i është bërë me këtë huq në Shqipëri emrit të tij, saqë edhe Ilir Meta të flasë publikisht me një fjalor aq banal si “Masturbimi i Berishës me Gani Bobin e tij!”

E tash të shohim se si do të zhvillohet fushata në Kosovë. Shqipëria së paku është shumë para Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe së paku do të ketë një pozitë të madhe për nga numri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›