E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vend tranzit i drogës. DASH: Problem, korrupsioni

Edhe pse qeveria shqiptare i ka shpallur luftë elementëve kriminalë, përpjekjet për të ndaluar trafikun e drogës përmes territorit të saj nuk po japin rezultatin e synuar. Kështu thuhet në raportin vjetor për strategjinë ndërkombëtare kundër drogave të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit e cila e rendit Shqipërinë në listën e vendeve për trafikantët që transportojnë drogë të prodhuar në Afganistan dhe Azinë Qëndrore drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për nxjerrjen e vendit jashtë kësaj liste, sipas DASH, pengohen nga mungesa e burimeve, ekspertizës dhe korrupsionit të lartë.

”Pagat e ulta, një shoqëri që e pranon gjerësisht rryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë Hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të qeverisë, gjykatës dhe anëtarë të parlamentit. Trafikimi i drogave vazhdon të përbëjë një nga profesionet e paligjshme më fitimprurëse në Shqipëri” thuhet në raport.

Departamenti amerikan vëren se politikat më agresive të qeverisë shqiptare, si dhe patrullimi më i mirë i bregdetit, kanë bërë që trafikantët t’i zhvendosin rrugë-kalimet nga Adriatiku drejt kufijve tokësore me Kosovën dhe Malin e Zi, duke përdorur Serbinë dhe Bosnjen si pika tranziti. “Moratoriumi i qeverisë shqiptare ndaj anijeve të shpejta ka bërë që të ngadalësohet lëvizja e drogave dhe trafiku i njerëzve drejt Italisë” thuhet në raport.
< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›