E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi mirëpret nëndetësen e parë ushtarake

DURRES-Një nëndetëse ushtarake turke me gjatësi prej 56 metrash dhe personel prej 42 detarësh ushtarakë është parë të ankorohet sot në mëngjes në portin e Durrësit.

Nëndetësja “TCG-Dolomay” është anija e parë nënujëse që ankorohet në kalatat e portit detar që nga mesi i shekullit të kaluar.

Ekuipazhi i nëndetëses do të zhvillojë një vizitë 2-ditore portuale në kuadër të bashkëpunimit mes forcave detare shqiptaro-turke.
Kapiteni i rangut të parë Roland Nasto ka pritur në port mjetin lundrues. Më pas ai zhvilloi dhe një vizitë në nëndetëse ku u takua me komandantin e saj Samer Sari.

Burime nga Komanda e Forcave detare thonë se gjatë qëndrimit në vendin tonë ekuipazhi i anijes dhe drejtuesit e saj do të zhvillojnë vizita në bashkinë e qytetit, si dhe në prefekturën dhe këshillin e qarkut të Durrësit. Ata do të jenë mysafirë edhe në Komandën e Forcave detare në Plepa, pranë Durrësit
(s.g./atsh/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›