Shqipëria, vendi ku të gjithë duan të behën juristë, ekonomistë dhe mjekë
—-Nga Dorina Bilbili—-
Tiranë- Në një vend ku ka më shumë universitete për kokë se në çdo cep të botës, Shqipëria prodhon një numër më të lartë të diplomuarish si ekonomistë dhe juristë se sa në profesionet e tjera.
Profesioni i ekonomistit dhe i juristit janë dy më të preferuarit në vendin e vogël ballkanik perëndimor,- kështu ka treguar një studim i fundit. Studimi, i kryer nga kompania e rekrutimit privat dhe konsulencës së karrierës Headhunter tregon se profesionet më të preferuar në Shqipëri janë ekonomistë, juristë, mjekë apo inxhinierë.
E pak ditë para se maturantët që iu nënshtruan provimeve me zgjedhje të plotësojnë formularin për pranim në universitet, shumica e brezit të ri vijon të synojë profesionet e mësipërme.
Në pritje të zyrtarizimit të preferencave të tyre, maturantja më e mirë në Elbasan Aurela Kullolli tha dje për Gazetën IDEA se dëshiron të bëhet mjeke. Kristiana Kulli në Shkodër dëshiron të bëhet ekonomiste, sepse ky profesion ka treg pune, sipas saj, në vendin tonë. Sakaq Sindi Seitaj ëndërron të bëhet juriste, sepse kërkon drejtësi për njerëzit. Ambra Piranaj do të bëhet një infermiere, Rejhana Zaganjori është një tjetër aspirante për të ndjekur studimet e larta për ekonomi dhe Arlind Lezha dëshiron të jetë një administrues biznesi i ardhshëm. Të gjithë i bashkon një emërues i përbashkët: Profesione me emër dhe me paga të larta!
Mirëpo jo pak herë është dhënë alarmi se në vendin tonë një prurje kaq e madhe të diplomuarish në këto dy degë ka sjellë edhe mbingopje të tregut. Qeveria e re socialiste ka premtuar që do të hartojë politika për kanalizmin e arsimit të lartë sipas nevoja të tregut. Duke i dhënë nxitje edhe arsimit profesional, apo zanatit. Siç tha kryeministri i zgjedhur Edi Rama në takimet elektorale rrezikojmë të prekim një ditë që do të na mungojnë njerëzit e zanatit, hidraulik, murator etj. Një hapje pa programe të mirëfillta për punësimin e të rinjve ka sjellë për fatin e keq dyzimin kamarier-jurist dhe kamarier-ekonomist, në pamundësi për tu punësuar pas mbarimit të shkollës së lartë për jurist apo ekonomist.
Studimi gjithashtu tregon se sektorët e telekomunikacionit dhe shitjet ofrojnë kushte më të mira pune, mundësitë dhe normat më të mira të pagesave në Shqipëri. Sipas studimit rreth 17 për qind e të punësuarve në Shqipëri punojnë në sektorin e telekomunikacionit, i cili përfshin kompanitë e telefonisë celulare, ofruesit e internetit dhe qendrat e thirrjes. Kurse rreth 14 për qind e të punësuarve punojnë në sektorët e shitjes dhe tregtisë, ndërsa 6.4 përqind punojnë në sektorin banker,- tregon studimi.