Shqipëria, vendi me rritjen më të madhe të pagave në Europë

Rritja e rrogave, rezultat i performacës ekonomike të vendit – bazuar në të ardhurat nga taksat dhe tatimet. Krahasuar me vitin 2005, pagat në sektorin publik janë mbi dy fishuar.
Raporti i pagës mesatare me pagën e kryeministrit i cili në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1 në vitin 2012 është 1 me 4.6. Nga viti 2006 e deri më sot, qeveria nuk ka marrë borxh asnjë qindarkë për rritjen e pagave dhe pensioneve
Kryeministri Sali Berisha firmosi dje vendimin e Qeverisë të Mbledhjes së datës 16 gusht, për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës.
Erla Mëhilli, zëdhënësja e Kryeministrit u shpreh në një deklaratë për mediat se, qeveria mbajti premtimin për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Sipas saj, falë të ardhurave të mira fiskale dhe performancës së mirë së administratës shtetërore u arrit çdo vit rritja e rrogave dhe pensioneve dhe nuk u pa e arsyeshme marrja e borxhit për të përballuar këto shpenzime.
Ajo vuri në dukje se krahasuar me vitin 2005, pagat në sektorin publik janë mbi dyfishuar.
“Sot Kryeministri Berisha firmosi vendimin e Qeverisë të Mbledhjes së datës 16 Gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës. Me këtë rritje realizohet pikë për pikë premtimi i Qeverisë për pagat dhe pensionet. Konkretisht, mbi bazën e kësaj rritje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26 831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59 235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22 771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50 563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22 683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58 098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15 044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35 618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30 655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55 944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005.
Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22 554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35 122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005. Ndërsa raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9 vjeçar me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5.
Raporti i pagës së infermierit me pagën e kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, në vitin 2012 është 1 me 6.4. Dhe raporti i pagës mesatare me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1 në vitin 2012 është 1 me 4.6. Në të gjitha këto raste raporti është pothuajse përgjysmuar. Rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi, është rezultat direkt i performancës ekonomike të vendit dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet”, u shpreh zëdhënësja Erla Mëhilli.
Ajo theksoi se nga viti 2006 e deri më sot, qeveria nuk ka marrë borxh asnjë qindarkë për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Me këtë rritje tha ajo, Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të pagave dhe pensioneve në Evropë.
“Theksoj, se si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Me këtë rritje Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Evropë”, deklaroi ajo.