Shqipërinë e çliruan serbët

Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfolihje Radoviç, bëri thirrje dje nga fshatrat e Shkodrës për ndërtimin e varrezave të ushtarëve serbë të rënë në Shqipëri. Në një deklaratë të befasishme, Mitropoliti Radoviç tha se ushtarët serbë janë 10 mijë dhe se ata kanë rënë për çlirimin e Shqipërisë në kohën e shpalljes së pavarësisë në 1912. Mitropoliti vizitoi objektet e kultit dhe disa varreza, që sipas tij u përkasin ushtarëve serbë. I njohur si kundërshtari i madh i pavarësisë së Kosovës dhe Malit të Zi, Mitropoliti Radoviç, dikur përkrahës i kriminelëve të luftës, më pas i bëri thirrje të dorëzohej udhëheqësit serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç. Vizita e Mitropolitit Radoviç iu kushtua vëmendjes për objektet e kultit dhe varrezave të ushtarëve serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe përpjekjeve të pushtimit malazez të Shkodrës. Radoviç ka kërkuar që Mali i Zi të kujdeset për varrezat e ushtarëve të këtij shteti kudo në botë, e për rrjedhojë edhe në Shkodër.
Radoviç vizitoi kishën e Vrakës dhe atë të Rrushkullit, themelet e së cilave i përkasin shekullit IX. Kjo kishë është katolike e njëjtë me atë të Laçit. Pra, ajo konsiderohet si vend i shenjtë nga besimtarët e krishterë dhe duhet të përfshihet në axhendën e pelegrinëve. Më pas, Radoviç i është drejtuar fshatit Bardhaj, 7 km në verilindje të qytetit të Shkodrës, ku sipas tij ndodhen të groposur trupat e rreth 10 mijë ushtarëve serbë e malazezë, të rënë gjatë rrethimit të Shkodrës nga Mali i Zi, në tentativë për ta aneksuar, që i përket viteve 1912-1914. Pasi ka mbërritur këtu, Radoviç ka ushtruar ritet fetare të bekimit të varreve dhe lutjeve. Radoviç tha: “Ne jemi pelegrinë dhe kemi ardhur të vizitojmë vendet e shenjta që datojnë që nga kohërat e Apostujve të Krishtit. Kemi vizituar kishën në Rrushkull të shekullit IX, themelet e së cilës i përkasin kristianizmit të hershëm. Më pas kemi ardhur për të vizituar në vendin ku prehen eshtrat e ushtarëve serbë dhe malazezë të rënë gjatë Luftës Ballkanike (1912-1914), të cilët luftuan kundër pushtuesit osman. Këta ushtarë së bashku me të tjerë kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë nga Turqia. Këtu në Bardhaj kanë rënë më se 10 mijë ushtarë serbë. Unë doja të thosha edhe diçka tjetër, se ata kanë rënë në kohën kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për lirinë e vendit. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1941, kur serbë dhe shqiptarë së bashku në këto vende, luftuan kundër pushtuesit nazifashist. Është koha që të kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën në rininë e tyre, pasi ata kanë qenë kryesisht djem të rinj dhe të pamartuar”.
Radoviç nuk iu shmang pyetjes nëse do të kërkohej nga qeveria e Tiranës riparimi i varrezave të serbëve dhe malazezëve në të gjithë Shqipërinë, si dhe trajtimi si varreza publike. Ai tha se kjo kërkesë “duhet të bëhej” dhe kujtoi se “në mes dy luftërave kanë qenë të identifikuara të gjitha varrezat e serbëve në Shqipëri”. Mitropoliti shtoi gjithashtu, se varrezat u shkatërruan plotësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Varrezat janë të shenjta, pa marrë parasysh se cilës kohë dhe fe u takojnë. Duke pasur parasysh shenjtërinë e tyre, Mali i Zi ka filluar të bëjë identifikimin e varreve të okupatorëve, si italianë, gjermanë etj. Varri është i shenjtë dhe nuk ka armiqësi, pasi dheu i pajton të gjithë. Brenda në secilin varr ndodhet një person që ka lënë eshtrat e veta dhe shteti i Malit të Zi duhet të kujdeset për identifikimin e të gjithë të rënëve nëpër botë, ashtu sikurse do të duhej të kujdesej për të gjithë ushtarët e rënë në territorin e vet. Mali i Zi duhet të kujdeset për të rënët e vet që u flijuan për lirinë dhe jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - tha Mitropoliti Radoviç.
Pas varrezave në Bardhaj, grupi mori rrugën për të vizituar edhe Malin e Taraboshit, për të kujtuar ushtarët malazezë të rënë gjatë rrethimit të Shkodrës në vitet 1912-1914.
Objektet
Të gjithë objektet e kultit të Kishës Ortodokse në Shqipëri i përkasin vetëm kësaj dhe janë nën autoritetin e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Ndonëse Mitropoliti Radoviç u shoqërua nga përgjegjësi i Kishës Ortodokse të Shkodrës, At Nikolla Petani dhe Famullitari i Kishës së Vrakës, Radojca Nikçeviç, vizita e tij nuk e cënon autoritetin mbi Kishën Ortodokse Shqiptare që udhëheq Fortlumturia e Tij, Anastasi.
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes në Tiranë tha mbrëmë, se nuk ka pasur kurrfarë kërkese për riparim varrezash të ushtarëve serbë. Dikasteri që drejton Gazmend Oketa i tha mbrëmë “Korrierit” zyrtarisht, se “Ministria e Mbrojtjes nuk ka dijeni për një kërkesë të tillë” dhe se “Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka homologe Ministrinë serbe të Mbrojtjes”. Edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i tha mbrëmë “Korrierit” se në kohën e tij nuk kishte mbërritur kurrë ndonjë kërkesë për riparimin e varrezave të ushtarëve serbë.
Historia fare shkurt
Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 i dha shenjat e para të organizimit në janar, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Kryengritja ishte shprehje e shqetësimit të shqiptarëve për përvijimin e së quajturës “Aleanca Ballkanike” dhe vinte menjëherë pasi Porta e Lartë, Perandoria Turke, nuk arriti të ndërmerrte asnjë hap të rëndësishëm dhe serioz për të përmirësuar gjendjen pas Kryengritjes së vitit 1911. Shqiptarët pas dështimit të bisedimeve të Hasan Prishtinës me ministrin e Jashtëm perandorak për njohjen e kufijve të Shqipërisë (Porta e Lartë druante se njohja e kufijve do të nxiste shkëputjen e Shqipërisë), panë se tërësia e tyre territoriale mund të bëhej pre e fqinjëve, që gjithashtu merrnin shkas për të mos respektuar kufijtë e Perandorisë Turke pas pushtimit italian të Tripolit. Pasi fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha nuk e mbështetën idenë e Hasan Prishtinës dhe Ismail bej Qemalit për kryengritje të armatosur, Mali i Zi refuzoi të ndihmonte shqiptarët me armë, ndërsa Serbia pranoi, por me kushtin që të mos kërkohej autonomi nga shqiptarët. Luftimet e para nisën në pranverën e vitit 1912, kur kryengritësit u zunë pritë autoriteteve turke, një ministri në Gjakovë dhe në Pejë. Rrethimi i Shkodrës filloi në tetor 1912. Komandanti turk Hasan Pasha që nuk kishte më shumë se 10-15 mijë ushtarë. Serbët e malazezët numëronin ndërkaq më shumë se 50 mijë ushtarë dhe duke parë se turqit kishin humbur shumë nga kryengritja e shqiptarëve që nisi më 31 maj 1912, e kthyen në strategji fitoren mbi Shkodrën. Ndaj nuk mund të flitet se serbët dhe malazezët e çliruan qytetin që e mbajtën në rrethim për më shumë se 6 muaj. Ndaj gjithashtu, vështirë të besohet se Mitropoliti Radoviç ka të drejtë kur thotë se serbët paskan çliruar Shkodrën nga turqit dhe ndihmuan në pavarësinë e Shqipërisë.