E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Arapi: E vërteta për vrasjen e shoferit të Sollakut

Nga Klodiana Lala 

Kunji im nuk është Sali Berisha, por mendja e tij e sëmurë që na persekutoi dhe torturoi për vite". Altin Arapi, një nga të cilësuarit si anëtar i organizatë kriminale "Hakmarrja për Drejtësi Shqiptare", i dënuar me burgim të përjetshëm, i kërkon shefit të ekzekutivit, që platformën e "Hakmarrjes…" ta ekspertojnë ndërkombëtarët. Në një intervistë për GSH, azilanti politik flet gjatë për rininë, marrëdhëniet me vëllezërit Shyti, akuzat e ngritura ndaj tij, jetën në Belgjikë dhe martesën me Imelda Tashon, bionden simpatike që provoi burgun për hir të tij. "Rinia ime është një rini e djegur, një rini e rrëmbyer", - shprehet Arapi, i cili ka humbur çdo shpresë te drejtësia shqiptare. "Të drejtën do ta gjej në Strasburg", - pohon i dënuari….
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka marrë në shqyrtim kërkesën tuaj për rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Çfarë prisni nga kjo gjykatë?
Me sa jam i informuar unë, Gjykata e Apelit nuk e ka marrë akoma në shqyrtim kërkesën. Apelimi është kërkuar nga të dyja palët. Prokuroria kërkon rivendosjen e provave shkencore që vërtetojnë akuzat (gjykata na ka dënuar pa prova shkencore, sepse i rrëzoi ato) ndërsa mbrojtja kërkon pafajësinë. Çfarë pres unë? Po mbas dy deklaratave të z. President para dy-tri ditësh se: "Ne dëshirojmë që në Shqipëri të mos ketë më procese politike....."; " ....Mos mendoni se pavarësia e gjyqësorit do të jetë një proces i lehtë". Shtoji këtyre argumenteve raportin e OSBE-së mbi çështjen "Hakmarrja" si një proces politik. Shtoji kësaj dhe histerinë e kryeministrit ndaj gjithçkaje që s'është në kontrollin e tij, s'kam ç'pres, veçse lënien në vend të atij vendimi.
Kur Imelda, e fejuara juaj u burgos, u ndjetë përgjegjës?
Përgjegjësia ishte e atyre që e arrestuan. Nuk e arrestuan se ishte e fejuara ime, por e arrestuan që ta detyronin të pranonte se kishte qenë bashkë me Orik Shytin në vendin që ndodhi krimi. Akuzën e kishte Oriku, por meqenëse unë u arrestova më parë, i thanë shtetit belg, mbajeni sa na bën punë dhe ky. Këta shërbëtorë, pasi kishin thënë se ngatërresa ndodhi se menduan që autori i vrasjes ishte Oriku, ngaqë e kishin ngatërruar me Leartin që fytyrën e ka të bardhë, (opinioni e di se dëshmitarët e ngjarjes e kishin përshkruar fajtorin bardhosh në fytyrë) dhe pasi më panë mua në ekranet televizive (pasi u refuzua ekstradimi), hapën fjalë se "Altini ngjan shumë me Orikun, prandaj u ngatërruam". Më vonë, qesharakët e gjetën zgjidhjen, "i provuan gjykatës" me zonjën Sollaku se ai që kreu krimin nuk ishte bardhosh, por ezmer.
Si shkon marrëdhënia juaj pas gjithë asaj situate jo të favorshme?
Nuk mund ta lëkundin ngjarje të tilla marrëdhënien tonë, pavarësisht shfrytëzimit që asaj i kanë bërë në 1996, në 2003 dhe së fundmi në 2006. Shumë pak e dinë se si filluan sërish me 2006-ën larot e Berishës ta bezdisnin, pas daljes së tij në konferencën për shtyp prill 2006, gjë që i detyroi ikjen e menjëhershme nga ai vend. Në 2003-in, pavarësisht lajmërimeve të njerëzve nuk donte ta besonte, nuk mund të eksperimentonte më duke ndenjur në atë vend.
Tashmë jeni të martuar, keni fëmijë?
Po normalisht që bashkë jemi dhe një fëmijë është në projektin tonë të përbashkët.
Ç'kujtoni nga rinia juaj?
Rinia ime është një rini e djegur, një rini e rrëmbyer. Deri më 1996-ën ka qenë një rini normale, por pasi Sali Berisha kishte vjedhur votat e zgjedhësve në maj 1996, iu desh ta justifikonte dhunën për mbajtjen e pushtetit me alibinë e rrezikut të rikthimit të komunistëve në pushtet. Mendoi se "rreziku komunist" ishte bari (ilaçi) që do të bënte që ndërkombëtarët të mbyllnin sytë për vjedhjen dhe do ta toleronin despotizmin e tij. Zgjidhjen e gjeti me "Hakmarrjen për Drejtësi". Ngriti stafin e manipuluesve dhe në datën 16 tetor shpalli se kishte zbuluar një organizatë kriminale, "Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë", e krijuar për qëllime politike dhe për të arritur tek qëllimi, kishte vendosur autobombën tek Supermarketi i VEFA-s; kishte vrarë drejtorin e Burgjeve, kishte vrarë kambistë, kishte vjedhur banka etj. Dhe të gjitha i kishte kryer sipas udhëzimeve që merrte nga burgu i Bënçës, domethënë nga daja im, Aredin Shyti dhe sipas një platforme të shkruar që ishte kapur bashkë me kasafortën me një milion dollarë. Në këtë organizatë u përfshi edhe emri im. Në fillim thanë se "Hakmarrjen" e kishte krijuar në vitin 1992 Leart Shyti, djali i dajës tim, por pak ditë më vonë "merita e themelimit" iu njoh vëllait të tij Orikut, pa u menduar gjatë, në vitin 1992 Oriku ishte vetëm 15 vjeç. 120 persona të arrestuar. Presionet, torturat, masakrat për t'i detyruar të deklaronin se i kishin kryer këto krime, sollën pasoja të rënda në shëndetin e tyre. Tre nga këta persona ngelën invalidë, fëmija K.S., pësoi trauma të rënda, dy persona të tjerë pësuan kriza kardiake, të tjerët i kanë dhëmbët dhe krahët e thyer, të gjitha këto masakrime janë denoncuar në shtypin e kohës.
"Hakmarrja për drejtësi", ka ekzistuar kjo organizatë?
Nuk mendoja se ka njerëz në Shqipëri që ende mendojnë se ka ekzistuar organizata kriminale "Hakmarrja për Drejtësi". Por pyetja juaj tregon se ende ka. Të tillë duket se janë lexues të rinj në moshë. Po ka ekzistuar dhe ekziston në mendjen e S. Berishës. Taktikë perfekte politike për sulme politike. E përdorur intensivisht në mënyrë sistematike çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, për 12 vjet rresht. Historia na ka mësuar se mjeti shpiket nga nevoja dhe mbasi shpiket, përdoret, dhe "Hakmarrja" për kryeministrin këtë qëllim ka pasur dhe do të ketë për sa kohë ai do të jetë në politikë. Personalisht, emrin e "Hakmarrjes" e kam parë për herë të parë kur lexova gazetën "Albania", që për shumë kohë ka qenë gazeta e Sali Berishës. "Albania" e datës 16 tetor 1996, kishte botuar edhe një skemë që dëftonte funksionimin e organizatës. Sipas asaj skemës, unë isha kryetar apo shef i degës që kryente terror. Në fillim të muajit dhjetor të vitit 2007, avokati im, z. Dylber Mani kishte skanuar shumë fletë të fotokopjuara dhe m'i dërgoi me e-mail. Ai i shikonte për herë të parë ato dhe më kërkonte t'i përgjigjesha nëse i kisha shkruar unë. Kishte një ose dy fletë të veçanta që përmbanin citime të marra nga unë prej gazetave ose revistave. Këto s'kishin asnjë rëndësi për avokatin, por ai ishte i paduruar të dinte: e kisha shkruar unë përmbajtjen e një blloku shënimesh, i cili çelej me fjalët "Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë" dhe vijonte me rregulla si duheshin gjetur njerëz dhe si duheshin kryer krime. Në pamje të parë, edhe mua m'u duk se ato fletë ishin shkruar nga unë, pasi shkrimi ishte shumë i ngjashëm në imitim. Pasi i lexova, u sigurova se përmbajtja e fletëve të shkruara nuk kishte lidhje me mua. Asnjëherë nuk më kishin shkuar në mendje ato që ishin shkruar në bllok. Ato që ishin shkruar, përbënin platformën e "Hakmarrjes". Për të mos u zgjatur me shpjegime se cila ishte përmbajtja e bllokut, po ju lë në dorë përmbajtjen më të rëndësishme të tij dhe faksimile nga fletët e dërguara nga avokati. Prokuroria kishte kërkuar ekspertimin e shkrimit tim. I shkrova zotit Mani, të ishte i sigurt në kryerjen e detyrës së tij. Nga ekspertimi doli se platformën e "Hakmarrjes" nuk e kisha shkruar unë dhe askush nga "hakmarrësit". Shpresa e vetme e prokurorëve, që, nga frika apo nga qejfi i shërbejnë Sali Berishës me zell, ishte tretur. Duhet të jenë penduar të shkretët prokurorë. Por, po të kishin pyetur veten pse nuk e kishin kërkuar ekspertimin paraardhësit e tyre (zotërinjtë që kishin bërë hetime që në fillim dhe i mbrojtën akuzat deri në vitin 2001), nuk do ta kishin kërkuar ekspertimin e shkrimit të platformës.
Ai nuk mundohet shumë për të gjetur alibinë shpëtimtare. Në datën 27 tetor 2008, doli para parlamentarëve dhe sulmoi opozitën se kishte dashur që ekspert në ngjarjen e të ndjerit Kosta Trebicka të ishte eksperti i "Hakmarrjes për Drejtësi" dhe jo eksperti i "shquar" amerikan. Ata që nuk e dinë se ku realisht i djeg Sali Berishës, shtuan ndonjë fjalë për ta përqasur domethënien e "ekspertit" të 'Hakmarrjes për Drejtësi', me hamendësimin e tyre. Ata që e kanë ndjekur atë pjesë serioze të shtypit që boton ato që regjistrohen në procesverbalet e seancave gjyqësore, e morën vesh se me ato që tha, Berisha do që të krijojë përshtypjen se nuk janë ai dhe banditët e tij ata që krijuan "Hakmarrjen", që shkruan platformën e saj, por "eksperti ka bërë ekspertim të gabuar, sepse është njeri i opozitës". Unë e ftoj Kryeministrin që t'ua japë platformën e "Hakmarrjes" ta ekspertojnë ndërkombëtarët, meqë këto ditë i ka marrë shumë për zemër.
Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me vëllezërit Shyti?
Lidhje normale, siç mund të ketë çdo njeri me djemtë e dajës.
Në politikë jeni me ide socialiste, komuniste apo i djathtë?
Mendoj se jam një miks idesh. Tek unë s'di ku fillon e djathta dhe ku mbaron e majta. Jam pro politikave sociale dhe njëkohësisht në princip, jam kundër rolit të ndërhyrjes së shtetit në tregun e lirë.
Pas bombës te ish-supermarketi i VEFA-s, cila ishte keqardhja më e madhe që ndjetë?
Pyetja juaj ka dy aspekte: E para është keqardhja ime si person i akuzuar për këtë akt, ku gjykata në vitin 1998 më shpalli të pafajshëm dhe mbas një presioni të fortë politik të njohur nga z. Kryeministër, Gjykata në vitin 2008, po për të njëjtin akt të gjykuar për së dyti më deklaron fajtor. Dhe aspekti i dytë, keqardhja ime si qytetar në këto momente. Për aspektin e parë jam i detyruar që të ritheksoj për të disatën herë që nuk më lidh gjë me këtë akuzë. Përgjigjen është më mirë ta kërkoni tek z. Kryeministër, i cili është më i interesuari nga të gjithë që kurrë të mos zbardhë këtë çështje. Sepse pikërisht ai person që ushtron dhunë të paparë institucionale dhe verbale për mbylljen e kësaj akuze, aty duhet kërkuar dhe fajtori, çfarë i djeg këtij personi, çfarë halli ka? Pse persekuton gjyqtarë e prokurorë, pse nuk e lë drejtësinë të bëjë punën e vet? Fatmirësisht, opinioni po arrin t'i shohë nga dita në ditë taktikat e tij të fëlliqura që përdor me njerëzit e drejtësisë. Dhe për sa i përket aspektit të dytë, është më se normale të ndjesh keqardhje në një moment të tillë; gjëja e parë që më ka shkuar në mend ishte se aty mund të ishte mamaja ime, motra ime, apo ku di unë. Ishte gjë e tmerrshme.
Dëgjuat që vdiq Vera Dume, një vajzë e cila sapo ishte kthyer nga internimi?
Nuk kam njohur asnjë nga viktimat e asaj ngjarjeje. Viktimë mund të isha unë, mamaja apo motra ime. Pak pas momenteve të para të lajmit të tmerrshëm, një nga bashkëbisedueset tha: Shyqyr që s'ka fëmijë të vrarë. Për momentin mendova se e tha për të thyer heshtjen e rëndë. Por ajo ishte nënë dhe kishte të drejtë.
Jeni dënuar për vrasjen e shoferit të ish-kryeprokurorit Sollaku. Shënjestra juaj ishte gruaja e prokurorit, apo këto janë vetëm hamendje?
Me sa duket, shpifjet e Mero ziut kanë ngjitur si vetë ai në këpucën e Saliut. Të mos keqkuptohemi, fjalën nuk e kam për Meron e sotëm që, qejfmbetur nga ndarja e plaçkës, ditë për ditë i trazon Saliut me "Antenën" shpirtin mëkatar dhe të palarat e familjes, por për Meron e atëhershëm, kur bashkërisht përgatisnin dhe shpërndanin shpifje. Juridikisht theksoj se as sot e kësaj dite prokuroria dhe gjykata nuk kanë saktësim në arsyen e kryerjes së kësaj vepre. Arsyeja nuk dihet dhe në qoftë se ka ndonjë perifrazim të vagët aty-këtu, është e paprovuar shkencërisht. Por ish-shërbëtori i Berishës, do ketë qenë në hall të madh që zhduku nga dosja penale me dhjetëra akte penale dhe prova. Theksoj se nuk figurojnë në dosje, pra: Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e dëshmitarëve okularë që kanë parë ngjarjen, që kanë qenë me dhjetëra. Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e kamerierëve, bufetierëve dhe klientëve të lokalit ku ka darkuar personi që kreu vrasjen. Janë zhdukur nga dosja akt-ekspertimet daktilostopike të gjurmëve të gishtave që janë bërë në vendin ku ka darkuar personi. Janë zhdukur nga dosja dëshmitë e para verbale në ballafaqim jo legal të dëshmitarëve me të pandehurin. Janë zhdukur apo nuk kanë figuruar ndonjëherë në dosje përshkrimi i karakteristikave të personit të arrestuar, i cili do të përdorej për arsye krahasimi ligjor me dëshmitarët. Në Belgjikë, paralelisht dërgohen një sërë aktesh të manipuluara që tërheqin vëmendjen e shtetit, për t'i thënë jo kërkesës shqiptare. E sa e sa akte të tjera flagrante....
Vrasja e Bujar Kaloshit, drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, rëndon mbi supet tuaja....
Pyetjes po i përgjigjem me një pyetje. Pse duhet ta vrisja një njeri që nuk e kam takuar kurrë, që nuk më ka bërë as të keqen më të vogël? Edhe banditët e Berishës u vunë në kërkim të arsyes. Pasi hoqën dorë nga arsyeja politike, hapën fjalë se të ndjerin e vrava se kishte goditur me pëllëmbë dajën që ishte në burg. Meqë kjo nuk qe shumë e mençur për të qëndruar në këmbë, zgjodhën një arsye tjetër: i ndjeri kishte prishur saksitë me fidanët e luleve, që daja rriste në burg. Nuk kam dëgjuar për ndonjë shpikje tjetër, por e di mirë se unë jam i katërti në radhën e vrasësve. Në fillim Berisha e kishte provuar se vrasjen e kreu një X, më pas një Y, më 16 tetor 1996, vrasjen e kishte kryer Leart Shyti, kështu është shkruar në komunikatën e Ministrisë së Brendshme, madje në procesverbalet me "deklarime" të Leartit është përshkruar me hollësi në ç'mënyrë "e kishte vrarë". Arsyeja "e pranuar" nga Learti ishte se i ndjeri i kishte zënë rrugën me makinë dhe s'donte të tërhiqej nga gabimi. Prokurorët ia hoqën akuzën Leartit, por harruan të grisnin procesverbalet, të cilin avokati ia ka dhënë gjykatës. Por gjykata, megjithëse njësoj si gjykata e parë, i deklaron të gjitha provat shkencore të pavlefshme, mua më dënon se ashtu "kanë thënë të pandehurit" në pyjet e malit të Dajtit. Ç'të bëjë gjykata kur në vesh i oshtijnë britmat e Saliut për killerin e superkillerin Altin Arapi?! Asnjë dëshmitar nuk thotë se unë jam vrasës ose vjedhës, por ka një dëshmitar që shkon në gjyq, i thirrur nga prokurorët dhe deklaron para të dy gjykatave se: "Ka qenë pikërisht shefi i Komisariatit nr.2 të Policisë, që më ka ofruar 10 milionë lekë të vë gishtin mbi njërin nga të pandehurit". Dhe ky "vrasës" duhet të ishte Leart Shyti, sepse dëshmitarët që kanë parë ngjarjen me sy, e përcaktojnë vrasësin jo më të gjatë se 1.65 m. Ky shef është shpërblyer nga Berisha, siç bën me çdo bashkëpunëtor të tij në krim, me mandatin e deputetit. Kaq besoj se janë thelbësore për të kuptuar se ç'proces është ky.
Ju s'keni pranuar asnjë nga krimet që ju atribuojnë, atëherë mund të na thoni pse ju akuzojnë pikërisht ju?
Po të keni parasysh situatën politike kur u bënë akuzat, atëherë pyetja nuk do kishte nevojë për përgjigjen time. Berisha kishte dënuar dhe mbyllur në burgun e Bënçës Aredin Shytin, se gjoja kishte vrarë katër demonstrues në 2 prill 1991. Në 26 maj 1996, kishte vjedhur zgjedhjet dhe dy ditë më vonë kishte rrahur opozitën në sheshin "Skënderbej". OSBE dhe organizma të tjerë ndërkombëtare i deklaruan të papranueshme zgjedhjet dhe dënuan dhunën mbi opozitën. Më 16 tetor 1996, katër ditë para zgjedhjeve lokale organet e shtetit deklaruan se kishin zbuluar një organizatë politiko-kriminale, po citoj komunikatën e shpërndarë për shtyp në atë datë: "...zbulohet një organizatë terroriste me karakter politik, e cila kishte mision... ajo kishte për qëllim destabilizimin e rendit nëpërmjet shkatërrimeve... vrasjen e personaliteteve me detyra të larta shtetërore... Kryerja e këtyre akteve synonte të krijonte imazhin që demokracia është krim, siç deklaron Leart Shyti gjatë hetimeve (nuk ka asnjë procesverbal me deklarime të tilla)... Struktura organizative është ndërtuar nga specialistë të kësaj fushe.. në krye të organizatës ka qenë kupola e vëllezërve Shyti, Leart dhe Orik Shyti, djemtë e Aredin Shytit, njëri nga zyrtarët më të lartë të Sigurimit të Shtetit (nuk ka punuar në Sigurimin e Shtetit)... i dënuar për krimin e 2 Prillit në Shkodër... Paratë e grabitura, tani të bllokuara, janë ruajtur në kasafortën e Aredin Shytit, kasafortë e cila u gjend në banesën e Klement Kolanecit, gjë e cila tregon një nga elementët e lidhjes dhe të bashkëpunimit të dhëndrit të diktatorit me organizatën kriminale... Tendencat terroriste duken qartë në materialin udhëzues për rekrutimin e militantëve të rinj... të cilët duhet të plotësonin këto kritere... Dokumentimi i aktivitetit terrorist... nxori në pah dhe një arsenal të madh armatimi e municioni të kapur.. në bazat e tyre të fshehta...". Nga dokumentet e siguruara nga avokati, vërtetohet se janë arrestuar 120 persona, por ky numër është edhe më i madh. Pra nuk isha vetëm unë. Midis të arrestuarve kishte individë të njohur, profesorë, doktorë, njerëz që i përkisnin spektrit politik të majtë, të gjithë sepse, sipas mendjes së Berishës, donin ta rrëzonin nga pushteti dhe të vrisnin vetë atë.
Kunji juaj më i madh është kryeministri Berisha, pse?
Nuk kam kunj me të, por mendja e tij e sëmurë na ka persekutuar për vite me radhë, duke na rrëmbyer, masakruar, torturuar, thyer këmbë e duar, marrë e terrorizuar fëmijët duke i çuar në Mal të Dajtit, duke i kërcënuar se do t'i hidhnin nga gremina, duke pushuar familjarët nga puna, marrë me nënat, motrat dhe gratë tona, përndjekur nga njerëzit e SHIK-ut, përbaltur dhe dhunuar publikisht. Edhe këtë intervistë nuk do ta jepja në qoftë se ky persekutor nuk do thoshte ato që tha në parlament tri-katër ditë më parë. Ky shpifës, shpif dhe trumbeton se ka kod moral. Të njëjtën gjë thonë edhe fëmijët e tij. Por në të vërtetë kode kanë ata që ai sulmon. Askush nuk i thotë atij kriminel, megjithëse kanë arsye t'i përgjigjen me të njëjtën gjuhë, askush nuk i kujton atij se kodet morale e zakonore të shqiptarit nuk e justifikojnë t'i marrësh gruan me dy fëmijë kushëririt, megjithëse ai u shan gratë, nënat dhe motrat dhe i kërcënon për vrasje mu përpara kamerave.
Pse mendoni se Berisha ju zgjodhi pikërisht ju për t'ju veshur me gjëra që ju pretendoni se s'i keni bërë?
Më duket se jua sqarova. Pasi na zgjodhi dhe krijoi "Hakmarrjen", Berishës tani, më shumë se përdorimi i "Hakmarrjes" për qëllime politike, i duhet të mbrojë krimet e tij, jo vetëm autobombën dhe pasojat që ajo shkaktoi. Në qoftë se nuk bën këtë, do t'i duhet të pranojë se është krijuesi i "Hakmarrjes" dhe shkruesi i platformës së saj, se është ai që mbushi me armë apartamentin e marrë me qira nga Enkeled Agaj (nuk e kishte marrë fshehurazi, por me kontratë të rregullt), dhe në procesverbale shënoi se përkrah tyre gjeti edhe bllokun me platformën e "Hakmarrjes", se duhet të pranojë se ka gënjyer me gojë, me shkrim dhe me pamje filmike se në kasafortën e Klement Kolanecit gjeti një milion dollar të vjedhur nga "Hakmarrja". Falsiteti i këtyre provave është aq shumë i provuar, saqë edhe gjykata e dytë (kjo që dha vendim më 2008), u detyrua të pranojë në vendimin e saj se të gjitha provat që janë "gjetur" në apartamentin e marrë me qira janë false. Këto janë arsye të mjaftueshme që Berisha të luftojë për t'i mbajtur në skllavërinë e tij gjykatat dhe prokurorinë. Fatmirësisht, opinioni po arrin t'i shohë nga dita në ditë taktikat e tij të fëlliqura për të kapur çdo institucion të shtetit.
Asnjë nga grupi juaj s'ka kryer krime?
Këtu nuk ka grup, por ka persekutim politik. Tashmë kjo është e pohuar nga disa gjykata të vendeve evropiane dhe nga ekspertë të OSBE-së, që monitoruan këtë proces gjyqësor për dy vjet.
Në cilën fazë është kërkesa juaj në Gjykatën e Strasburgut?
Gjykata bëri kërkesën e fundit në datën 17 qershor të këtij viti. Me një dokument të shkruar, pasi konfirmon marrjen e dokumenteve të kërkuara, kërkoi t'i dërgohej versioni i daktilografuar i të gjitha procesverbaleve të seancave gjyqësore, duke përfshirë edhe procesverbalet e Gjykatës së Apelit. Në atë njoftim-kërkesë thuhet se "çështja do t'i nënshtrohet Gjykatës sapo të jetë e mundur, mbi bazën e dokumenteve dhe informacioneve të dërguara prej jush". Në fund të muajit gusht e dërgova versionin e daktilografuar të procesverbaleve. Pres që në muajt e ardhshëm të kem një vendim.
Aktualisht frekuentoheni me vëllezërit Shyti?
Po sigurisht, janë kushërinjtë e mi, është normale.
Çfarë keni vendosur të bëni nëse Apeli lë në fuqi vendimin për burg të përjetshëm?
Do apelohet në të gjitha fazat dhe dosja do niset drejt Strasburgut, siç u veprua dhe me dosjen e parë.
Çfarë njerëzish keni në Shqipëri?
Kam familjen time, gjithë farefisin.
Ju mungon rikthimi në vendin tuaj?
Më shumë se rikthimi më mungon fakti që vendi im s'po arrin dot të kapë nivelet dhe standardet më minimale, akoma vuajnë për energji elektrike dhe ujë të pijshëm, gjërat thelbësore të jetës.
Keni ardhur ndonjëherë ilegalisht?
Është njësoj si t'i thuash një njeriu të ligjshëm: A keni lëvizur ndonjëherë në mënyrë të ligjshme jashtë shtetit? Pyetja juaj, më shumë se mua ka të ngjarë të ngacmojë fantazinë e Saliut, që të urdhërojë truprojat që i ka bërë shefa të mëdhenj në polici, të dezinformojnë policinë ndërkombëtare. Jo më larg se një vit më parë dezinformuan se një i arratisur nga burgu ishte lidhje e Altin Arapit dhe strehohet në shtëpinë e tij.
Ku ndodhen prindërit tuaj dhe si i takoni?
Kam kohë pa i parë prindërit e mi, por normal, mallin e kam të madh për ta.
Cili ka qenë gabimi më i madh që keni bërë ndonjëherë?
Po gabime njerëzit bëjnë plot, cikli jetësor është i mbushur me gabime që pasohen nga mësimet duke të krijuar eksperienca që të vlejnë në jetë. Sa më i gjerë spektri i eksperiencave, aq me më përvojë ndihet edhe njeriu.
Po pengu që ju ka mbetur?
Mendoj se pengjet janë në proporcion me nivelin e ambicieve dhe dëshirave që ka njeriu në jetë. As dëshirat dhe as ambiciet nuk më kanë munguar në jetë, pavarësisht pengesave jetësore. Kështu që nuk mund të specifikoj një konkretisht, pasi e ndjej se kam më shumë se një.
Cila është gjëja që ju bren ndërgjegjen?
Fakti se si do të kish qenë jeta ime po të kisha jetuar rininë time.
I ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri?
Po patjetër, por edhe kur nuk kam kohë t'i ndjek, të afërmit më informojnë deri në detaje.
Si është jeta juaj në Belgjike, punoni?
Jeta këtu ka tjetër ritëm, është e ngjeshur; çdo njeri është në lëvizje e aktivitet, dhe shteti ka politika të tilla sociale që, edhe kur individi është i papunë, ai e aktivizon atë totalisht nëpërmjet kurseve të formimit profesional, si ato të profesioneve specifike po ashtu dhe formime të tjera, për kurse gjuhësh apo çfarëdo gjëje që të ketë nevojë një individ i cili kërkon punë. Dhe për këtë gjithçka është falas. Sepse shteti kërkon që të mos lërë inaktiv njeriun që është i papunë dhe njëkohësisht të mos e lërë mbrapa, por të ndikojë që ai të jetë i aftë sërish dhe të jetë në kontakt me risitë teknologjike, pra të mos ngelë mbrapa në atë që të ofron tregu i punës. Është një sistem i mrekullueshëm. Kështu që dhe unë bëj pjesë në këtë kategori, duke qenë pothuajse një pjesë të mirë të ditës i angazhuar.
Po Imelda ka gjetur punë?
Imelda është duke ndjekur një Master dyvjeçar në Akademinë e Luvenit, në fushën e Studimeve Europiane me finalitet politik "L'Europe dans le monde" pra "Europa në botë", dhe paralelisht është e angazhuar në Shoqatën e Studentëve të Akademisë që merren me studime specifike mbi problematikat europiane. Përgjatë kësaj kohe mbaroi me rezultate të larta dhe kursin e gjuhës flamande, një nga gjuhët zyrtare në Belgjikë dhe mendoj se ndjehet mirë në pasionet që ajo ka dhe në angazhimet intelektuale.
Na përshkruani një ditë tuajën normale?
Është aq normale sa çdo njeri i zakonshëm, s'ka aspak elemente të një karakteri të veçantë që mund të tërheqë lexuesin tuaj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›