E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni vazhdon me UMB Vollejn

TIRANË - Kreshnik Tartari, i sprovuari trajner i volejbollit shqiptar të femrave, duket se nuk e përfundon aq lehtë lidhjen e tij me emocionet. Pavarësisht karrierës së gjatë dhe trofeve të shumtë, ai ndjen sërish kënaqësi që stërvit ekipin e universitetit “Marin Barleti”, UMB Vollejn. Pasi doli nënkampion i kupës së Shqipërisë dhe gjysmëfinalist në plej ofin e kampionatit, “oreksi” i studentoreve (shtatë nga vajzat janë studente në këtë universitet) dhe i trajnerit të tyre është shtuar.

“Kam shumë vjet që merrem me trajningun, ndërsa kam qenë edhe volejbollist, - kujton Tartari karrierën e tij, - mendoja se tani pasioni nuk do të ishte diçka e fortë tek unë. Por puna që po bëj me këto vajzat më jep kënaqësi. Shkoj atje, i stërvis, ndonjëherë bëhem i bezdisshëm, u bërtas, por ato më durojnë. Për fatin tim të mirë, me duan”.

Natyrisht, ai synon trofe. “Gjithnjë kam punuar për të fituar dhe besoj se këtë vit një trofe do ta fitojmë, - thotë ai me siguri, - vjet ishim të dytët në kupë pas Tiranës dhe në kampionat arritëm deri në gjysmëfinale”. Jo keq për një skuadër shkollore dhe me moshë vetëm 5-vjeçare.

Tartari flet me modesti se UMB Vollej është një realitet i ri. Nuk është gabim t’i kujtojmë se Dinamo që më pas u bë shumë e madhe u krijua në volejboll për femra vetëm më 1972, ndërsa më 1974 doli kampione e Shqipërisë dhe fituese e kupës. Më 1980 arriti në katërshen finaliste të kupës së kampionëve të Europës.

Skuadra u themelua më 2003 si “Aulona”, dëshirë kjo e pronarit të saj Gafurr Dudaj, meqë ai është vlonjat. Më 2005 ajo u përfshi në strukturën e universitetit “Marin Barleti”, gjithashtu pronë e grupit Dudaj.

Administratorja e universitetit “Marin Barleti”, Adriana Berberi, tregon se është shumë e gëzuar për skuadrën e volejbollit. “Ne duam të kombinojmë përvojën evropiane me atë anglo-saksone, - sbprehet ajo, - në SHBA dhe Britani është tipike lidhja e punës edukative me jetën aktive, pra me sportin”. Natyrisht, si administratore, ajo dëshiron të flasë pak më gjerë për “Marin Barletin”. “Këtu bëhet punë kërkimore-shkencore e ndarë në anën juridike, ekonomike dhe gjeopolitike, - vazhdon, - dhe në vijim të planeve tona është edhe sponsorizimi i skuadrës së volejbollit”.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›