E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipja në një fjalor simultan në mes pesë gjuhëve

Botohet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një fjalor simultan me pesë gjuhë: anglisht, spanjisht, italisht, guaranisht dhe shqip. Autori i saj është shqiptari, që jeton dhe punon në Amerikë, Peter Tase. Ky botim përmban fjalët më të përdorshme në të folurën e përditshme dhe është ndërtuar në një mënyrë të tillë që e bën atë shumë praktik në përdorim. Renditja e fjalëve është bërë sipas rendit alfabetik të gjuhës shqipe, duke qenë se shqipja është gjuha që ka më shumë gërma në krahasim me pesë gjuhët e tjera. Në këtë vëllim, për herë të parë vendosen dy gjuhë të rralla: shqip dhe guaranisht, mes tre gjuhëve moderne: anglisht, spanjisht dhe italisht. Tase tregon se në këtë mënyrë, përdoruesit të thjeshtë, linguistit apo leksikologut i jepet mundësia që të krahasojë këto gjuhë mes tyre fare lehtë dhe, njëkohësisht, të mund të shikojë nga afër elementët e përbashkët. Botimi është një referencë e rëndësishme si për studiuesit e mirëfilltë ashtu edhe për studentët. Për herë të parë studiuesi shqiptar mund të njohë nga afër një gjuhë autoktone të folur nga fiset indigjenase Tupi-Guarani në Amerikën e Jugut. Gjuha guarani ka qenë e formuar plotësisht përpara se të mbërrinin kolonizatorët spanjollë në këtë kontinent. Me kalimin e shekujve duket qartë se influenca e spanjishtes ka lënë gjurmët e veta edhe në gjuhën Guarani e cila flitet nga një numër i madh fisesh vendase: Paraguai, Bolivi dhe në disa territore të Brazilit dhe Argjentinës, me pothuajse dyzet dialekte.

Fjalori është i shoqëruar edhe nga dy recensa të përgatitura nga ish-Presidenti i Paraguait, z. Luis Angel Gonzalez Macchi (1999-2003) dhe nga Drejtori i Korpusit të Paqes në Paraguai, z. Michael Eschleman, ku edhe punon shqiptari Peter Tase. Aktualisht, është botuar nga një shtëpi botuese amerikane dhe e vënë në shitje online nga distributori i fuqishëm Amazon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›