Koleksioni njerëzor
Premiera / Aktorët e "Koleksionit të Përhershëm" rrëfehen para premierës për personazhet që jeta u ndryshon befas.
Shfaqja e dramës së autorit amerikan Thomas Gibbons, me regji të Clarence Gilyardit vjen premierë më 5 qershor
Teatri Kombëtar shfaq nesër premierën "Koleksioni i përhershëm" (2005) të dramaturgut amerikan Thomas Gibbons. Regjisori Clarence Gilyardit ka dy muaj që punon me aktorët shqiptarë. Gibbons është një autor i interesuar për temën e racizmit.
Ka shkruar për Teatrin e Filadelfias dramat "Pretending to America", "Black Russian", "A house with no walls", por trajtimi që i bën racizmit në veprën që shohim nesër në teatrin e Tiranës, arrin kurorën e refleksioneve që ai ka për fenomenin dhe për shpërdorimin e pushtetit njerëzor.
Clarence Gilyardit është i bindur se mesazhi i fortë i "Koleksionit të përhershëm" i flet çdo lloj audience. Kështu që iu përgjigj ftesës që Pirro Dollani, kolegu i tij shqiptar në Universitetin e Nevadës, i bëri për ta inskenuar veprën në Shqipëri. Dollani e përktheu në shqipe për këtë rast.
Gilyard, profesor i "Teatrit Protestues", ka pasur edhe një karrierë kinematografike në fillimet e veta, aktor në filmat "Texas Ranger" përkrah Chuck Norris apo te "Matlock" me Andy Griffith.
Dy ditë para premierës, Gillyard e theksoi ai beson në rolin një teatri politik. Me "Koleksionin e përhershëm" ai kërkon që audienca të përtypë çdo gjë që thuhet në dramë për racizmin, të ndjekë dialogët dhe sjelljen mes të diskriminuarve dhe diskriminuesve, të vihet në pozitat e secilës palë dhe të reflektojë.
E gjithë historia e dramës ngjet në fondacionin e artit "Alfred Morris", që pas vdekjes të të plotfuqishmit Morris, merret në dorë nga Sterling North, një 45-vjeçar me ngjyrë. North shpesh bie ndesh me parimet e drejtorit të edukimit, Pol Berrou, 45 vjeç dhe jo rastësisht i bardhë.
Në lojë hyjnë personazhe të tjerë si Ela Franklin, asistentja 60-vjeçare që ka një jetë që punon në fondacion, gazetarja Xhillian Krein, që me artikujt e saj nxjerr të vërteta tronditëse dhe karakteri më i ri femëror Kanika Uiver, një zezake 30 vjeçe, që me energjinë e saj nxjerr nga loja Elën.
Në këtë mozaik të vogël personazhesh secili ka një pozitë kyçe dhe personifikon jetë njerëzish të një pozite të caktuar që papritur iu përmbyset fati.
Gibbons vë në qendër racizmin e njeriut të bardhë kundrejt atij me ngjyrë, njeriut me pushtet dhe atij me pozitë të ulët, gruas së re dhe të vjetrës. Por thellë në vepër zbulohen të fshehtat e atyre që pasurohen dhe forcojnë pushtetin nëpërmjet artit.
Tinka Kurtin në rolin e Elës, thotë se e ka punuar me dëshirë dhe përgjegjësi këtë rol të vogël. Duket lidhja e ngushtë që ka krijuar me rolin.
Aktorja i kërkon përkthyesit Dollani që t'i shpjegojë qartë gjithçka që thotë në anglisht partneri i saj, Clarence Gilyardit, në rol Sterling North. Sepse Gilyard gjatë gjithë shfaqjes flet gjuhën e tij.
"Aktori nuk ka të drejtë të thotë, ky është rol i vogël dhe e nënvlerësoj. Edhe dy fjalë janë të domosdoshme të thuhen për hir të së përgjithshmes", thotë aktorja, e cila duket e kënaqur nga bashkëpunimi me Gilyardin, sidomos për për mënyrën e komunikimit dhe përkushtimin e tij.
Puna profesionale e regjisorit u vlerësua nga të gjithë aktorët në shfaqje.
Mirush Kabashi, në rolin e Pol Berrout, tregoi se që nga "koha e Pirro Manit" nuk kishte parë regjisorë të punonin "kështu" në teatër. Kur flet për profesionalizëm, Kabashi ka parasysh mishërimin e konkretësisë dhe vërtetësinë e interpretimit.
"Roli im ka pasur një sfidë: superimin e gjuhës, për t'iu përgjigjur mendimit me mendim, për të bërë një përplasje të koncepteve të njëri-tjetrit dhe fjala të mos bëhej pengesë", thotë aktori.
Ai e cilëson "Koleksionin e përhershëm" një shfaqje intelektuale që i fton njerëzit të shohin nga vetja dhe të reflektojnë për gjykimet dhe paragjykimet që bëjnë shpesh.
Ema Andrea ka një rol krejt ndryshe nga ç'jemi mësuar ta shohim. Është gazetarja e ftohtë, profesionale, me emrin Xhillian Krein.
Ema tregon se është përpjekur të gjejë nuanca me karakteret që sheh dhe njeh, por duket që e ka patur të vështirë. Rolin e "gazetares profesioniste që beson në atë që bën", Andrea e ka marrë si sfidë.
Esmeralda Metka është karakteri tjetër femëror.
Ajo interpreton Kanika Uiverin.
Një personazh me rëndësi është edhe ai i Alfred Morrisit, që i është besuar Fatos Selës. Do ta shohim në skenë si njeriun e plotfuqishëm, me pushtet, që adhurohet nga të gjithë edhe kur nuk jeton më.
Prandaj mesazhi i veprës qëndron tek fjalët që Morrisi thotë ndërsa viziton të gjallët: "Fondacioni i ka dyert e hapura për popullin e thjeshtë...për burrat dhe gratë që u del shpirti në ofiçina, fabrika, dyqane dhe zyra.
Dhe nuk janë të hapura për ata që mendojnë se arti ka tre shekuj që nuk përparon më. Po kështu, nuk janë të hapura për të ashtuquajturit ekspertë të Muzeut të Artit, të kësaj banese të prostitucionit artistik dhe intelektual."
Clarence Gilyard nuk foli gjatë për premierën, subjektin dhe rolet, biseda të konsumuara tanimë në takimin e mëparshëm me median.
Ai beson në punën me aktorët, në këtë projekt të madh që ka në duar. Ai e di që shfaqja nuk mbaron me prezantimin më 5 dhe 6 qershor, ora 20.00 në sallën e Teatrit Kombëtar.
Karakteret, personazhet do të ndjekin edhe pas një viti, kur të jetë diku me pushime apo duke ngarë makinën.
Skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj dhe kostumet nga Edlira Qyshka.
"Koleksioni i përhershëm" është premiera e katërt e sezonit artistik.
Përkthyesi Pirro Dollani:
Duket një tekst politik
"Kjo nuk është dramë aksionesh. Natyrisht është një dramë ku ndeshen pikëpamje filozofike, pikëpamje morale, estetike dhe kjo e bënte shumë të vështirë shqipërimin, sepse ka shumë nëntekst.
Kjo mund të jetë vepra e nëntë që kam përkthyer, por këtu me të vërtetë jam ndeshur në vështirësi. Kam punuar edhe këto ditë me aktorët, pasi teksti është tepër figurativ, duket sikur është një tekst politik, por çdo fjalë është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që duhet t'i gjesh kuptimin e duhur."
Skenografi Bashkim Zahaj:
Skenë pa simbole
"Në mënyrë figurative, nuk duhet që elementët skenografikë të dublojnë me lojën e aktorit ose me mendimin regjisorial. Kjo gjuhë koreografike është përdorur për ta lënë regjisorin të lirë në lojën e vet regjisoriale dhe aktorin të lirë në lojën e vet aktoriale.
Është një trajtim arkitektonik i një ambienti në të cilin zhvillohet një debat. Autori e kishte të precizuar këtë në vepër. Kërkohet një skenografi tepër elegante, e thjeshtë, e pangarkuar dhe pa elementë simbolikë."