E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptar apo tradhtar ?

Xherdan Shaqiri ka ndezur rrjetin social Facebook. Mesfushori i ri i Bayern Munichut ka publikuar një fotografi, ku pas një poze me fanellën e përfaqësueses së Zvicrës e hoqi atë dhe ka shfaqur një vizatim të bërë mbi zemër. Nuk ishte një simbol, por flamuri i kuq me kryq të bardhë i shtetit helvetik. Kjo ka tërbuar një numër të konsiderueshëm të përdoruesve që e thërrasin “tradhtar". Por, pati edhe të atillë që mbronin vendimin e tij.

Një foto e mesfushorit të ri të Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri e publikuar në rrjetin social Facebook ka tërbuar një numër të konsiderueshëm të përdoruesve – pa dyshim shqiptarë - që e thërrasin “tradhtar” dhe madje përdorin edhe fjalë fyese në drejtim të tij.

Por, pati edhe të atillë që mbronin vendimin e tij. Edhe pse duhen edhe thuajse tre javë deri në ndeshjen Zvicër-Shqipëri, që do të luhet më 11 shtator, polemikat dhe tensionet kanë nisur të dalin në sipërfaqe.

Nëse çështja e biletave ishte dhe është një nga më të nxehtat, këtu duhet futur edhe ‘urrejtja’ nga një numër i madh i tifozëve kuq e zi për futbollistët që zgjodhën fanellën e Zvicrës dhe jo atë të Shqipërisë, edhe pse vendlindja e tyre është në Kosovë dhe jo në vendin helvetik.

Momentalisht janë pesë shqiptarë në Kombëtaren e Zvicrës (Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemajli dhe Admir Mehmedi), por ka mjaftuar gjesti i njërit prej tyre për të ndezur polemikat ku fyerjet s’kanë munguar. Është rasti i yllit të ri të gjigantit bavarez, Shaqirit, që u largua nga Baseli si lider dhe fitues i titullit dhe ka bërë menjëherë për vete tifozët e Bayernit, por dhe kritikët që e krahasojnë me legjendën Mehmet Scholl.

Mesfushori i lindur në Gjilan, duke pozuar me fanellën e Kombëtares së Zvicrës, bashkë me shokun e skuadrës Gokhan Inler (po ashtu futbollist i natyralizuar), pasi ka hequr fanellën, ka shfaqur një vizatim të bërë mbi zemrën. Nuk ishte një simbol, por flamuri i kuq me kryq të bardhë i Zvicrës. Një foto që ka ngjallur tërbimin e tifozëve në rrjetin social “Facebook”.

Aty ka nisur një debat i ashpër mes atyre që e mbronin dhe atyre që e fyenin dhe e akuzonin si tradhtar. Por, kishte edhe të atillë që e mbronin atë. Shaqiri në faqen e tij zyrtare shpesh shkruan në shqip. Ndërsa për disa mesfushori s’ka asnjë faj që ka zgjedhur Zvicrën, pasi e ka shkolluar dhe i ka dhënë mundësi të shkëlqejë.

Shaqiri në të shkuarën është duartrokitur nga shqiptarët, pasi në këpucët e tij të futbollit ka treguar flamurin kosovar dhe atë shqiptar, duke dhënë idenë se ende ndien për atdheun e tij. Gjithashtu, ai bashkë me Granit Xhakën janë akuzuar nga mediet helvete se nuk këndojnë himnin.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e saj të parë të grupit ndaj Qipros më datën 7 shtator në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa të dytën do të luajë katër ditë më pas, më 11 shtator, në Lucern, në stadiumin “Swissporarena” ndaj Zvicrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›