E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja e parë, Tirana, pa trajner në Berat

Tirana është nisur dje pasdite drejt Beratit, për të startuar sot një sezon të ri. Në orën 17:00 ata do të ndeshen me vendësit e Tomorit në një takim që, përpos emocioneve, rezervon edhe shumë, po shumë pikëpyetje. Më e rëndësishmja është kontrata e Hulian Rubios. Ai, prej ditës së djeshme është trajner i lirë. Ende nuk ka firmosur dhe, sipas rregullores së Federatës, smund të ulet në stol. Se çfarë do të ndodhë, kjo mbetet për tu parë vetëm sot. Në një intervistë të dhënë për mediat, trajneri ka folur për shumëçka. Ndryshe nga çdo herë, ka folur me dëshirë për rinovimin e tij të vonuar, por jo vetëm. Ai ka prekur edhe çështjen e merkatos, ndeshjen kundër Tomorit, por edhe miqësoren që pritet të zhvillohet mes Flamurtarit dhe Seviljas. Kontrata është diçka personale dhe nuk mund të flas publikisht për të. Unë nuk kam asnjë problem që ta firmos kontratën, por ama dua që të procedohet sipas rregullave të përcaktuara qartë dhe në mënyrë ligjore. Unë jam gjithnjë i qetë. Sjam nervoz, sepse jam i kënaqur dhe i ndërgjegjshëm për punën që bëj. Nuk e kuptoj as vetë se pse kontrata nuk u firmos para ndeshjes së parë. Kemi bërë dy mbledhje deri tani dhe vetëm për kontratën time nuk është folur asnjëherë. Gjithsesi, deri atëherë, mendoj se ka kohën e duhur për tu realizuar. Unë po jap modelin tim, po jap kontributin tim. Edhe para takimit me Alesundin isha gati për ta firmosur, por nuk ndodhi, tha dje Rubio.

SINA DHE G.LIKA, LARGIMET E RADHËS?
Elvis Sina dhe Gilman Lika ende nuk dihet nëse do të jenë apo jo pjesë e Tiranës në sezonin e ri. I pari vijon bisedimet me vlonjatët, ndërsa i dyti kërkohet me ngulm nga ukrainasit e Travijas. Dy elemente cilësore dhe të vyera për mbrojtjen e mesfushën, mirëpo duke qenë se edhe përfitimi do të ishte më i lartë, ata paramendojnë largimin. Ish-kapiteni, i cili nuk luan sot, pasi është i dëmtuar, pritet në Vlorë në fillimjavë, ndërsa për të dytin vazhdojnë bisedimet dhe është vetë klubi bardheblu që po merret me gjithçka. Megjithatë, ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse do të qëndrojnë apo do të ikin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›