E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët nuk janë për ndarjen e Maqedonisë

“Deklarata e ish ministrit të Mbrojtjes Luben Paunovski tregon se vetë bartësit e funksioneve më të larta shtetërore në vend kanë qenë të interesuar për ndarjen e Maqedonisë, thotë ish- deputeti i PPD-së”, Ismet Ramadani.

Ramadani tha për ALSAT -Maqedoni se përkundër deklaratave të politikanëve maqedonas, liderët shqiptarë asnjëherë nuk kanë folur për ndarjen e vendit, ndërsa tërë kohën shqiptarëve u vishet teza se gjoja ata duan ndarjen e Maqedonisë.

“Fakti që, siç tregon tani ministri i Mbrojtjes Paunovski, është zhvilluar një bisedë mes kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme dhe atij të Mbrojtjes, që për një shtet janë institucione tejet të rëndësishme, atëherë shtrohet një pyetje tjetër, pse atëherë çdo herë në mënyrë të vazhdueshme shqiptarët janë fajtor kujdestar për faktin se sipas tyre se ata janë destabilizues, ata janë për copëtim apo ndarje të Maqedonisë. A, nga ana tjetër nuk kemi asnjëherë deklaratë të ndonjë lideri të ndonjë partie shqiptare relevante qoftë pjesëmarrëse në qeveri apo opozitë të ketë thënë se Maqedonia duhet të ndahet, duhet copëtohet e kështu me radhë”, deklaroi Ramadani.

Ramadani më tej shton se shqiptarët në vend gjithmonë kanë qenë për bashkëjetesë dhe barazi. Por Ramadani thotë gjithashtu se nuk duhet të ketë tabu temë për këto çështje.

“Shqiptarët gjithnjë kanë plasuar ide dhe teza për bashkëjetesë, barazi, për plotësim të të drejtave të cilat janë legjitime dhe atëherë kur është ngrit pak më shumë zëri për këto të drejta, shqiptarët janë kualifikuar qofshin ato liderë apo figura tjera politike si destabilizues, si njerëz që duan ta ndajnë Maqedoninë”, shtoi Ramadani.

Ish ministri i Mbrojtjes Luben Paunovski, i cili foli publikisht për idetë e ish kryeministrit Lubço Georgievski dhe ministres së Punëve të Brendshme Dosta Dimovska për ndarjen e Maqedonisë, tha se në Maqedoni edhe më tej ekzistojnë qarqe të caktuara që nuk heqin dorë nga idea për shpërbërjen e Maqedonisë, e cila nuk do të jetë e mundur pa nxitjen e konfliktit me shqiptarët.

Ish ministri i mbrojtjes Luben Paunovski ka thënë gjithashtu se qëllimi kryesor i ish kryeministrit Lubço Georgievski dhe ish ministres së Punëve të Brendshme Dosta Dimovska ka qenë bashkimi i Maqedonisë me Bullgarinë, ndërsa shqiptarët sipas planit të Georgievskit do të merrnin Dibrën, Gostivarin dhe Tetovën.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›