E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, 33 milionë USD për sigurimin e pronës

Sigurimi i pronës dhe jetës nuk përbën më tabu për publikun shqiptar, i cili për vite me radhë (i detyruar nga ligji) ka mundur të sigurojë vetëm automjetin. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se për vitin 2008 vëllimi i kontratave të shkruara bruto për sigurimin vullnetar arriti shifrën 3,1 miliardë lekë, ose rreth 33 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2007, ndërgjegjësimi për të siguruar jo vetëm automjetin, por edhe pasuritë e tjera, përfshirë dhe jetën, është rritur me të paktën 50 për qind, ndërsa si numër kontratash të lidhura me kompanitë e sigurimit është rritur me rreth 57 për qind.

Konkretisht, për sigurimin e pasurisë (shtëpi, prona, biznese) tregu ka njohur një rritje me rreth 60 për qind në krahasim me vitin 2007. Në vlerë monetare janë rreth 20 milionë dollarë shpenzime nga individë të ndryshëm për të siguruar pronën, përgjegjësinë dhe garancitë. Vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 42.25 për qind, pasuar nga sigurimet prej zjarrit dhe dëmtimet në pronë me rreth 39.46 për qind, si dhe sigurimi i garancisë me 10 për qind. Në vitin 2008, sigurimet e përgjegjësisë kanë dinamikën më të lartë të rritjes dhe ndikimin kryesor në rritjen e tregut të pronës, përgjegjësive dhe garancive. Rritja e këtij portofoli me rreth 151% krahasuar me vitin 2007, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike në këtë periudhë patën një rritje prej 187 për qind në volumin e primeve të shkruara bruto, si dhe një rritje me 38.87 për qind të numrit të kontratave, krahasuar me vitin e kaluar. "Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinierike", raporton AMF-ja për vitin 2008. Sipas Autoritetit, sigurimet nga zjarri janë rritur me rreth 25 për qind. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në vitin 2008 arritën në rreth 313 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 67 për qind në krahasim me vitin 2007. Kurse peshën më të madhe prej rreth 73.38 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti Jetë Debitori. "Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë", sqaron AMF-ja.

Tendenca

Sigurimet, 7%

i takon "jetës"

Gjatë vitit 2008, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 692 mijë, duke shënuar një rritje prej rreth 27.33 për qind në krahasim me vitin 2007. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 7 miliardë lekë, shifër kjo 19.45 për qind më e lartë se 2007-a. Si zakonisht, tregu vazhdon të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 92.70 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.30 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.82 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.18 për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve, ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›