E Shtunë, 31 Tetor 2026

SI U BE KOKTEJL EKZOTIK KLITHJA PER LIRI

1.

Ishin fshehur prapa shtyllës më të madhe të restorantit, aty ku nuk do të shiheshin nga mysafirët e tjerë që do të mbërrinin për në drekë. Njëri, mbledhësi i fondeve për aktivitetin revolucionar në New York, tjetri vëllai i njërit prej prijësve të revolucionit. Do të ketë qenë ndonjë takim jo i rastësishëm dhe duhet të ketë qenë gjithsesi i rëndësishëm; nuk dilet jashtë qytetit, në një restorant që nuk vizitohet shumë në atë orë të drekës, nuk fshihet prapa shtyllës më të madhe, duke u mbrojtur sa nga shikimet e njerëzve, ashtu edhe nga joshja natyrale e dritës së diellit.

Ditën e të qenit dëshmitar i rastësishëm i takimit sekret, apo ndoshta vetëm diskret, lexoja për një familje që gjatë një shekulli kishte pasur të dy komponentët: sekretin dhe revolucionin. Në "Bacardi dhe lufta e gjatë në Kubë" (Viking, New York, 2008), gazetari amerikan, Tom Gjelten, me një narracion të veçantë jep historinë e Kubës nëpërmjet këndit të familjes Bacardi, e cila sot njihet nëpërmjet rumit. Dhe, nëpërmjet rrëfimit të rumit, autori rrëfen për një familje të jashtëzakonshme, të përkushtuar për lirinë e Kubës. Familja Bacardi do të gjendet në krye të përkrahjes së ndryshimeve revolucionare të Kubës; në luftë për çlirim nga Spanja; në luftë për konsolidimin e vendit dhe mëvetësimin e saj nga kolonializmi amerikan; në luftë kundër diktaturës së Batistës, dhe në fund, në luftë kundër diktaturës së Fidel Castros.

Mysafirët e restorantit prishtinas, të fshehur prapa shtyllës, hynë disi natyrshëm në rrëfimin tim. Njëri kishte qenë bojaxhi, pastaj pronar i një kompanie ndërtimore enterierësh, pastaj mbledhës fondesh për UÇK-në dhe tash administrator i privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë. Tjetri ishte bërë i njohur si vëlla i Kryeministrit të tanishëm; pas lufte i zënë nga KFOR-i me qindra mijëra marka në efektiv, gjë që shkaktoi ftohjen e parë mes UNMIK-ut dhe politikës kosovare. Me vete, dhjetë vjet pas luftës, kishin, të hipur në pushtet, revolucionin. Me shtyllën e godinës kishin sekretin. Por, siç do të tregonte familja Bacardi, me revolucion dhe sekret shkon së bashku objektivi kryesor i evidentuar prej historisë së tyre të jashtëzakonshme familjare, kontrolli i pronës.

2.

E tëra filloi me gjetjen e formulës së zbutjes. Për familjen Bacardi, formula e zbutjes i referohej rumit, i cili deri në fund të shekullit XIX ishte identifikuar si një pije e vrazhdë, e dalë me llum prej distilimit e me aroma të forta, agresive. Për të gjitha pushtetet me të cilët u ballafaqua familja, prej vitit 1862 kur don Fecundo Bacardi, emigrant katalonas në Santiago de Cuba, do të vendoste të shkëputej nga tradita e imigrantëve spanjollë të bërjes së pasurisë me shitore artikujsh të përgjithshëm e t‘i dedikohej prodhimit të rumit, formula e zbutjes ishte ajo e përdorimit të emrit të mirë të familjes për nevoja të tyre, dhe ushtrim i trysnisë, për të përfituar më pas qoftë materialisht apo politikisht nga ajo.

Formula e zbutjes u gjet bukur e shpejt nga familja Bacardi. Rumi i saj do të bëhej po nga melaset e kallamit të sheqerit, por do të kalonte nëpër filtrim qymyri, që duhej ta bënte destilatin transparent dhe sa më joaromatik. Më tej, duke angazhuar prodhues fuçish nga Evropa, të mësuar me procesin e ruajtjes së konjakut, do duhej ruajtur ajo pjesë e prodhimit, që duke marrë aromën dhe ngjyrën e fuçisë, do të merrte edhe emrin Añejo, i vjetër.

Formula e zbutjes, nga ana e administratës koloniale spanjolle, ishte internim në burg, në Afrikën Veriore të Emilio Bacardit, atij që do të ngrinte kompaninë më këmbë e që njëkohësisht do të përkrahte me para e me një djalë të porsambushur tetëmbëdhjetë vjeç, rezistencën dhe luftën për pavarësi.

Pastaj, me pushtimin amerikan të ishullit më 1898, formula e zbutjes do të ishte emërtimi e ish të burgosurit spanjoll si kryebashkiak i Santiagos, me shpresë sekrete se pas dy a tre vjetësh Kuba do të bëhej pjesë e SHBA-ve.

Emilio Bacardi, pas gati njëzet vjetësh aktiviteti politik për çlirimin e Kubës, duke e përjetuar me gëzim largimin e Spanjës, e pastaj edhe gradualisht, me lejen e amerikanëve, ngritjen e flamurit kuban, do të zhgënjehej me shtetin e ri, në të cilin palët konkurrente kubane përpiqen të eliminojnë njëra-tjetrën, duke rikthyer intervencionizmin ushtarak amerikan, dhe do t‘i kthehej kompanisë së rumit dhe shkrimeve të historisë së Santiago de Cubës.

Në atë moment, parulla me të cilën luftuan shumë atdhetarë, u shndërrua në një koktejl.

Fausto Rodriguez, një shërbëtor i gjeneralit amerikan Wood, duke parë se amerikanët kanë qejf të pijnë Coca Cola, i shtoi në një gotë edhe pak Bacardi. Atyre u pëlqeu, kërkuan edhe një. Cakërruan gotat, e Fausto ngriti dolli:

Por Cuba Libre! (Për Kubën e lirë!)

Amerikanët menduan se kështu quhej koktejli, dhe kështu njihet edhe sot.

3.

Edhe Daiquiri (shqiptohet daikiri, me theks në i-në e fundit) është koktejl me rrëfim amerikan. Këtë emër e ka një minierë plumbi në Kubën lindore. Administratori amerikan i saj vendosi një ditë që të përziejë rum, lëng lime (limoni të gjelbër), sheqer të papërpunuar dhe akull të bluar.

Shumë shpejtë ky u bë koktejl i njohur, bile aq, sa nja 50 vjet më vonë hyri në letërsi, madje nga fituesi i "Nobel"-it, Ernest Hemingway, i cili do ta bënte të famshme kafenenë "Floridita" në Havanë, ku do ta pinte daiquirinë e tij të paradrekes.

Kjo kohë e artë për rumin- e Bacardi tashmë ishte identifikuar si "brand name" i rumit në tërë botën -ishte njëkohësisht koha e shndërrimit të Kubës në një kazino dhe bordello të madhe. Prej vitit 1920, të ndalesës së alkoolit në SHBA, Kuba ishte shndërruar në magnet për ata që, me dy orë fluturimi, do të mund të argëtoheshin me pije pafund. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq, dhe luftës kundër krimit të organizuar në Amerikë, mafia kishte gjetur vendin e vet për biznes.

Njëra pas tjetrës, qeveritë kubane i nënshtroheshin krimit të organizuar, nëpërmjet diktatorit ushtarak, Fulgencio Batista.

Pepin Bosch, prijësi i kompanisë, i cili kishte pasuar Emilio Bacardi-n, do të bënte observimin për natyrën e kësaj diktature, apo të diktaturave në përgjithësi, qoftë edhe atyre që zgjidhen me votë të lirë, siç ishin disa qeveri kubane.

"Këto diktatura kanë dy faza ekonomike. Në fillim, diktatorët dhe njerëzit e tyre përqendrohen në paranë qeveritare. Keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i fondeve për punë publike është i mjaftueshëm për të kënaqur dëshirën e tyre për t‘u pasuruar. Por, në fazën e dytë, këto fonde nuk janë të mjaftueshme, dhe atëherë ata i drejtohen akaparimit të bizneseve vendore për përdorimin e tyre personal".

4.

Kjo analizë do të ishte largpamëse. Ndonëse mund të lexohet sot në shoqëritë e tranzicionit, ajo ishte në mënyrë imediate e vlefshme për të kuptuar ngjarjen më të madhe të Kubës, revolucionin e Fidel Castros të vitit 1959, i cili në ditën e parë të këtij viti mbushi 50 vjet.

Pepin Bosch kishte ndihmuar me para dhe me ndikim politik në SHBA lëvizjen revolucionare të Castros, duke e parë si forcë që do ta çlirojë Kubën nga diktatura e Batistës dhe do të ndërtonte një shtet, i cili nuk do të ishte koloni e askujt, do të ishte demokratik e do të kishte një politikë përgjegjëse sociale (që ishin tri parimet e familjes Bacardi për çështjet politike në 100 vitet e kaluara).

Historia me Castron tashmë dihet. Menjëherë pas marrjes së pushtetit deklaroi se moraliteti ishte më i rëndësishëm se ligjet, ndërsa pushkatonte ata që i shpallte si bashkëpunëtorë të regjimit. Një vit më pas, përkundër faktit se Bacardi kishte qenë përkrahës i revolucionit, do ta nacionalizonte kompaninë.

Bosch, i cili kishte parandjerë që më herët se po përgatitej një gjë e tillë, kishte zhvendosur të gjitha operacionet, përfshirë edhe mbrojtjen e markës së regjistruar, jashtë vendit.

Edhe Fideli kishte menduar që më herët se revolucioni i tij nuk do të përfundonte me kaq. Ka mbi 50 vjet që i përmbahet një letre të shkruar ndihmëses së tij, Celia Sanchez, në Sierra Maestra, gjatë kryengritjes kundër Batistas: "Amerikanët do ta paguajnë shtrenjtë për atë që po bëjnë. Kur të përfundojë kjo luftë, do ta filloj një luftë më të madhe e të gjatë timen, një luftë që do ta luftoj kundër tyre. Tash e kuptoj se ky është fati im i vërtetë".

Dhe, pesëdhjetë vjet më pas, ishulli që prodhoi Bacardi-n po pret se si po përfundon, biologjikisht, kjo luftë e Castros me Amerikën.

5.

Çfarë është fati i revolucioneve? Për familjen Bacardi ka qenë ndërtimi i kompanisë më të madhe të rumit në botë, madje edhe pas revolucionit të Castros dhe daljes në ekzil.

Kjo ka qenë një pjesë e rrëfimit.

Pjesa tjetër ishte regjistruar më 1924, në 22-vjetorin e Republikës së Kubës, me rezonancë për shumë popuj që kanë kaluar tranzicionet, revolucionet, madje edhe vetë lirinë. Do të mund të kishte rezonancë edhe për personazhet e mia të restorantit, po të mos fshiheshin më pas shtyllës. Siç shkruan Emilio Roig de Leuchsering, një avokat dhe intelektual havanas: "Kemi parë shfaqjen e të njëjtave vese dhe defekte që njerëzit, të cilët udhëhoqën revolucionin, deklaruan se do t‘i shuanin; urrejtje të ashpër, egoizëm, dëshirë për pasurim, mungesë dashurie për kombin, mungesë respekti për ligjin, abuzim pushteti nga qeveritarët dhe pasivitet i tmerrshëm i të qeverisurve. Kemi ndryshuar flamur e qeveri, por në fund, dallimi mes Republikës së sotme dhe Kolonisë së deridjeshme është vështirë i dallueshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›