BB, 20 milionë USD për zhvillimin
Pas disa ditë negociatash, Ministria e Financave ka mundur të bindë Bankën Botërore që të lëvrojë fondin 20 milionë dollarë për Programin e Politikave Zhvillimore. Sipas zv/ministrit Shehu, marrëveshja u arrit në sajë të realizimit të reformave strukturore që kishte angazhuar qeveria. Programi i BB-së e kushtëzonte lëvrimin e kredisë me punën e bërë ndaj luftës së korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ministria deklaron se këto dy qëllime janë arritur, duke bërë të mundur lëvrimin e kredisë 20 milionë dollarëshe, madje i jep mundësi Shqipërisë të përfitojë sërish financime. Ndërkaq, stafi teknik i Ministrisë së Financave ka filluar menjëherë punën për përgatitjen e paketës së plotë që do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe që do të nënshkruhet nga bordi i Bankës Botërore në muajin mars.