E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJE BONAPART PER POLITIKEN E "RE"?

Pas 18 vite pushtetesh dhe liderësh arrogantë, ajo që u duhet më pak shqiptarëve është një tjetër pushtet, një tjetër lider, një tjetër politikë arrogante. Dhe ajo që manifestoi Edi Rama gjatë debatit për buxhetin në këshillin bashkiak të Tiranës ishte një arrogancë ekstreme. Të ngrihesh dhe të numërosh vetë me gisht votat kur për një gjë të tillë ka një procedurë të caktuar dhe një organ të caktuar të ngarkuar që ta kryejë, është një arrogancë dhe dhunim i institucionit. Nuk të kujton vetëm Lalë Krosin që "vetë voton dhe vetë numëron". Të kujton edhe Bonapartin që në momentin e kurorëzimit si Perandor, shkeli procedurën tradicionale, ia rrëmbeu Papës kurorën dhe e vuri me duart e veta në kokën e vet. Ai vetëkurorëzim ishte pohimi i arrogancës që sjell pushteti. Bonaparti ish fuqizuar aq shumë sa ndihej zot i përfaqësuesit të Zotit. Mos vallë dhe Rama ka nisur të ndihet i tillë?

***

E keqja më thelbësore e pushtetit që e gjithë opozita ka përballë është arroganca. Këtij thelbi arrogant që frymëzohet dhe nxitet në radhë të parë nga Kryeministri Berisha, i dedikohen skandalet më të mëdha korruptive të qeverisë që nga Gërdeci, Rrëshen-Kalimashi apo dhe më i fundit, privatizimi i ARMO-s. Të gjithë këto skandale kanë të përbashkët dhunimin e ligjit dhe të procedurave nga një lider, një pushtet dhe një klan që ndihen shumë të fuqishëm dhe nuk kanë frikë se ligji do t‘i ndëshkojë një ditë për dhunimin e ligjit. Prandaj detyra e opozitës është që jo vetëm të largojë këtë pushtet arrogant, këtë Kryeministër arrogant, por edhe të instalojë një tjetër pushtet, me një lidership që ka për thelb jo arrogancën por vetëpërmbajtjen, thjeshtësinë dhe përulësinë përballë publikut. Një nga vetitë tipike të politikës së re të Presidentit Obama (që Rama pretendon ta imitojë) është pikërisht krijimi i një pushteti që di të përmbahet, që nuk rrezaton një arrogancë që tremb. Dhe vetëpërmbajtja është pikërisht ajo veti morale që i bëhet pengesë abuzimit me fuqinë që të fal pushteti. Përfytyroni për një moment sikur Presidenti Obama të ngrihet në këmbë në Kongres dhe të numërojë vetë votat. Një arrogancë e tillë as mund të mendohet. Por e përsërisim, ajo që Edi Rama manifestoi në këshillin bashkiak nuk flet aspak për vetëpërmbajtje, nuk flet për modesti, nuk flet për respekt të institucionit apo edhe për këshilltarët që e kundërshtojnë. Dhe kjo e fundit flet edhe për mungesë respekti ndaj zgjedhësve, sepse do apo s‘do Rama, ata këshilltarë janë përfaqësues të tyre sado gabim ta kenë dhe sado të mos jetë dakord Rama me ta. Në esencë numërimi me gisht i votave nga Edi Rama duke nxjerrë jashtë loje sekretarinë, nuk ka ndonjë dallim me arrogancën që tregon Topalli kur ushtron tiraninë e shumicës dhe shpërfill vullnetin e pakicës. Madje Rama është një hap prapa Topallit sepse kjo e fundit, nuk ia ka marrë asnjëherë kompetencat sekretarisë.

***

Vërejmë se jo pak liderë që janë përballur për një kohë të gjatë me arrogancën e Berishës, janë infektuar vetë nga po e njëjta arrogancë. Atëherë çfarë, do të ndërrojmë një pushtet arrogant me një tjetër pushtet arrogant, një lider arrogant me një tjetër po të tillë? Urojmë që të mos jetë kështu me gjithë që shenjat nuk janë të mira. Po e lëmë mënjanë këtu atë servilizëm që po trashet rreth Ramës dhe që duket që larg. Edhe zërat që thonë se vartësit apo bashkëpunëtorët dridhen para tij. Le t‘i quajmë thashetheme dashakeqe. Por ndërkaq Rama ka regjistruar në publik jo vetëm ca "spektakle" të arrogancës individuale, por edhe të asaj politike që është edhe më e rrezikshme. Bashkim i votave me Berishën për të ndryshuar Kushtetutën duke mos përfillur dhe pyetur "popullin" nuk ishte një lapsus, por pikërisht rrjedhojë e një mentaliteti arrogant prej "Zoti" të popullit. Këmbëngulja, kokëfortësia për të mos dëgjuar asnjë argument të atij që e quan kundërshtar, për të mos i bërë as edhe një cedim (jo parimor, por thjesht teknik) kërkesave të rivalëve (madje edhe miqve politikë) aq tipike për Berishën, po del se po bëhet gjithnjë e më tipike edhe për Ramën. Dhe ky tip lideri kokëfortë, i imituar edhe nga klane që e ndjekin, është shkaku se pse në Shqipëri kultura e konsensusit është kaq pak e zhvilluar. Dhe janë pikërisht këto qëndrime, kjo arrogancë primitive, kjo kokëfortësi që i bëjnë konsensuset më të vështira dhe për rrjedhojë edhe qeverisjen. Dhe janë po këta liderë, që pasi i vënë shkelmin konsensusit me kokëfortësinë e tyre dhe arrogancën, nisin e pretendojnë se nuk qeverisin dot po nuk patën shumicë absolute në Parlament apo këshilla, se nuk "mirëqeverisin" dot nëse qeverisja do të varet nga konsensusi me kundërshtarin. Dhe nisin e bëjnë "reforma" për të hequr qafe kundërshtarët që i bezdisin, gjë që e kanë bërë më parë të gjithë autokratët modernë, duke filluar me Bonapartin. Nuk e zgjedhim dot Presidentin e Republikës me konsensus? Atëherë le ta reformojmë sistemin duke i dhënë mundësi shumicës ta zgjedhë ajo Presidentin pa konsensus. Nuk biem dot dakord për buxhetin? S‘ka gjë se kryetari mund të blejë ca vota që t‘i numërojë vetë me gisht. Por kjo nuk është demokracia. Kjo është tirania e korruptuar e shumicës. Demokracia është emancipimi i klasës politike edhe me interes publik dhe për rrjedhojë edhe lindja e aftësisë për të arritur konsensuse. Demokracia vërtet qeveris me votat e shumicës por, pa nxjerrë jashtë loje kontributet e pakicës. Sepse janë edhe presionet e efektshme të opozitës ato që e mbajnë një shumicë në brazdën e interesit publik. Interesi publik nuk është vektori i një partie apo lideri. Interesi publik është rezultante vektorësh që tentojnë kahe të ndryshme. Sepse nëse interesi publik do të ishte i mundur nën qeverisjen apo udhëheqjen e një partie të vetme apo lideri të vetëm, atëherë mos vallë shqiptarët do të kishin bërë mirë të rrinin me Enverin? Se edhe ai i numëronte votat vetë. Madje pa qenë në sallë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›