E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, cultura animi...!



A ekziston një kulturë tradicionale shqiptare dhe çfarë karakteri vetjak ka ajo? Ashtu si ekziston një gjuhë shqiptare, ashtu ekziston deri në një farë pike edhe një kulturë shqiptare cultura animi. Por nëse i vlerësojmë kushtet e përgjithshme të popullit, në varësi të asaj që është kultura e vërtetë dhe vetjake, kjo në Shqipëri nuk ekziston. Vëllimi i dytë i Fluvio Kordinjano, “Shqipëria”, përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit të madh italian At Domeniko Pazi na hedh në betejat e trekëndëshit gjigant katolik të Veriut: Shkodra-Pulati-Shkupi. Më poshtë për herë të parë botohet letërkëmbimi i Pazit me priftin kosovar, si një pjesë e asaj atmosfere kundërshtuese për Etërit Jezuitë

Shqiptarët, cultura animi...!

Ka dy probleme të vështira, por jo të pazgjidhshme. Të vështira për shkak të pështjellimit të elementeve që sundojnë në këtë vend, ku nuk ka asnjë formë bashkimi, gjithashtu edhe sepse vetë Shqipëria nuk e ka kryer asnjëherë këtë bashkim në tërësinë e saj si popull dhe si komb, ndërsa tani për herë të parë po eksperimenton përmes një varg pengesash shumë të forta. Varësia e saj apo zgjedha ndër shekujt e kaluar, prishja e racës në një shtrirje të madhe të vendit, kushtet primitive, të cilat nuk kanë lejuar një zhvillimin e njëtrajtshëm dhe njëkohshëm të formave të përcaktuara të mendimit dhe të veprimit, por i mban të përçarë, pre të egoizmave të forta dhe të grupimeve feudale apo të antagonizmave etnike të fisit, pra të gjitha këto kanë krijuar një lëmsh, të cilit nuk është e lehtë t‘ia gjesh fillin. Në hulumtimin e elementeve që duhet të na japin materialin, prej të cilit nxirren përfundimet mbi këto dy pika themelore dhe rreth të cilave bazohet jeta e një populli, na duhet të çlirohemi nga ndonjë paragjykim dhe t’i shqyrtojmë faktet siç janë, pa i ngatërruar dhe pa na u errur sytë, prandaj është e nevojshme qetësia më e madhe në diskutim dhe në gjykim.

Duke trajtuar më parë kulturën, ka rëndësi që të merremi vesh për kuptimin e plotë të kësaj fjale. Kultura, duke lënë mënjanë kuptimin e saj etimologjik si dhe përdorimi i saj që mbahet në fushën e zooteknikës, nuk është as shkencë as përparim, as qytetërim, por është diçka e gjithë këtyre. Ajo është kultivimi i shpirtit (cultura animi) dhe i mendimit në kuptimin njerëzor, prej të cilës njeriu pasurohet me një thesar njohurish të ndryshme, të cilat shërbejnë për përmbushjen e njeriut dhe shtjellimin e jetës. Kultura nuk është njohuri e thjeshtë, e përgjithshme, pak a shumë e thellë, pak a shumë e shumëllojshme, por gjithmonë e sigurt, e cila depërton në thellësi të ndërgjegjes së atij që e zotëron, nga një cikël i gjerë i shkencës dhe i letërsisë, por përveç kësaj jep një shtysë drejt përmirësimit dhe ngritjes edhe të të tjerave të ngjashme me këto. Si rrjedhojë, këtu shihet i pandarë një element veprues i dëshirës, i filantropisë, i cili buron nga vetë natyra e njohurive të arritura me një punë të zellshme dhe të vazhdueshme të studimit të përgjithshëm të shkrimtarëve më të famshëm. Në varësi të burimeve të ndryshme dhe të përmbajtjes mbizotëruese të një kulture, do të kemi një kulturë kombëtare, një kulturë të përgjithshme, një kulturë në veçanti shkencore, letrare, filozofike, artistike etj., por të themi të drejtën, kultura nënkupton që këtu të jenë njohuritë e ndryshme, të arritura në fusha të ndryshme ndërmjet tyre.

Në këtë kuptim, a ekziston një kulturë tradicionale shqiptare dhe çfarë karakteri vetjak ka ajo? Ashtu si ekziston një gjuhë shqiptare, ashtu ekziston deri në një farë pike edhe një kulturë shqiptare cultura animi. Por nëse i vlerësojmë kushtet e përgjithshme të popullit, në varësi të asaj që është kultura e vërtetë dhe vetjake, kjo në Shqipëri nuk ekziston. Monedhat më të vjetra, të prera për mbretërit ilirë, kanë mbishkrime greke; në vendin, i cili qysh nga Mesjeta e më tej vijoi të emërtohej Shqipëri, nuk është gjetur ende një shkrim që të kujtojë gjuhën e shqiptarëve. Përkundrazi, i gjithë vendi është i mbushur me kujtime dhe monumente, të cilët tregojnë madhështinë e Romës dhe të Venecias, tregtinë dhe kulturën greke, bizantine ose sllave. Gjuha është i vetmi mjet mbijetese i elementeve shpirtërorë të banorëve të kahershëm të këtyre viseve, të cilët duket sikur kanë një farë lidhje me banorët e tanishëm, ndërsa Illyricum që ka mbetur në këto vise është memec, nuk ka as edhe një fjalë për të shprehur shpirtin e tij, mbetet memec si varret dhe muret e tij ciklopikë, nga të cilët kanë mbetur ende disa pjesë edhe në Shqipërinë e Veriut. Greqia dhe Roma, ashtu siç e kanë bërë të jetojë me anijet e tyre tregtare dhe me kolonitë në det, ashtu i kanë huazuar gjuhën, për t’u kuptuar përballë popujve me kultura të mëdha klasike, si dhe për të lënë një kujtim nën tokë nëpërmjet monedhave, një monument të ekzistencës së saj. Diçka ilire duhet të jetë përcjellë në veshjen, në gjuhën, e cila sigurisht është zhvilluar dhe tjetërsuar mjaft dhe mbi të gjitha ka mbetur diçka ilire në zakonet, në besëtytnitë dhe në kanunin e malësisë, siç edhe është ngulitur në një fond të pasur të toponomastikës, duke lënë jehonën e përfytyrimeve të mëdha përgjatë përrenjve, brenda guvave ose aty ku majat e malit lartësohen drejt diellit, rrethuar me kurorë dëbore, të pështjella nga mjegulla ose nga re të murrme, të rrahura nga erërat dhe të goditura nga rrufetë: fenomene, të cilat sigurisht kanë lënë gjurmë në përfytyrimet e fuqishme të atyre njerëzve dhe ndikuan në emërtimin e vendeve. Iliria antike nuk i ka lënë kulturë tjetër për trashëgim Shqipërisë, as Shqipëria nuk është kujdesur kurrë që me gjeninë e artit dhe të mendimit të saj të përpunojë mbi këtë bazë zanafillore një trashëgimi të vetën, përveçse gjuhës, kanunit dhe artizanatit që i duhej për nevojave primitive. Zhvilloi një art që nuk mund të thuash se është vetjak, pasi është i njëjtë për të gjithë Ballkanin, art ornamentesh dhe argjendarie. Me gjithë këto që thamë, nuk kemi mbërritur ende në problemin e vërtetë të një kulture shqiptare sipas kuptimit që treguam në fillim. Të shohim historinë. Disa shqiptarë, të cilët gjithsesi numërohen me gisht, përftuan një kulturë Humaniste në Padova ose Venecia; historia e letërsisë kujton sidomos Barletin dhe Beçikemin, por kjo është kulturë e humanizmit italian. Përveç kësaj, meqë nuk kanë mundur kurrë të kenë një politikë të tyren, jo vetëm përballë Evropës, por as përballë fqinjëve të tyre të mëdhenj, pak a shumë të fortë, të cilët të bashkuar me njeri tjetrin kanë mundur ta mposhtin, kësisoj gjatë shekujve të shkuar nuk ka krijuar kurrë as letërsi dhe as një kulturë të mirëfilltë të saj, për të mos thënë se ka qenë kultura e pushtuesve të saj. Sigurisht kanë pasur njerëz të mëdhenj, gjithë energji dhe zgjuarsi, pasi inteligjenca sidomos për sa i takon mprehtësisë dhe urtësisë, nuk i ka munguar kurrë shqiptarit, ashtu si dhe guximi, gjëra që kur i ka ndihur fati, kanë arritur të ngjallin admirimin e historisë, por gjithsesi janë lartësime sporadike të një force, e cila vepron në thellësi dhe është në kundërshti me vetveten dhe kështu nuk arrin të kalojë në një shtrat lumi të vetëm dhe të krijojë një rrymë, e cila t’i sjellë një ndihmesë të qëndrueshme dhe pozitive kulturës apo qytetërimit evropian. Pohimi im mbetet i provuar nga fakti se perandorët që Iliria i dha Romës në shekujt e periudhës së rënies, arritën ta ngadalësojnë rënien duke i përmirësuar fatet e perandorisë dhe ashtu si Iliria i dha Romës Prijës, në mënyrë të pakundërshtueshme të aftë dhe të fuqishëm, ashtu si edhe Shqipëria Mesjetare nxjerr njerëz të modelit të Skënderbeut, megjithëse Skënderbeu është përzmadhuar nga legjenda dhe kurrë nuk u ngrit në rangun e një monarku shqiptar, duke u mjaftuar me atë të komandantit të përgjithshëm të forcave ushtarake të të gjithë Shqipërisë. Lavdia e tij, mbi të gjitha është një lavdi katolike, defensor fidei, athleta Christi, meqenëse në ato kohë askush nuk kishte ide për një atdhe shqiptar. Duke vazhduar ndër kohëra, nën sundimin otoman, Shqipëria i jep rregullisht edhe Kostandinopojës Vizirë, të cilët kanë bërë që të njihet siç duhet terrori i fuqisë së tyre, ashtu si nxori edhe rebelë të mëdhenj, të cilët ishin tiranë të vërtetë dhe të mirëfilltë: le të kujtojmë të famshmin Ali Pashë Tepelena dhe Vezirët e Shkodrës. Por më kot të kërkojmë përmes historisë shqiptare një forcë homogjene dhe të fuqishme kohezioni, që t`i imponohet admirimit të historisë së përgjithshme dhe që i sjell një ndihmesë qytetërimit.

(Shkëputur nga hyrja e vëllimit “Shqipëria”) Prizren, 1 tetor 1890 Shumë i nderuar At Pazi Kam zbuluar me saktësi së qëllimet e Austrisë janë vetëm ato që kërkojnë të pengojnë Lazaristët për të vënë Jezuitët. Ju, nëse jeni bir i denjë i Shën Injacios do ta urrenit këtë politikë të poshtër; për të cilën unë Ju jap këshillë, të cilën e mendoj të shkëlqyer në të gjitha drejtimet, pra Ju me At Mazza të hiqnit dorë nga ideja e ngritjes së Misionit shëtitës në këto vise të Shqipërisë, duke u mjaftuar së bëri mirë në Shqipërinë e Poshtme, kaq shumë në nevojë (nënkuptohet Gegënija katolike); dhe të lini t’i vënë në zbatim projektet e tyre bijtë e Shën Vinçencios, të cilët do të bëjnë një të mirë të madhe dhe po njësoj do të mbulohet me lavdi Zoti. Madje, nëse Ju do të ishit si Saverio, të mos çonit në qiell kaq shpirtra fëmijësh myslimanë, duke hyrë në të gjitha shtëpitë, ashtu siç bëjnë Motrat. Për politikën austriake nuk ka rëndësi humbja e kaq shpirtrave. Tashmë dihet mbërritja e Jezuitëve e bën të nevojshme këtë humbje. Prandaj Ju, pas Ushtrimeve të Shenjta, do të bindeshit një herë e përgjithmonë se këtu ka një kurth nga ana e Austrisë për qëllimet e saj, por që nuk janë të drejtë. Të paktën ne të qëndrojmë larg. Ju e dini sa i dua unë Jezuitët;megjithatë e kuptoj mirë se duhet bërë kështu për të mos bashkëpunuar në humbjen e kaq shumë shpirtrave. Nëse më pas largohen Motrat- nëse Lazaristët (nuk?) vinë, është koha të mendojmë për blerje dhe fondavione etj. Ju kujtohet mirë se omnis plantatio quam non plantvit Pater meus ereadicabitur- nëse hyn politika austriake, e interesuar non est plantitio Patris; aq më tepër duke qenë në dëm të Motrave dhe Lazaristëve etj. Lutuni për mua që përgjërohem për Jezu Krishtin Nga V.PR Shërbëtori i përulur Simon Lumësi Gjakovë, 4 tetor 1890 M.R.D. Simon Shumë i nderuar, letrës suaj të datës 1 të këtij muaji, vetëm në fillim i hodha një sy dhe më befasoi; megjithatë më pëlqeu shumë sinqeriteti dhe besimi me të cilin më shkruanit. Ju më lejoni, madje dëshironit, t’Ju përgjigjesha me të njëjtin sinqeritet dhe mirëbesim me të cilin Ju më shkruanit dhe nga ana tjetër, sepse kjo kërkohet nga marrëdhëniet të një miqësie të ndërsjellë që kemi pasur dhe ende kemi midis nesh. Pra, të më falni, por letra juaj është e bazuar në hamendësime të gabuara; të cilat nuk duhet të zënë vend te Ju, pas bashkëbisedimeve që patëm në Prizren, në të cilat unë nuk bëra gjë tjetër veçse ju kujtova një varg faktesh që Ju tashmë i dinit, por që tregonin qartë ku do të ishte e nevojshme dhe se nuk kemi qenë ne ata që kemi kërkuar të futemi në këtë Arkidioqezë dhe aq më pak me qëllimin për të përjashtuar Lazaristët. Ju hamendësoni pikësëpari se Austria vepron me kurthe, se kërkon të vendosë Jezuitët në mënyrë që të dëbojë Lazaristët. Por sa për këtë, Austria nuk ka mbajtur aspak të fshehta; ajo e ka shprehur qartë kudo, se do të kundërshtohej ardhja dhe vendosja në Shqipëri e një Korporate fetare franceze dhe e ka nxjerrë edhe arsyen (meqenëse është nën mbrojtjen e qeverisë franceze) Ajo vetë i sugjeron Propagandës se nëse do të donte të vendoste klerikë në Arkidioqezën e Prizrenit, më mirë i bënin punë Jezuitët, të cilët megjithëse nuk ishin austriakë, gjithsesi kishin institutet e tyre në Shqipëri të mbështetura ekonomikisht nga Austria dhe që janë nën mbrojtjen e saj. Kjo nuk është të mbash sekrete apo të ngresh kurthe, por të flasësh hapur. Ju shtoni se nëse unë jam bir i denjë i Shën Injacios, duhet ta urrej këtë politikë. -Unë, Ju kam treguar se çfarë kam thënë dhe çfarë kam bërë, në mënyrë që mbërritja e Misionarëve, kurdoherë që të ndodhte në këto vise, të mos kishte aspak nuancë politike: unë jam Misionar i Jezu Krishtit dhe nuk përkujdesem dhe nuk më shqetësojnë aspak gjërat e tjera. Ju më jepnit “këshillën”, të cilën e besonit si të shkëlqyer në çdo drejtim, për të hequr dorë nga ideja e vendosjes së Misionit shëtitës në këto anë dhe për të lejuar të venë në zbatim projektin e tyre Bijtë e Shën Vinçencos. Edhe këtu qëndron një hamendësim tjetër i gabuar dhe për t’ua hequr këtë, unë duhet t’i ripërsëris të gjitha ato çfarë Ju i dini tashmë dhe që provon dhe më shumë ad evidentiam: 1. Se nuk janë Jezuitët që duan të futën në këto dioqeza. 2. Nëse jam në dioqezë, kjo është për arsye se z. Arkipeshkv më ftoi zyrtarisht. 3. Se nëse është fjala se duan të vendosen në Dioqeza pengon ardhjen e Lazaristëve dhe bën që të largohen Motrat. Pikësëpari edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, nuk duhen ngarkuar Jezuitët për këtë, por ai që i dërgon. Pikë së dyti, kjo është e gabuar; edhe kur Lazaristët të kenë famullinë e Prizrenit ose një famulli tjetër dhe në Dioqeza nuk do të ishin tri por 100 motra, nuk arrij të kuptoj pse një Misionar jezuit nuk do të mund të shkonte për të dhënë mësim katekizmin në famullinë, p.sh të Pejës. Por shihe mirë, nuk është shkak ardhja e Jezuitëve që bën të pamundur ardhjen e Lazaristëve dhe pengon veprimtarinë e Motrave, por sepse nuk i duan Lazaristët dhe nuk i duan Motrat franceze të Shën Vinçencos (sepse Motrat e tjera, jo franceze, të Shën Vinçencos do t’i lejonin më së miri të vinin dhe ndoshta do t’i ndihmonin), prandaj them se me këtë u thuhet Jezuitëve shkoni ju; megjithatë deri tani Jezuitët nuk kanë pranuar të vinë dhe për sa i takon Misionarëve shëtitës, Propaganda nuk i ka paraqitur kurrë këtë arsye Misionarëve, pra meqë nuk mund të vinë Lazaristët letë vinë Misionarët shëtitës, por ka nxjerrë arsyen e nevojës së mësimdhënies në fshatrat dhe të rrezikut që shumë të krishterë të kthehen në myslimanë. Dhe Ju e keni parë letrën e Kardinalit. Kam shumë respekt për Lazaristët dhe i dua, prandaj më vjen shumë keq për këtë tërësi rrethanash, për të cilat ai që nuk i njeh çështjet do të mund të besonte se ka qenë një garë midis dy grupeve fetare, për një pëllëmbë tokë midis shumë prej nesh, kur si ata ashtu edhe ne kemi shumë hapësirë diku tjetër. Por ajo që më ngushëllon është se Lazaristët i dinë mirë se nga vinë kundërshtimet që u bëhen atyre. Hirësia Juaj ka ditur për këtë më shumë nga ajo që dija unë në lidhje me këtë propozim, kur mbërrita në Prizren. Lëvdoj dhe admiroj të gjithë të mirat që bëjnë tri Motrat, të cilat rrinë në Prizren, ndoshta jo vetëm për shpirtin që kanë në Kongregacionin e tyre por për dhuntitë dhe aftësitë personale, dhuratë të vetë Perëndisë; por thënia se nëse do të duhej të largoheshin këto Motra, atëherë kjo do të ishte një humbje shpirtërore e madhe dhe e pandreqshme dhe për më tepër të bërit pothuajse përgjegjës Jezuitët në lidhje më këtë, më duket pakëz e tepruar… E pranoj se tri Motrat e Prizrenit kanë dhunti personale të jashtëzakonshme, por nuk është e mundur që ajo çfarë bëjnë tri bijat franceze të Shën Vençencios, jo franceze, aq më tepër, se këto nuk do të pengoheshin në detyrat e tyre ashtu si Motrat franceze. Beteja e Motrave, si u përzunë Etërit Jezuitë Ky letërkëmbim hedh dritë mbi rindërtimin e historisë ku Fluvio Kordinjano na tregon një nga dëshmitë e ngjarjet e projekteve të ndryshme në lidhje me vendosjen e një rezidence në Arkidioqezën e Shkupit dhe marrëdhëniet që kishin në lidhje me këtë Etërit Jezuitë dhe Arkipeshkët që do të pasonin në këtë Seli. Letërkëmbimet e At Pazit flasin për një rrethanë historike ku nuk bëhej fjalë për një konflikt të thjeshtë, por për grupime gati politike pro dhe kundër Arkipeshkvit, përballë Austrisë. Kleri shekullar, në veçanti ndër priftërinjtë e rinj, shihen në këtë botim në kulmin e pakënaqësive dhe kundërshtive të mëdha, midis njërës dhe tjetrës palë të Klerit, midis të vjetërve dhe të rinjve. Kjo ishte koha e misionit dhe furtunës në Prizren. Letra e mësipërme e priftit D. Simon Lumesi, i tregon nga Prizreni, At Pazit betejën e katolikëve të veriut në atë kohë, një atmosferë kundërshtish të forta. Këto dëshmi sillen nga Fulvio Kordinjano në një botim të plotë në gjuhën shqipe në librin historik “Shqipëria”, një autor nga më të diskutuarit, pjesë e polemikave me Mjedën dhe Fishtën e disa shkrimtarë të tjerë të kohës. Botimet “Almera” pas veprës së Petrotës na njeh me këtë albanolog, për atë pjesë të errët të panjohur të historisë sonë, dhe mjaft delikate siç është raporti me fenë dhe kulturën shqiptare në një periudhë të mbushur me luftëra. Përkthyer nga Ilirjana Angoni, përgatitur për botim nga Mark Simoni, “Shqipëria”na tregohet nga Kordinjano përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit italian At Domeniko Pazi (1847-1914). Vëllimi i dytë i këtij botimi përfshin kohën më delikate dhe të debatueshme; betejën e trekëndëshit gjigant katolik të Veriut Shkodra-Pulati-Shkupi. Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë një gjeografi të gjerë ngjarjesh, që Domeniko Pazi i pati mbledhur që nga viti 1847 e deri në 1914. Re.Ku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›