Studiuesja e Oksfordit: Bizanti?! Askush nuk di çfarë të bëjë me të
“Në atë kohë një pjesë e madhe e Shqipërisë ishte nën pushtetin e një province të re, që bizantinët e quanin Bullgari. Pikërisht në këtë periudhë u vendos edhe modeli i sistemit të qeverisjes prej kishës, i cili zgjati për rreth 200 vjet, sidomos në qytetin e Durrësit”.
Është pigmenti që dallon profesoresha e lashtësisë së vonë dhe e historisë së Bizantit në universitetin Oksford, Averil Cameron në botimin e saj “Bizantinët”. Studimet e formësuar mbi këtë periudhë tashmë i shtohet edhe një tjetër studim i radhës, i cili dje është promovuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në trajtën e një leksioni të mbajtur mes studiuesish, historianësh, albanologësh të njohur shqiptarë. Studiuesja dhe autorja e huaj ka vënë në qendër të referencës së saj mbi këtë vepër pikat themelore, mbi të cilat ajo është mbështetur përgjatë gjithë studimit, pikëpamjet apo edhe pyetjet që kanë munduar jo vetëm atë, por edhe penën e autorëve të tjerë.
A ishte Bizanti pjesë e Evropës, apo i përkiste më shumë Lindjes? Si pajtohet historia e ortodoksisë në konceptin e krishterimit perëndimor? “Bizanti ishte një perandori mesjetare dhe kishin në patronazh artin që përbehej nga njerëz të pasur. Përveç kësaj, ata mbanin edhe objekte luksi në shtëpitë e tyre, rroba, bizhuteri, orendi. Gjithashtu, kemi edhe objekte ordinere, të cilat njerëzit e zakonshëm i përdornin, por këto nuk janë të shumta në numër. Në një farë mënyrë kanë mbijetuar shumë objektet, kryesisht ata luksi”, - shprehet autorja e librit Averil Cameron, e cila shton se Bizanti zë në histori një vend të papërcaktuar, saqë askush nuk di çfarë të bëjë me të. Por megjithatë, ajo thekson se “Durrësi është një vend shumë i rëndësishëm, por pa lënë pa përmendur edhe Butrintin si një vend shumë të rëndësishëm në periudhën e hershme. Por, sërish mendoj që ishte qyteti i Durrësit qendra shqiptare më e rëndësishme në atë periudhë, në mënyrë të veçantë, por edhe Shkodran gjithashtu”. Janë qytete për të cilat ajo ka theksuar se u ndanë nga perandoria bizantine, pasi nuk ishin të pavarura. Cameron tregon po ashtu se kohët e fundit studimit të kësaj periudhë po i kushtohet një rëndësi e madhe, e kryesisht pas viteve ‘90, në Amerikë duke bërë të mundur edhe botimin e shumë studimeve që sipas saj janë shumë të vlefshme. “Në Amerikë ka një qendër të madhe kërkimore ku ndodhet edhe një emigrant rus hebre që quhet Aleksandër.
Gjatë kohës kur ai erdhi në këtë qendër donte që të përhapte dijet, njohuritë për bizantin në Amerikë, mes njerëzve të rinj”, - thotë studiuesja, duke shtuar se “ai bëri një punë shumë të madhe. Shkroi shumë faqe për ta bërë sa më të pranueshme këtë periudhë. Ai ishte i interesuar për jetën e vdekshme, kulturën materiale, njerëzit e zakonshëm, mënyrën se si jetonin ata. Kështu për herë të parë njerëzit e kishin të lehtë të lexonin dhe të shihnin subjektet për të cilat ishin të interesuara”. Për të na sjellë këtë botim profesoresha e lashtësisë së vonë ka mundur të shfrytëzojë një mori burimesh, të cilat një pjesë e mirë prej tyre, sipas saj, nuk janë publikuar asnjëherë më parë. “Kam përdorur shumë dokumente të hershme greke dhe latine. Gjithashtu po shtoj edhe faktin që dikur në universitet e kam dhënë mësim këtë lëndë për një kohë të gjatë”. Po ashtu ajo bën të ditur se “pjesa më madhe e materialit nuk është studiuar më parë. Thjesht mund të jenë publikuar, por nuk mund të jetë përkthyer në mënyrë të përshtatshme”.
Mbi “Bizantinët” e botimit të përkthyer nga Kujtim Ymeri prej shtëpisë botuese “Dituria” kanë shprehur përshtypjet sipërfaqësore edhe të pranishmit që shoqëronin këtë promovim. Kështu, historiani Beqir Meta shprehet se “është një botim shumë interesant mbi periudhën e Bizantit. E veçanta e këtij botimi është se autori nuk është marrë konkretisht vetëm me Bizantin si një shtet, ashtu siç paraqitet edhe në botimet e tjera, por më së shumti me shoqërinë bizantine, mënyrën e jetesës gjatë asaj kohë, mënyrën e të menduarit, kulturën, apo edhe ndërtimet në Bizant. Madje, ky është motivi që kjo vepër ka marrë pikërisht këtë titull, “Bizantinët””. Bizantinët shikohen si një popullsi me diferenca të mëdha kulturore, ku në një moment të “leksionit” autorja tregon se “në atë kohë kemi qenë as më shumë, e as më pak por thjeshtë romakë”. Si një pikë të rëndësishme në këtë libër, nga ana tjetër, Meta dallon edhe debatet e shumta me studiuesit perëndimorë të cilët ai i vlerëson si më të afirmuar se “penat” shqiptare. “Ky libër ka një informacion mbi trevat shqiptare të asaj kohe dhe mbi të gjitha është shkruar nga një specialiste shumë e mirë dhe e afirmuar. Me qëllim që të filloj gjithçka nga e para, duhet të fillojmë studimet bizantine në një stad të ri dhe më studime krejt të reja nga universitete nga më prestigjioze”, - shprehet Beqir Meta, i cili e mbyll apelin e tij edhe me iniciativën e përgatitjes së një brezi të ri bizantologësh.