E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e Maqedonisë nuk ekzistojnë, sipas librave të historisëNga Qemal HaliliDuke shfletuar tekstin shkollor “Historia - për klasën VI” të autorëve Millan Boshkoski, Jordan Ilioski dhe Nebi Dervishi hasa në shumë anomali, paradokse, gënjeshtra,

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk ekzistojnë, sipas librave të historisëNga Qemal Halili

Duke shfletuar tekstin shkollor “Historia - për klasën VI” të autorëve Millan Boshkoski, Jordan Ilioski dhe Nebi Dervishi hasa në shumë anomali, paradokse, gënjeshtra, shtrembërime, trillime dhe të pavërteta historike. U detyrova ta lexoj tërë librin dhe askund nuk gjeta asnjë fjali dhe fjalë të vetme për ekzistencën e shqiptarëve në këto troje mijëvjeçare në asnjë periudhë historike, përveçse historisë së Shqipërisë dhe të lë përshtypjen se shqiptarët dhe paraardhësit e tyre kanë ekzistuar vetëm në hapësirën territoriale të shtetit shqiptar. Dhe nxënësit shqiptarë, kur do t’i mësojnë këto mësime, vetvetiu do t’u lindë pyetja: Po ku jemi ne shqiptarët e Maqedonisë? Ku janë dhe kush kanë qenë stërgjyshërit dhe katragjyshërit tanë? Dhe mësuesi i dashur (nëse e ka lepurin në bark), do t’u përgjigjet: -S’e di nxënës të dashur, ashtu shkruan në libër dhe ashtu duhet të mësojmë! Ndoshta këtu kam të drejtë, pasi deri më sot s’kam lexuar asnjë reagim të ndonjë arsimtari apo shoqatës së historianëve, pedagogëve etj. Në këtë libër historie glorifikohen ardhacakët sllavë të jugut deri në skajshmëri dhe popullata vendase autoktone nënçmohet dhe injorohet deri në skajshmëri, duke mos përmendur asnjë fis ilir, kur botërisht dihet se në territoret e shtetit të Maqedonisë së sotme kanë jetuar disa dhjetëra fise ilire dhe më kryesorët kanë qenë dardanët dhe kryeqendra e Dardanisë së lashtë ka qenë Shkupi. (Është interesante të theksohet se këtë të vërtetë të pakontestueshme në një debat televiziv para disa muajsh e ka pohuar publikisht ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski, i cili ndër të tjera tha: “Dihet botërisht se sllavët këtu kanë ardhur në shekullin e gjashtë dhe të shtatë dhe se maqedonasit dhe Maqedonia e sotme s’ka asnjë lidhje me Maqedoninë antike, madje Shkupi ka qenë kryeqendra e Dardanisë antike).

Absurditeti i këtij teksti mësimor historie, që edhe më shtyu që t’i shkruaj këto rreshta, është njësia mësimore: Qëndrimi i sllavëve ndaj popujve autoktonë, ku ndër të tjera thuhet: Mbeturina të popullsisë vendase në Ballkan janë vllahët e sotëm. Çfarë çmendurie! Çfarë zbulimi epokal! Lëre që vllahët i quan mbeturina, por vallë vetëm vllahët janë popullsi autoktone në Ballkan?! Po ashtu edhe në njësinë mësimore: Sjellja e sllavëve ndaj banorëve vendas, ndër të tjera thuhet: “Sllavët atdheun e ri e pranuan me emrin Maqedoni dhe filluan të quheshin maqedonas. Banorët vendas maqedonas e pranuan gjuhën sllave, e më vonë edhe shkrimin sllav. Banorë të mbetur nga maqedonasit antikë janë vllahët.” Cilit t’i besoj tani?! Unë s’jam historian, por kam lexuar libra dhe vepra historike, aq sa kam pasur mundësi dhe një ndër ata libra është “Historia e Shqipërisë” e shkruar në vitet 1884-1889 nga historiani francez Zhan Klod Faverial, i cili pa asnjë pretendim mendon ndryshe dhe sjell argumente, ku ndër të tjera shkruan: “…Shkaku për këtë është se, sipas Strabonit, maqedonasit dhe shqiptarët e Epirit përbënin një popull të vetëm. Në të vërtetë, Straboni i Sinopit, i cili duket se ka vizituar këto vende, thotë se: “Shqiptarët dhe maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat sjellje në zakonet e tyre, i prisnin flokët në të njëjtën mënyrë dhe, se ata kishin mjaft gjëra të përbashkëta, deri në atë masë, sa janë të shumtë ata që e kuptojnë Maqedoninë deri në Korkyrë (Korfuz)…” Gjithashtu po këto fakte i vërteton edhe historiani i famshëm francez, Alfonse de Lamartine, (1790-1850), për shqiptarët në veprën e tij Historia e Turqisë, 1855 shkruan: “ Homeri Akilin e gjeti atje, grekët e gjetën Aleksandrin (e Madh), turqit e gjetën Skënderbeun, këta të tre janë të një race, të një gjaku, të një gjeni”.

Shumë historianë botërorë Gadishullin e Ballkanit e quajnë Gadishulli Ilirik, ashtu si e quan edhe historiani Zhan Klod Faveirial në librin e përmendur disa dhjetëra herë. Pra nënkuptohet se banorët e Gadishullit të Ballkanit kanë qenë ilirët, epirotët dhe maqedonasit e lashtë, të cilët kanë prejardhje të përbashkët pellazgjike dhe pasardhësit e tyre natyralë janë shqiptarët dhe ne shqiptarët heshtim… Me Aleksandrin e Madh mburren grekët, mburren sllavo-maqedonasit, po ne shqiptarët pse heshtim, kur faktet historike janë në favor tonin?! Dhe bashkëqytetarët tanë sllavo-maqedonas, edhe sllavë, edhe ardhacakë nga Karpatet e përvetësojnë emrin e maqedonasve antikë, shpallen autoktonë dhe duke përpiluar përralla historike si me tekste mësimore dhe tash së fundi me shpalljen e Enciklopedisë famëkeqe na zgjuan cazë nga letargjia që të reagojmë për të vërtetën, sepse pseudo-historianëve dhe pseudo-akademikëve të ASHAM-it s’u interesojnë faktet historike, por në botën e civilizuar, në botën e shkencës së mirëfilltë s’ka vend për gënjeshtra, për trillime djallëzore, andaj ne shqiptarët duhet të kthjellemi mirë dhe të përpilojmë një enciklopedi tonën me faktografi. Vetëm me angazhim dhe punë sot, kur janë të gjitha mundësitë për të mbledhur fakte nga mijëra e mijëra burime shkencore, mund ta mposhtim gënjeshtrën dhe hipokrizinë e ASHAM-it dhe pseudo-intelektualëve sllavo-maqedonas... Dhe nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të ndoten me të pavërteta historike, nuk duhet të lejojmë që shqiptarët të bëhen bashkautorë të teksteve mësimore, ku paraqitemi ardhacakë në trojet tona mijëvjeçare.

Në bisedë me arsimtarët e historisë kuptova se edhe në librat e historisë së klasës së V,VII dhe VIII është i njëjti fenomen, ku shqiptarëve u injorohet tërësisht e kaluara dhe e tashmja. Shkurt, shqiptarët s’ekzistojnë fare në këto hapësira dhe në këtë shtet. Meqë edhe nxënësit maqedonas mësojnë nga i njëjti program dhe tekste mësimore, qartë duken qëllimet raciste dhe fashizoide të historianëve maqedonas, nëntokës maqedonase-serbe-bullgare-ruse-sllave me mbështetje meskine të të gjitha qeverive të deritanishme.

Si do ta implementojë përfaqësuesi i OSBE, Volebek, projektin e tij për bashkëjetesën, kur, sipas programeve të MASH për tekste mësimore, shqiptarët e Maqedonisë nuk ekzistojnë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›