Shqiptarët e Preshevës kërkojnë bashkim me Kosovën
Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkimit të saj me Kosovën, në rast të një ndryshimi të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare. Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se në rast të ndryshimit të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare, Lugina e Preshevës do të riaktivizonte referendumin e vitit 1992, me të cilën kërkohet bashkimi me Kosovën. Deklarata e Kamberit pasoi qëndrimin e ligjvënësit amerikan, Dana Rohrabacher, për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme në Ballkan. Por mundësia e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar nga sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i cili ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet as kushtetuese dhe as politike për një zgjidhje të tillë. Ai tha se të dyja palët duhet të ulen për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk ka patur bisedime në nivel ndërkombëtar për shkëmbim territoresh dhe kanë vlerësuar se Beogradi ende nuk është një partner serioz për të biseduar për çfarëdolloj çështjeje.